Fehmi Ferati i pakënaqur: E pamundur që VV doli e katërta në Mitrovicë

Aktuale

Fehmi Ferati i pakënaqur: E pamundur që VV doli e katërta në Mitrovicë

Më: 22 tetor 2017 Në ora: 21:26
Fehmi Ferati

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës, Fehmi Ferati, i njohur si Fehi, ka hedhur poshtë rezultatin e ‘exit poll’-it të zgjedhjeve lokale, të realizuar nga instituti “Gani Bobi”.

Sipas këtij sondazhi, të realizuar me qytetarë pas votimit, Ferati ka dalë i katërti.

Në vend të parë, sipas ‘exit poll’-it, ka dalë Valdete Idrizi e PDK-së, e ndjekur nga Agim Bahtiri i AKR-së dhe Safet Kamberi i LDK-së.

“Exit poll-ët nuk janë gjithnjë të saktë”, ka thënë Ferati.

Ai ka kujtuar se Vetëvendosje kishte dalë e para në Mitrovicë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, ndërsa tani, sipas tij, është e pakuptimtë që ai të renditet i katërti.

Ferati ka thënë se dyshon se në Mitrovicë ka pasur blerje të votave.

“Edhe AKR, edhe PDK kanë intensifikuar blerjen e votave – në lagjet e varfra dhe në bastione”.

“Përderisa KQZ nuk e publikon rezultatin, të tjerat janë supozime”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se nëse KQZ e konfirmon atë të katërtin, atëherë, sipas tij, zyrtarizohet keqpërdorimi në Mitrovicë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat