MASHT anëtarësohet në "European Schoolnet"

Aktuale

MASHT anëtarësohet në "European Schoolnet"

Më: 17 dhjetor 2017 Në ora: 17:32
MASHT

Pas përgjigjes pozitive të Komitetit drejtues të Rrjetit të Shkollave Evropiane për anëtarësimin e MAShT, fillimisht si institucion observator, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka nënshkruar marrëveshjen për këtë qëllim.

Marrëveshja synon rritjen e bashkëpunimit dhe rrjetëzimin midis shkollave në Evropë duke përdorur teknologji të reja të informacionit dhe komunikimit dhe për të nxitur zhvillimin e dimensionit evropian në arsim. 

Po ashtu, kjo marrëveshje synon të kontribuojë në zhvillimin e të mësuarit teknologjik në shkolla duke shpërndarë shembuj të politikave dhe praktikave të mira dhe duke hetuar modele të reja për shkollim dhe mësim.

Gjatë takimit  në mes të përfaqësuesve te MAShT të kryesuar nga Valmir Gashi - zëdhënës, si dhe përfaqësuesve të European Schoolnet të kryesuar nga Marc Durando – drejtor ekzekutiv, është formalizuar bashkëpunimi dy palësh për t’i hapur rrugë institucioneve arsimore të Kosovës për zhvillim profesional, trajnime e shumë përfitime të tjera.

Përfaqësuesit e këtij rrjeti do të kenë së shpejti një takim një takim pune me zyrtarët e MASHT me ç'rast do të jepen udhëzimet për qasje në rrjetin European Schoolnet. 

Marrëveshja e rrjetit European Schoolnet me vendet anëtare është nënshkruar duke marrë parasysh rezolutën e Këshillit të 6 majit 1996 (OJ Nr. C 195, 6.7.1996, f.8) lidhur me softuerin multimedial arsimor në fushat e arsimit dhe trajnimit, si dhe Komunikimin (COM (96) 471 finale) nga Komisioni i Bashkimit Evropian në Këshill, Parlamentin Evropian, Komitetin Ekonomik dhe Social dhe Komitetin e Rajoneve, lidhur me Planin e Veprimit për një Iniciativë Evropiane të Arsimit "Mësimi në Shoqërinë e Informacionit".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat