Thaçi: Duhet të punohet që edhe Kosova të bëhet pjesë e NATO-s

Aktuale

Thaçi: Duhet të punohet që edhe Kosova të bëhet pjesë e NATO-s

Më: 27 tetor 2017 Në ora: 17:59
Pamje nga takimi

Zëvendës sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller, tha sot se NATO mbetet e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajon.

Ajo gjatë takimit me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, tha se KFOR-i do të qëndrojë në Kosovë për aq gjatë sa të jetë e nevojshme.

Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova i është gëzuar anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe e mirëpret mundësinë që edhe Maqedonia të hyjë sa më parë në NATO.

“Sa më parë rajoni ynë bëhet pjesë e NATO-s, aq më e qëndrueshme do të jetë paqja në rajon”, tha Thaçi.

Duke folur për transformimin e FSK-së, presidenti Thaçi u shpreh se po punohet në implementimin e të gjitha kritereve që duhet plotësuar që FSK të transformohet në Forcat e Armatosura të Kosovës.

“Jemi duke zhvilluar një proces gjithë-përfshirës të konsultimeve dhe të informimit. Do të shterim të gjitha mundësitë që transformimi të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve të Kosovës”, tha presidenti Thaçi.

Ai u shpreh se roli i NATO-s në Kosovë dhe rajon është i pazëvendësueshëm, por duhet të punohet edhe që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat