Komisioni i Bulliqit e ka përfunduar raportin e demarkacionit

Aktuale

Komisioni i Bulliqit e ka përfunduar raportin e demarkacionit

Më: 30 nëntor 2017 Në ora: 15:04
Foto ilustrim

Komisioni për Demarkacionin shpejt pritet të dalë me rezultatet e gjetura për këtë çështje, pasi puna e tyre tashmë ka përfunduar. Florim Isufi, anëtar i këtij Komisioni, ka thënë se tashmë raporti është kryer, derisa pritet një dakordim në mes të Shpejtim Bulliqit dhe kryeministrit për të caktuar ditën se kur të bëhet publik.

Komisioni për shënjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi e ka përmbushur një muaj afat kohor, periudhë kjo që u ishte caktuar nga Qeveria, për të analizuar dhe për të gjetur fakte të reja që fliten për kufirin në mes të shtetit malazez dhe atiij të Kosovës.

Florim Isufi, njëri nga anëtarët e këtij Komisioni që kryesohet nga Shpejtim Bulliqi, tha të enjten se tashmë 99,9 për qind e punës ka përfunduar, por ky raport ende nuk i është dorëzuar Qeverisë "Haradinaj".

“Ende nuk është dorëzuar. Raporti është i përfunduar dhe mbetet mes kryetarit të Komisionit dhe kryeministrit që të caktohet dita, pothuajse 99,9 për qind ka përfunduar: u shpreh Isufi, derisa nuk dha detaje të tjera rreth raportit.

Kohë më parë, anëtarët e këtij Komisioni, e kanë njoftuar kryeministrin e vendit Ramush Haradinaj për punën e tyre të deritashme në mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave nga burimet e ndryshme, nga terreni si dhe nga takimet e punës të zhvilluara gjatë javës së kaluar në Republikën e Kroacisë dhe të Sllovenisë, me qëllim të sigurimit dhe verifikimit të të dhënave faktografike, konsultimeve dhe shkëmbimeve të përvojave me zyrtarët relevantë të këtyre shteteve.

Po ashtu, ky Komision foli rreth punës së tyre edhe para Komisioni të Integrimeve Evropiane, por që mori shumë kritika nga deputetët aty.

Ata thanë se asgjë e re nuk u prezantua, derisa anëtarë të Komisionit për Demarkacionit e sqaruan se në prezantimin e tyre para deputetëve u bë vetëm analiza për punën e komisionit "Meha" dhe jo sjellja e fakteve të reja për çështjen e demarkimit.

Kritika për punën e tyre bëri edhe kreu i Shtetit, Hashim Thaçi. Ai tha se u bë shumë zhurmë për asgjë. E hiç më larg se disa ditë më parë, edhe ish-kryeministri Isa Mustafa tha se AAK-ja çështjen e shënimit të kufirit me Malin e Zi e ka pasur kauzë të rrejshme dhe se, sipas tij, tash duhet ta pranojnë se ka qenë e tillë. 

Siç u shpreh ai, nëse mund të vërtetohet se kufiri është në Zhlep, LDK-ja do ta votojë Demarkacionin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat