Thaçi: Kosova dëshiron ta mbyllë kapitullin e armiqësisë me Serbinë

Aktuale

Thaçi: Kosova dëshiron ta mbyllë kapitullin e armiqësisë me Serbinë

Më: 13 nëntor 2017 Në ora: 20:50
Hashim Thaçi

Mbrëmjen e së hënës është bërë hapja zyrtare e Konferencës rajonale të sigurisë “NATO dhe Ballkani Perëndimor: Dinamikat rajonale në periudhën e sfidave globale të sigurisë”, ku presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se Kosova është shembulli më i mirë i reagimit të NATO-s ndaj sfidës më të madhe të sigurisë për periudhën e vitit 1999 në Evropë.

Thaçi u shpreh se populli i Kosovës dëshiron ta mbyllë kapitullin e armiqësive me Serbinë dhe se Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që kohë më parë lansoi dialogun  për pajtim historik mes shqiptarëve dhe serbëve, përmes krijimit të Komisionit për paqen dhe të vërtetën.

Ndërkaq, presidenti nuk la pa përmendur edhe shndërrimin e Forcave të Sigurisë të Kosovës në Forca të Armatosura, gjë që sipas tij do të bëhet duke siguruar mbështetje për ndryshimet kushtetuese.

Thaçi: Duam ta mbyllim kapitullin e armiqësive me Serbinë

“Përkundër tragjedisë së madhe që na është shkaktuar në kohë të luftës, ne si politikanë të vendit dhe unë si president i Kosovës, duam ta mbyllim kapitullin e armiqësive me Serbinë, duke normalizuar përmes dialogut të Brukselit marrëdhëniet me këtë shtet fqinj. Së shpejti ne synojmë, që duke siguruar mbështetjen për ndryshimet e Kushtetutës për transforimimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, ne do të krijojmë në parteritet të plotë me SHBA-të dhe NATO-n, Forcat e Armatosura të Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, viti i ardhshëm mund të jetë detirminues për perspektivën euroatlantike të shteteve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa në këtë rrugë rol të rëndësishëm luan aftësia, guximi dhe gatishmëria e vet shteteve respektive për të tejkaluar problemet e hapura ndërmjet tyre.

Ndërsa ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Diplomaci Publike, Tacan Ildem në fjalën e tij, vlerësoi të rëndësishëm faktin se presidenti Thaçi theksoi nevojën për ndryshime kushtetuese për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

Tutje ai tha se NATO mbetet e përkushtuar në stabilitetin e rajonit të vendeve të Ballkanit, vende të cilat sipas tij, nëse duan, do të jenë të integruara dhe në bashkëpunim euroatlantik.

Ai shtoi se bota po përballet me një ambient kompleks dhe me  kërcënim të terrorizmit  ndërkombëtar, gjë që kërkon mekanizma të ri mbrojtës.

Idlem: Rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla është duke u cenuar

“Ne dhe të mbështesim aspiratat euroatlantike të vendit të rajonit. Vlerat demokratike, sundimi i ligjit dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, janë jetike për stabilitetin rajonal. Ne e shohim të ardhmen e rajonit në një bashkëpunim euroatlantik dhe integrim dhe në integrim për ata që e duan këtë gjë. Ne sot jetojmë në një ambient kompleks të sigurisë, në të cilën rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla është duke u cenuar. Ne po përballemi me terrorizëm ndërkombëtar, me implikimet në fushën e sigurisë që kanë valët e migrimit dhe fenomene tjera despabilizuese. Zona jonë e rehatisë është duke u tkurrur dhe kërkon mekanizma të ri mbrojtës”, theksoi ai.

Konferenca “NATO dhe Ballkani Perëndimor - Dinamikat rajonale në epokën e sfidave të sigurisë globale” do të mbahet në Prishtinë dhe fillon punimet nesër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat