VV tregon arsyet e bashkëpunimit me LDK-në për rrëzimin e Qeverisë

Aktuale

VV tregon arsyet e bashkëpunimit me LDK-në për rrëzimin e Qeverisë

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 22 nëntor 2017 Në ora: 07:49
Albulena Haxhiu

Lëvizja Vetëvendosje është e konsoliduar në përpjekje për t’i dhënë fund Qeverisë Haradinaj, por pret që angazhim të ketë edhe nga pjesa tjetër e opozitës dhe qytetarët. Qeveria e Republikës se Kosovës në krye me Ramush Haradinaj, po shihet si qeveri e cila shumë shpejt mund të rrëzohet, pasi që Haradinaj vetëm për apetitet e tij, sipas tyre, ka bërë pazare të shumta.

Haxhiu: Duhet angazhim i përbashkët i opozitës dhe qytetarëve për rrëzimin e Qeverisë

Image
Albulena Haxhiu

Deputetja e Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë për “Bota sot” se ka shumë arsye për t’u angazhuar në rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

“Shpresoj që tashmë edhe apetitet e kryeministrit Haradinaj janë shuar, sepse vetëm e vetëm për t’u bërë kryeministër ishte në gjendje të bënte pazare të shumta, si ato ndërmjet koalicioneve, por po ashtu edhe pazaret e rrezikshme me Serbinë. E kam thënë edhe më parë po e përsërisë prapë, prej momentit kur është votuar Qeveria e Haradinajt, ditët i ka të numëruara” ka thëne ajo.

Sipas Haxhiut, ka shumë arsye pse duhet larguar këtë qeveri. Ajo ka theksuar se, s’ka asnjë te vetmen arsye pse duhet mbajtur në krye të institucioneve të vendit Haradinaj.

“Kosova dhe qytetarët, për fatin e keq duhet të durojnë edhe ca muaj. Qeveria e re më mendësi të vjetër nuk ka çfarë i duhet vendit dhe qytetarëve. Besoj që duhet angazhim i përbashkët i opozitës dhe qytetarëve” ka thëne Albulena Haxhiu nga Vetëvendosjes.

Image
Nexhat Haziri

Kurse, sipas njohësit të çështjeve politike në vend Nexhat Haziri arsyeja e parë është ngase çdo parti opozitare kërkon apo synon shkurtimin sa më të shpejtë të jetës së qeverisë, dhe në rastin e qeverisë aktuale.

Arsyet e shumta

Ai ka shtuar se, ka arsye të shumta që kanë mobilizuar partitë opozitare, pra jo vetëm VV-në, që sa më parë ky koalicion qeveritar të rrëzohet.

Pra, arsyet sipas Hazirit janë të shumta, siç është izolimi i vendit dhe i qytetarëve , për shkak mungesës së veprimit të qeverisë në plotësimin e kritereve që janë vënë, siç është demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, qeverisja në bazë fisnore e partiake, pa marrë parasysh fare kriterin profesional, përgatitjen adekuate arsimore për resorët në të cilët emërohen personat e caktuar, shtimi i ministrive si dhe emërimi i z/ministrave pa asnjë kriter, vetëm sa për të kënaqur interesat e grupeve të ngushta klientaliste, mënyrë kjo e qeverisjes e cila do të dëmton në masë të madhe edhe buxhetin e Kosovës.

“Po ashtu, sipas kësaj logjike të qeverisjes ne do të jemi dëshmitarë të një regresi në të gjitha sferat e jetës në Kosovë. Ne vetëm dëshmojmë deklarata nga zyrtarë të lartë të qeverisë si i përket formimit të Ushtrisë së Kosovës, por nuk japin asnjë ide se si do të tejkalohet pengesa e quajtur Lista serbe sa i përket këtij procesi, tutje se çfarë do behët me çështjen e Trepçës, që përsëri do të dërgojë partitë shqiptare të koalicionit në përplasje  me partnerin  tjetër të  koalicionit, Lisën serbe, dhe po ashtu në ngecje të përmbushjes së obligimeve që dalin nga agjenda evropiane për integrim dhe anëtarësim ne institucionet euro-perëndimore. Elementi tjetër që për mua është shumë me rëndësi, është se imazhi i Kosovës është shumë fragjil në arenën ndërkombëtare, dhe këtë imazh nuk mund ta përmirësojnë as presidenti , as kryeministri apo krye parlamentari aktual. Pra, e konceptuar në këtë format dhe logjika qeverisëse e këtij koalicioni, janë  tregues se rrëzimi i kësaj qeverie, është shumë i arsyeshëm. Sa më shpejt aq më mirë” ka thenë Haziri.

Mungesa e vendimeve të mëdha

Image
Faton Mehmeti

Kurse, sipas analistit politik  Faton Mehmeti, Qeveria Haradinaj nuk ka jetë të gjatë, pasi që sipas tij s’po arrinë të merr vendime në emër të se cilave ka ardhur në pushtet.

“Duket se VV dhe LDK e kanë kuptuar se është i pashmangshëm bashkëpunimi mes tyre, kështu që kanë filluar të përgatisin planin e përbashkët qeverisëse. Kjo qeveri do bie në pranverë, me koalicionin LDK-VV që do formojnë qeverinë e ardhshme. Ky është koalicion i shpresës, i cili do të përshpejtonte proceset duke i dhënë fryme dinamikës se proceseve. Koalicioni i ardhshëm VV-LDK do të shkatërrojë koalicionin e krimit PAN” ka thënë Mehmeti.

Image
Rexhep Shahu

Ndërkaq, Rexhep Shahu, analist politik ka thënë se konflikti po qartësohet.

“Dy linja përvijohen në politiken e Kosovës, një linje e pastër pro amerikane më mbështetje të qartë amerikane dhe një linje tjetër enveriste e mbështetjes në forcat e veta për ta ndërtuar socializmin, duke lënë hapur derën për mbështetje nga tjetërkush, por jo nga Amerika.  Kosova si një projekt fund e krye amerikan bazuar në aspiratat shekullore të shqiptareve, nuk lejohet të shkatërrohet nga enveristë të rinj veshur me petka nacionaliste që janë ne fakt internacionalistë leninistë e çfarë të duash por që duan pushtetin më shumë se çdo gjë tjetër, Kosova vjen e dyta a e treta si prioritet pas pushtetit që duan” ka thënë Shahu”, ka përfunduar Rexhep Shahu.  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat