Beqaj tregon si do të shpenzohen 9.5 milionët e ministrisë

Aktuale

Beqaj tregon si do të shpenzohen 9.5 milionët e ministrisë

Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 14:26
Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka deklaruar se nga totali i buxhetit të parashikuar për vitin e ardhshëm prej 10 milionë euro, 9.5 milionë do të përdoren për përkrahje të inovacioneve dhe ndërmarrjeve private në tri shtylla kryesore, në edukim përmes bashkëpunimit me institucionet arsimore, infrastrukturën fizike dhe ligjore dhe në ndihma direkte në formë të subvencionimit.

Ai këto komente i bëri në takim përfaqësuesit e Bankës Botërore, të prirë nga Gloria La Cava, koordinatore e lartë e programit me bazë në Uashington, me të cilët ka biseduar në lidhje me mundësitë e bashkëpunimit.

Ministri Beqaj, me këtë rast shprehi gatishmërinë e tij për bashkëpunim me këtë institucion në fushat si, përkrahja e inovacioneve dhe ndërmarrësve, me fokus tek të rinjtë dhe gratë ndërmarrëse.

Sipas një komunikate të MIN, përfaqësuesit e Bankës Botërore në Kosovë u shprehen të kënaqur me themelimin e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Ata po ashtu u interesuan në lidhje me fushëveprimtarinë e Ministrisë, si dhe prioritetet e saj.

Në këtë kuadër, ministri Beqaj, i ka informuar mysafirët për objektivat e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë sa i përket përkrahjes së inovacioneve dhe ndërmarrësve, përmes fondit për inovacion dhe ndërmarrësi, i cili do të përdoret si mbështetje bazike që do të mundësojë rritjen e kapaciteteve prodhuese të ndërmarrësve privatë, në veçanti atyre që udhëhiqen nga të rinjtë dhe gratë.

Ministri Beqaj më tej ka theksuar se prioritet i Ministrisë është edhe themelimi i Qendrave të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, të cilat do të mundësojnë inkubimin e bizneseve, rritjen e kapaciteteve të tyre dhe përgatitjen për konkurrencë efikase me mundësi të eksportit.

“Nga totali i buxhetit të parashikuar për vitin e ardhshëm prej 10 milionë euro, 9.5 milionë do të përdoren për përkrahje të inovacioneve dhe ndërmarrjeve private në tri shtylla kryesore: në edukim përmes bashkëpunimit me institucionet arsimore, infrastrukturën fizike dhe ligjore dhe në ndihma direkte në formë të subvencionimit”, tha ministri Beqaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat