SHBA do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjitha proceset

Aktuale

SHBA do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjitha proceset

Më: 25 tetor 2017 Në ora: 17:08
Ramush Haradinaj në takim zëvendës ndihmës sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Hoyt Brian Yee

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim zëvendës ndihmës sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Hoyt Brian Yee, me të cilin zhvilloi bisedë të përzemërt dhe miqësore.

Haradinaj vlerësoi lart përkrahjen e SHBA-së për Kosovën në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe tha se roli i vazhdueshëm i SHBA-së në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon e më gjerë është jetik. Ai tha se ruajtja dhe kultivimi, si dhe thellimi i marrëdhënieve të miqësisë së përhershme me SHBA-në për Kosovën është i një rëndësie të veçantë.

Haradinaj e njoftoi Hoyt Brian Yee me zhvillimet në Kosovë dhe dinamikën e përcaktuar në çështjet e brendshme, me theks të veçantë në fushën e sundimit të ligjit dhe në zhvillimin ekonomik të vendit si dhe angazhimin në përmbushjen e kritereve në procesin e integrimeve euro-atlantike.

Haradinaj theksoi se Kosova është e përkushtuar për rrugën e saj evropiane dhe po punon me intensitet në reformat e brendshme për të përmbushur obligimet që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, me qëllim të përafrimit të vendit me statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Ai tha se Kosova është një faktor paqeje dhe stabiliteti dhe ajo po kultivon marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë, me të cilën zhvillon dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Haradinaj tha se Kosova do të përmbushë të gjitha obligimet e saj ndërkombëtare dhe theksoi nevojën e konsolidimit ndërkombëtar të shtetit përmes anëtarësimit në OKB, BE dhe në NATO.

Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit, Hoyt Brian Yee theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjitha proceset e saj.

Ai tha se rruga e integrimeve evropiane për Kosovën dhe për vendet e rajonit është e hapur dhe inkurajoi institucionet e vendit që të angazhohen në thellimin e reformave të brendshme, në fushën e sundimit të ligjit dhe në promovimin e zhvillimit ekonomik. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat