LDK: Partia e Kryeministrit po i kërcënon me burg pjesëtarët e KQZ-së e PZAP-së

Aktuale

LDK: Partia e Kryeministrit po i kërcënon me burg pjesëtarët e KQZ-së e PZAP-së

Më: 19 dhjetor 2017 Në ora: 14:32
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës, procesin e rivotimit në Komunën e Istogut e konsideron si proces të rregullt, ndërsa kërkon nga organet përgjegjëse që t’i përfundojnë të gjitha procedurat e parapara ligjore për shpalljen dhe certifikimin e rezultatit, me qëllim që të përmbyllet sa më parë ky proces i tejzgjatur zgjedhor.

LDK me shqetësim të thellë është duke përcjellë presionin e jashtëzakonshëm që është duke iu bërë organeve të pavarura kushtetuese siç janë KQZ dhe PZAP, pjesëtarët e të cilave madje janë kërcënuar edhe “me burg” nga partia e kryeministrit Haradinaj dhe nga pjesëtarët e caktuar të kësaj qeverie, thuhet në  komunikatë.

Lidhja Demokratike e Kosovës këto veprime i konsideron si të papranueshme duke i vlerësuar edhe si veprime që cenojnë rëndë rendin kushtetues dhe demokratik në Republikën e Kosovës.

Njëherësh LDK vlerëson lart mbështetjen e qytetarëve të Istogut për kandidatin e saj Haki Rugova dhe paralajmëron se nuk do të lejojë me asnjë kusht që të cenohet integriteti i procesit zgjedhor, i cili sipas të gjitha vlerësimeve, ishte i rregullt, i lirë dhe demokratik.

Ndryshe, Haki Rugova në garën për rivotim për të parin e Istogut doli fitues me 14 vota më shumë se sa kundërkandidati i tij nga radhët e AAK-së, Gani Dreshaj.

Zgjedhjet në Istog janë përsëritur të dielën e kaluar pas parregullsive që kishte në garën e balotazhit, më 19 nëntor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat