Arsimi në Kosovë në krizë të thellë

Aktuale

Arsimi në Kosovë në krizë të thellë

Më: 1 nëntor 2017 Në ora: 10:46
Pamje nga konferenca

(E plotësuar) - Ministria e Arsimit ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me dhjetë organizata bashkëpunëtore me rastin e lansimit të fushatës “Të gjithë së bashku për arsim më të mirë në Kosovë”, ku me këtë rast ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyçi ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të ndaj më shumë buxhet për ngritjen e cilësisë së arsimit në vend.

Ndërkaq ky memorandum i mirëkuptimit tregon zotimin e MASHT-it që të kryej detyrat e veta në ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë.

Ministri Bytyqi tha se Ministria e Arsimit ka bërë një varg reformash në të kaluarën dhe ka prodhuar një varg dokumentacionesh shtesë në mënyrë që Kosova të ketë arsim sa më cilësor dhe me standarde evropiane, mirëpo për të vazhduar në progresin sipas tij, nevojitet mobilizim i përgjithshëm.

Bytyçi: MASHT do të angazhohet në përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë

“Në aspektin e Ministrisë së Arsimit ne do të bëjmë përpjekje që së bashku me partnerët, të krijojmë një bashkëpunim të sinqertë që të bëjmë më të mirën e mundshme për edukimin e të rinjve, për të mirën e vendit, për të mirën e zhvillimit të perspektivës së vendit tonë. Gjatë viteve në vijim MASHT do të angazhohet të kemi tekste më të mira shkollore dhe hapësira më të mjaftueshme për të realizuar procesin e mësimit tërë ditor. Ndërkaq, unë si ministër do të jem këmbëngulës të kërkoj nga Qeveria e Republikës të Kosovës që të ndajë më shumë buxhet për arsimin, që të bëjë më prioritet arsimin, jo vetëm në mënyrë deklarative, por vërtet të jemi në realitetin e sotëm. Arsimi ka nevojë që të jetë prioritet në vendin tonë.. Nëse kështu do të jemi të vendosur së bashku, arsimi do të fillojë të jetë ai të cilin e presim dhe dëshirojmë të jetë në Kosovë”, tha Bytyqi.

Ai ka folur edhe për testin PISA, për të cilin theksoi se ky rezultat ka treguar që duhet të ndryshojë cilësia e arsimit në Kosovë, duke bërë që Kosova të ketë njëherë e përgjithmonë standarde më të mira.

Për këtë ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt tha se rezultatet e PISA-s janë brengë për gjithë komunitetin dhe se duhet angazhimi i  të gjithë aktorëve për përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Ai shtoi se ndjehet i impresionuar nga fushëveprimi i të gjitha palëve për ta bërë një hap përpara drejt kësaj çështjeje, përderisa shtoi se Gjermania zotohet për një bashkëpunim më të ngushtë.

Heldt: Jam i sigurt se MASHT do të punojë për arsim sa më cilësor

“Për ta treguar këtë përkushtim, ne si Gjermani zotohemi për të bashkëpunuar më ngushtë dhe i ftojmë të gjitha palët që të marrin zotimin për veprim dhe të bëjnë hapat e parë për arsim më të mirë për mirë për fëmijët tanë. Jam i bindur se Qeveria dhe para së gjithash MASHT dhe të gjitha palët do t’i marrin këto kërkesa lidhur me këtë kampanjë në mënyrë serioze”, theksoi ai.

E kampanjën e sotme e ka quajtur vetëm pikënisje të ngritjes së cilësisë së arsimit udhëheqësi i ekipit GIZ/CDBE Boris Scharlowski, i cili me këtë rast shtoi se kjo çështje ka nevojë për angazhim afatgjatë.

Sipas tij, arsimi është një përgjegjësi e përbashkët dhe progresi mund të jetë i arritshëm nëse Qeveria e Kosovës e bënë prioritet arsimin në Kosovë, duke rritur njëkohësisht buxhetin publik i cili do të shpenzohej në këtë fushë, ku shtoi se arsimi i sotëm formëson të ardhmen e Kosovës dhe kjo ndikon në përmirësimin e situatës ekonomike.

Scharlowski: Qeveria duhet të bëjë prioritet çështjen e arsimit në Kosovë

“Arsimi nuk është vetëm e drejtë njerëzore, por ka nevojë për përkushtim më të madh. Dhe kjo është arsyeja pse MASHT bashkë me donatorët kryesorë, OJQ-të, bëjnë përpjekje për të përmirësuar cilësinë në arsim dhe t’i bashkojnë forcat për kampanjë më të mirë... 18’37” Sot është pikënisja dhe natyrisht kërkon një angazhim afatgjatë. Dhe kjo mund të ndodhë nëqoftëse Qeveria e Kosovës e bënë arsimin prioritet, kjo do të thotë që të rrisë buxhetin. Një rritje prej 2 përqind për kokë banori, do të sigurojë se brenda 5 viteve Kosova të arrijë shpenzimet e OSBE-së. Rritja e këtij buxheti publik do të duhet të përkthehet në cilësi më të mirë duke i shpenzuar paratë në trajnimin e mësimdhënësve dhe në tekstet konkurruese mësimore”, tha ai.

Me këtë rast është shfaqur edhe premiera e videos së parë të kësaj fushate“Arkitektja e Ardhshme e Kosovës”, ndërkaq në kuadër të saj do të ketë edhe aktivitete të tjera gjatë ditës së sotme.

***

Sektorët më vital siç janë ekonomia, arsimi dhe shëndetësia janë sektorët që janë lënë anash në Kosovë.

Kështu tha sot drejtori i KFOS-it Luan Shllaku në tryezën “Çështjet që e frenojnë zhvillimin në Kosovë", organizuar nga Forumi 2015.

Sipas Shllakut qëllimi i këtij forumi është t’i ndihmojë politikanët me analizat që janë bërë.

“ Besoj se këto analiza do t’i prijnë agjendën qeveritare për t’i kthyer këta sektorë aty ku e kanë vendin” tha Shllaku.

Për analisten e politikave arsimore Besa Shahini, nuk ka asnjë  dilemë që arsimi në Kosovë është në një krizë të thellë.

“Është kriza më ë madhe prej së është themeluar arsimi. Nëse sistemi i arsimit nuk i aftëson nxënësit për ta kuptuar tekstin e shkruar kemi problem në përgatitjet e fëmijëve. Është një krizë e thellë e arsimit para universitar. Edhe nxënësit e varfër dhe ata të pasur të gjithë kanë dal keq në testin PISA. Sistemi po i dështon të gjithë. 10 vitet e fundit është trefishuar numri i studentëve ndërsa janë marrë një numër i mësimdhënësve pa përvojë. Kemi inflacion diplomash por jo cilësi”, tha Luzha.

Sipas saj arsyeja pse kanë mbërri në këtë pikë janë tre faktorë,  faktori historik, planifikimi i dobët dhe buxheti i ulët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat