Korrupsioni kërcënim për zhvillimin e Kosovës

Aktuale

Korrupsioni kërcënim për zhvillimin e Kosovës

Më: 9 dhjetor 2017 Në ora: 15:07
Ilustrim

Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë kërcënim për shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Edhe përkundër rritjes së rasteve të trajtuara, korrupsioni në Kosovë ende mbetet në shkallë të lartë, sidomos në prokurim publik, shëndetësi, privatizim dhe kudo tjetër që paraqitet paraja publike.

Kështu është thënë në konferencën e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, me rastin e përmbylljes së javës kundër korrupsionit.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Abdulselami Shkodra, tha se në vitin e fundit luftimi i këtyre dukurive është ngritur 30 për qind, mirëpo, prapë korrupsioni paraqet kërcënim për Kosovën.

Shkodra: Korrupsioni dhe krimi i organizuar kërcënim për zhvillimin e Kosovës

“Megjithatë, korrupsioni dhe krimi i organizuar mbetet ndër sfidat dhe kërcënimet kryesore të shtetit të Kosovës në fushën e së drejtës, sundimit të ligjit dhe zhvillimit në përgjithësi. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në institucionet e Kosovës konsiderohet detyrë dhe përgjegjësi e vazhdueshme dhe e pandalshme që kërkon intensifikimin e aktiviteteve dhe veprimeve të nevojshme”, tha Shkodra.

Përfaqësuesja e ambasadës së SHBA-së në Kosovë, njiherit shefja e ICITAP-it, Kimberly Riffe, tha se korrupsioni është sëmundje që ndikon negativisht në çdo aspekt.

Riffe: Sundimi i ligjit është prioritet

“Sot 40 vjet më vonë se vazhdojmë të ngritemi kundër korrupsionit, korrupsioni është një sëmundje, e cila ndikon negativisht në çdo aspekt të jetës nga infrastruktura bazike e deri te niveli më i lartë qeveritar. Ambasada amerikane në Kosovë shpreh qëndrimin e saj se sundimi i ligjit është prioritet. Aktet kriminale sikurse korrupsioni duhet të adresohen me vendosmëri dhe forcimi i sundimit të ligjit është fokusi ynë kryesor. Duhet të ketë qasje nga e gjithë qeveria kundër korrupsionit, prokurorët, sistemi gjyqësor dhe institucionet e korrektimit të punojnë të bashkuara për të identifikuar dhe hetuar dhe të dënojnë kriminelët”, ka thënë ajo.

Përfaqësuesi i zyrës së BE-së në Kosovë, ka kërkuar miratimin e disa ligjeve, që sipas tij, janë kyçe në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, ai për prokurorin e shtetit dhe ligji për zgjerimin e fuqizimit të konfiskimit të pasurisë së palgjshme të miratohen nga Kuvendi.

Ndërsa, Riza Shillova nga Policia e Kosovës, ka paraqitur statistikat dhe aktivitetet e organizuara lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Megjithatë, ai theksoi se parandalimi dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit mbeten akoma një nga shqetësimet kryesore të tyre.

Shillova: Kemi hetuar 160 raste të veprës penale të korrupsionit

"Gjatë njëmbëdhjetë mujorit të këtij viti, ne kemi realizuar gjithsej 160 raste, respektivisht kemi hetuar 160 raste të veprës penale të korrupsionit, ku janë ngritur 113 kallëzime penale ndaj 245 personave. Ajo që përbën interes të veçantë për ne është hetimi i korrupsionit të profilit të lartë, dhe në këtë drejtim departamenti special Antikorrupsion, gjatë kësaj periudhe ka bërë 6 kallëzime penale ndaj 14 të dyshuarve për vepra penale të profilit të lartë të korrupsionit, janë ngritur 6 aktakuza kundër 18 të pandehurve dhe janë në proces të hetimit 40 raste të tjera”, theksoi Shillova.

Ai po ashtu foli edhe për format më të veçanta në të cilat paraqitet korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Kjo konferencë u organizua në kuadër të javës kundër korrupsionit 2017.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat