Rrëfimi i Fatmir Limajt për autostradën, aeroportin, ‘gjyqin publik’ dhe planet për bankë të Kosovës

Aktuale

Rrëfimi i Fatmir Limajt për autostradën, aeroportin, ‘gjyqin publik’ dhe planet për bankë të Kosovës

Më: 24 nëntor 2017 Në ora: 22:50
Fatmir Limaj

Kryetari i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se puna që ka bërë me aeroportin, autostradën për Shqipëri janë ekzemplarë të përkushtimit për të bërë diçka në të mirë të vendit.

Në Zona e Debatit, ai ka deklaruar se janë munduar që ta pengojnë me çdo kusht në realizimin e këtyre projekteve, dhe se kanë arritur që ta pengojnë idenë e tij për ta krijuar një bankë të vendit, për të përkrahur zhvillimin ekonomik.

“Bechtel Enka është zgjedhur se ka qenë më e lirë, më e favorshme. Bile amerikanët na kanë ofruar edhe kredi prej 300 milionë eurosh, me interes krejt të vogël për këtë gjë. Ka qenë ofrta më e mirë, ndër të gjitha. Ata nuk kanë besuar se në një vend të vogël si Kosova do të negociojnë një kontratë për katër muaj. Kjo është kontrata më e mirë e mundshme. Por ka njerëz që nuk kanë informata për këtë gjë dhe ia fusin krejt kot. Unë ndjehem krenar për ndërtimin e kësaj autostrade dhe për atë që kam bërë me aeroportin”.

“Ne kemi bërë revolucion në ndërtimin e rrugëve në Kosovë. Dhe kjo gjë ju ka penguar plot njerëzve. Bile unë kam pasur edhe një projekt tjetër, për të krijuar një bankë tonën, që sot do të kishte pasur dy a tre miliardë euro. Edhe këtë projekt e kanë ndalur. Unë sa isha për shërimin e gruas në Turqi, dhjetë ditë, brenda kësaj kohe e ndërruan Ligjin për Ndërmarrjet Publike, duke ia lënë në domen këtë gjë Ministrisë së Financave. Kështu vdiq ideja ime për një bankë tonën”.

“Unë jam bastisur në shtëpi pa urdhër gjykate. Kjo është shkelje fondamentale e të drejtave të njeriut. Kanë ardhur e më kanë bastisur, por kanë pasur kohë për t’i njoftuar mediat se ajo do të ndodhte. Ata kanë abuzuar rëndë me detyrën e tyre. Qëllimi i tyre ka qenë që të largohem unë nga skena. Kur e kam parë letrën për çka më kanë bastisur, kam mbetur i habitur. Pastaj filloi gjyqi publik, sepse unë s’e kam pasur problem gjyqin institucional”.

“Kur e panë që nuk ka asgjë në ministri, u futën në familje. Edhe tiketat e rrobave që djali i ka blerë janë të fotografuara. Bile kanë shkuar edhe në Zvicër, me fjalë të dikujt, për të shikuar mos kam shtëpi atje. Dhe janë turpëruar atje. Unë kam thënë që nëse gjendet që vetëm një cent e kam keqpërdorur, në shesh do ta pranoj. Por nuk ka të tillë, sepse kam punuar me shpirt e zemër për këtë gjë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat