A do t’i financojë shteti bashkësitë fetare? Tregon deputetja Kajtazi

Aktuale

A do t’i financojë shteti bashkësitë fetare? Tregon deputetja Kajtazi

Më: 30 nëntor 2017 Në ora: 21:24
Lirije Kajtazi

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi, ka treguar më në detaje se çfarë përmban Ligji për Liritë Fetare, që dje ka kaluar në Kuvendin e Kosovës në lexim të parë.

“Ne në fakt plotësuam/ndryshuam një ligj që ka ekzistuar dhjetë vjet më parë”, ka thënë ajo.

“Është ofruar një ligj që bazohet në lirinë e besimit që garanton Kushtetuta, përkundër asaj që shumë ligje i harmonizojmë me ato të BE-së edhe pse legjislacioni i BE-së jo detyrimisht kërkon një gjë të tillë”, ka treguar Kajtazi.

“Duke dhënë shembullin e mirë të trajtimit të lirisë së qytetarëve kemi një ligj që njeh statusin juridik të etniteteve fetare, të atyre që kanë qenë të njohura, por me të drejtën e regjistrimit të bashkësive të reja, padyshim bazuar në kritere të caktuara”, ka thënë ajo.

Kajtazi ka treguar edhe se si është procedura e regjistrimit.

“Zyra që do të jetë pranë kryeministrit do te jetë ajo që do të bëjë pranimin e aplikimeve për regjistrim, bazuar në kritere të domosdoshme, një ndër to edhe që duhet të jetë shtetas i Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

“Pra ka të drejtë të regjistrohet dhe të ushtrojë lirinë e besimit por Ligji precizon që duhet të jetë shtetas i Kosovës”, është shprehur Kajtazi.

“Megjithatë të gjithë kanë të drejtë lirinë e besimit pa detyrimin e regjistrimit”, ka theksuar ajo.

Deputetja e LDK-së ka treguar edhe sesi do të financohen bashkësitë fetare në Kosovë.

“Një status juridik që nxjerr për ta obligime, kërkon kritere, kanë të drejtë të gëzimit të fondeve dhe kanë të drejtën e regjistrimit të bashkësive të veta edukative, bamirësi dhe çështje tjera”, ka thënë Kajtazi.

“Të gjitha veprimtaritë e tyre duhet t’i nënshtrohen ligjeve të Kosovës pra në këtë aspekt, lejohen të veprohen brenda kushtetueshmërisë së Kosovës”, ka shtuar ajo.

“Bashkësitë fetare anë të drejtë të gëzojnë fonde të ndryshme por shteti nuk e financon drejtpërdrejtë asnjë bashkësi por vetëm me projekte të veçanta në formë të caktuar mund të bëjë një gjë të tillë”, ka thënë deputetja e LDK’së.

“Ideja jonë është që shteti nuk financon në mënyrë të drejtpërdrejtë, por përmes donancioneve ose formave të tjera që kontrollohen”, ka shtuar Kajtazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat