Thaçi: Kosova bëri dy hapa të mëdhenj drejt ardhmërisë së sigurt

Aktuale

Thaçi: Kosova bëri dy hapa të mëdhenj drejt ardhmërisë së sigurt

Më: 16 dhjetor 2017 Në ora: 16:42
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Kosova bëri dy hapa të mëdhenj drejt ardhmërisë së sigurt në paqe e prosperitet këtë javë.

Sipas Presidentit Thaçi, hapi i parë ishte themelimi i Ekipit Përgatitor që do të përgatisë infrastrukturën teknike e ligjore për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, si hap përmbyllës i kapitullit të luftës.

“Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin synon që duke promovuar dialogun në mes të gjitha komuniteteve në Kosovë të arrijë pajtimin për dhimbjet e shkaktuara nga lufta dhe pajtimin që të mos përsëriten më kurrë ato vuajtje dhe shkatërrime”, ka shkruar ai në facebook.

Hapi i dytë sipas tij, ishte arritja e marrëveshjes për projektin “Kosova e Re”, që do të nënshkruhet nga palët më 20 dhjetor.

“Është ky investimi më i madh privat në historinë e Kosovës, prej rreth 1.3 miliardë euro, që do të krijojë 10.000 vende të reja të punës. Mbi të gjitha do të sigurojë pavarësinë energjetike të Kosovës dhe garantojë investimet e tjera në prodhim dhe ekonomi në përgjithësi. Janë hapa historikë që do të forcojnë paqen dhe prosperitetin për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke kontribuar kështu edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë. Kur kujtojmë se ku ishim dy dekada më herët, nuk mund të mos mburremi me të arriturat e popullit tonë dhe me përkushtimin për një shtet shembullor”, ka shkruar ai në facebook.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat