‘Thaçi mban primatin për dialog me Serbinë’

Aktuale

‘Thaçi mban primatin për dialog me Serbinë’

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 2 nëntor 2017 Në ora: 16:56
Hashim Thaçi

Duke folur rreth asaj se përse presidenti i vendit Hashim Thaçi gjithnjë është kritik ndaj BE-së, dhe se për çfarë formati të dialogut me Serbinë po angazhohet Qeveria e Kosovë, njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani ka thënë për “ Bota sot”, se Thaçi dhe Qeveria e Kosovës, gjithmonë kanë pasur opinione të ndryshme.

Sipas tij, kryeministri Ramush Haradinaj kërkon dialog me një format jo të qartë, përderisa presidenti Thaçi vazhdojë dhe përfundojë sa më parë dialogun.

“Konsiderojë se dialogu sa më parë duhet të përfundojë me një rezultat të bisedave të deritashme pa humbje kohe. Thaçi dhe Haradinaj kanë marrëveshje të mos përzihen njëri-tjetrit në tema, sepse Thaçi mban primatin për dialog me Serbinë. Haradinaj është jashtë loje për shumë arsye që dihen ndërkombëtarisht, dhe ai nuk do të ketë qasje në këtë temë.  Thaçi është i zemëruar për shkak të mos liberalizimit të vizave dhe Gjykatës Speciale, pasi e ndien vetën jo të sigurtë as politikisht e as në aspektet tjera kundrejt kësaj Gjykate”, ka thënë Burjani.

Ai ka theksuar se kryeministri i përkohshëm nuk do të ketë asgjë në dorë e as në mbikëqyrje në lidhje me këtë temë.

“Është e çuditshme gjoja ai do të përgatitë një analizë për marrëveshjet e deritashme me Serbinë, edhe pse dihet se ai asnjëherë nuk ishte pjesë e dialogut pos që ishte marr me prapavijë dhe gjërat tjera politike”, është shprehur Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat