Kryetarja e Speciales në Prishtinë, tregon se kë do ta ndjekë kjo Gjykatë

Aktuale

Kryetarja e Speciales në Prishtinë, tregon se kë do ta ndjekë kjo Gjykatë

Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 14:22
Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatësja Ekaterina Trendafilova

(E plotësuar) - Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatësja Ekaterina Trendafilova, gjatë vizitës së saj në Kosovë, në takim me përfaqësues të shoqërisë civile, tha sot se ende nuk ka ndonjë aktakuzë dhe se cak i gjykatës nuk janë organizatat, por individë të cilët kanë kryer krime gjatë dhe pas luftës.

Ajo tha se ligji është shumë i qartë dhe flet për përgjegjësi individuale të kujtdo që ka kryer krime brenda territorit.

Trendafilova: Dhomat e specializuara bëjnë drejtësinë në mënyrë të pavarur

“Dhomat e specializuara janë themeluar për të adresuar pretendimet për krime kundër njerëzimit, po ashtu dhe krimet e luftës, duke siguruar gjykime të drejta dhe të paanshme. Mandati i dhomave të specializuara, është që të ndiqen dhe të gjykohen rastet kundër individëve dhe jo kundër organizatave, dhe entiteteve. E treta, dhomat e specializuara përpiqen për efikasitet, transparencë dhe për paanshmëri”, tha ajo.

 Ndërsa shtoi, se qëllimi i tyre është që dhomat e specializuara, të shihen si dritë e pavarësisë, në të cilat nuk ka ndërhyrje nga politika.

Trandafilova: S’ka ndërhyrje, gjyqësori nuk shkon së bashku me politikën 

“Do të donim të siguronim që dhomat e specializuara të shihen si drite e pavarësisë, e  paanshmërisë dhe drejtësisë, dhe nuk do të këtë ndërhyrje politike. Gjyqësori nuk shkon së bashku me politikën. Pra, nëse dikush mendon se kjo mund të arrihet, gjyqtarët e dhomave të specializuara nuk janë adresa e duhur për këtë. Dhe do të jemi mbrojtje për sigurinë e dëshmitarëve dhe viktimave. Për të drejta fundamentale të akuzuarve”, tha ajo dhe shtoi se përkundër raportimeve në media të ndryshme, ende nuk ka aktakuza.

Trandafilova: Nuk ka aktakuza

“Ta bëjë të qartë, sepse kam përcjell shtypin, ku janë disa këndvështrime që po vijnë, për arsye se ka aktakuza. Iu them me sinqeritet të plotë, se nuk ka aktakuza aktualisht. Ende jemi duke pritur prokurorin, që t’i kryejë detyrat e tij, si në çdo sistem tjetër, prokuroria është forca shtytëse e saj”, tha ajo.

Në këtë takim informues lidhur me dhomat e specializuara, Trendafilova tha se rregullorja për dëshmi ka hyrë në fuqi më 5 korrik  të këtij viti dhe se prej 5 korrikut dhomat e specializuar janë plotësisht funksionale dhe janë të gatshme  që atëherë të fillojnë me procedura gjyqësore, nëse ngritën nga prokurorët. Ajo ka folur dhe sa i përket mbrojtjes së dëshmitarëve, e cila tha se kjo fushë ka rëndësi të jashtëzakonshme.

Trandafilova: Mbrojtja e dëshmitarëve me rëndësi të jashtëzakonshme

“Kushdo që vendos të kërcënojë dëshmitarët, apo që të jap mito, ta parandalojë apo të krijojë probleme për dëshmitarin, apo anëtarët e familjes së tij, nuk është e mundur. Prokurori është i obliguar që të fillojë menjëherë hetimet lidhur me këtë dhe ky do të mund të ishte një hetim kundër të akuzuarit, që është sjell para drejtësisë, që përveç akuzave kundër njerëzimit apo krimeve të luftës, personi mund të përballet dhe me akuza për krime kundër administrimit të drejtësisë”, tha ajo.

***

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë, përveç takimit me përfaqësues të shoqërisë civile, ka folur për strukturën, zhvillimet më të fundit ligjore dhe punën e Dhomave të Specializuara.

Ngjarja e sotme, sipas saj, është e një rëndësie të madhe që të vendoset besimi në proceset që do t’i marrë Dhoma e Specializuar, pa ndonjë ndërhyrje apo favor ndaj dikujt.

Trendafilova ka thënë se dhomat e specializuara janë të pavarura dhe nuk do të ketë ndërhyrje politike.

“Gjyqësori nuk shkon me politiken. Nëse mendon dikush që mund ta bëjë këtë atëherë nuk e ka adresën e duhur. Do të jemi në mbrojtje për dëshmitarët dhe viktimat. Nuk ka aktakuza aktualisht. Jemi duke pritur prokurorin që të kryejë detyrat e tij”, është shprehur ajo.

Trendafilova, në vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë thotë së ky është një takim i veçantë.

“Dhomat e specializuara janë krijuar që të hetojnë krimet e luftës për të siguruar gjykime të drejta, pra të ndiqen dhe gjykohen individë dhe jo organizata. Dhomat e Specializuara e respektojnë barazinë për të drejtat e viktimave”, ka thënë Trendafilova para gazetarëve. 

Ajo ka theksuar se është arritur pajtimi që dhomat e specializuara të vendosen në një shtet të tretë dhe që stafi dhe gjyqtarët të jenë ndërkombëtar.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, në vizitën e saj të parë në Kosovë, është zotuar se kjo gjykatë do të ndajë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe të pavarur.

Ajo ka konfirmuar se ende nuk ka asnjë aktakuzë të ngritur ndaj ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i demantuar njoftimet që jepen kohë pas kohe në media dhe opinion.

Në një adresim të saj para përfaqësuesve të shoqërisë civile, ajo ka dhënë detaje lidhur me funksionimin e kësaj gjykate, duke thënë se arsyeja e vizitës së saj në Kosovë është që të arrihet mirëkuptimi dhe besimi lidhur me punën e gjykatës.

“Dhomat e Specializuara janë themeluar për të adresuar pretendimet për krimet kundër njerëzimit dhe po ashtu edhe krimet e luftës, duke siguruar gjykime të drejta të dhe të paanshme”, ka thënë ajo.

“Mandati i Dhomave është që të ndiqen dhe të gjykohen rastet kundër individëve dhe jo kundër organizatave apo entiteteve”, ka nënvizuar Trendafilova.

Ajo ka shtuar se Dhomat e Specializuara do t’i kushtojnë rëndësi të veçantë mbrojtjes së të drejtave të dyshuarve, viktimave dhe dëshmitarëve të mbrojtur.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova po qëndron ën Kosovë me Administratoren e Dhomave të Specializuara, Fidelma Donlon.

E njohur me emrin Gjykata Speciale për krime lufte, mandati i saj përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve, që përfshinë periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.

Selia e kësaj Gjykate është në Hagë, ku Mbretëria e Holandës ka ratifikuar Marrëveshjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Nga data 6 korrik, është konfirmuar se këto Dhoma mund të procedojnë edhe me arrestimet dhe gjykimet eventuale.

Gjykata Speciale ka nxitur debate të ashpra në Kosovë. Përderisa një pjesë e spektrit politik e konsideron atë të padrejtë dhe të njëanshme, pasi që do të hetojë vetëm krimet e supozuara të pjesëtarëve të UÇK-së, pjesa tjetër e spektrit që ka mbështetur edhe ndryshimet ligjore e kushtetuese për punën e kësaj Gjykate, ka vlerësuar se me gjykimet që priten, nuk atakohet lufta e UÇK-së por individët.

Gjykatësja Trendafilova takon shoqërinë civile (Drejtpërdrejt)

Në kuadër të vizitës së saj të parë në Kosovë si kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatësja Ekaterina Trendafilova së bashku me Administratoren e Dhomave të Specializuara, Fidelma Donlon, po takohet me përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.

Gjatë veprimtarisë informuese, kryetarja dhe administratorja do të prezantojnë strukturën, zhvillimet më të fundit ligjore dhe punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Pas prezantimit, do të vijë një seancë pyetje-përgjigjesh me përfaqësues të shoqërisë civile.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat