Ramush Tahiri: Gjykata Speciale nuk mund të zhbëhet, Presidenti po shfajësohet

Aktuale

Ramush Tahiri: Gjykata Speciale nuk mund të zhbëhet, Presidenti po shfajësohet

Më: 10 tetor 2017 Në ora: 23:18
Ramushi Tahiri

Pendimi i kreut të shtetit të Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale për krimet luftës në Kosovë, nuk mund të prodhojë asnjë efekt në raport me vet gjykatën por as ndonjë reagim të opinionit karshi kësaj gjykate vlerëson Ramush Tahiri.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ditën e hënë, gjatë prezantimit të një raporti për perceptimin publik rreth Gjykatës Speciale, të organizuar nga disa organizata joqeveritare në Prishtinë, e ka cilësuar themelimin e Gjykatës speciale, “proces të padrejtë historik ndaj Kosovës”. Ai ka theksuar se ka pranuar ta udhëheqë këtë proces, si kompromis, me premtimet nga faktorëve ndërkombëtarë, për liberalizim të vizave, për formimin e ushtrisë, pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si dhe rritjen e numrit të njohjeve nga vendet e ndryshme.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se reagimi i presidentit Thaçi, vjen si pasojë e zhgënjimit me faktorët e caktuar ndërkombëtarë, që nuk realizuan kompromiset, për të cilat opinioni vendor nuk ka pasur informacione në kohë reale. Por, siç thotë Tahiri, pendimi i kreut të shtetit lidhur me çështjen e Gjykatës Speciale, nuk do të mund të ketë asnjë ndikim në punën e kësaj të fundit.

“Kjo gjykatë nuk mund të abrogohet, sepse nuk pritet që Kuvendi të rishqyrtojë dhe të marrë vendim tjetër, megjithëse kishte disa përpjekje në të kaluarën, para disa muajve në Kuvendin e Kosovës. Kjo është thjeshtë një lloj, ndoshta, shfajësimi - që kjo gjykatë po punon - i Hashim Thaçit, tash në funksionin e presidentit. Por, nuk mendoj që do të ketë ndonjë ndikim praktik, përveç që do të ketë ndikim në marrëdhëniet e Kosovës ose të vet presidentit me faktorin ndërkombëtar”, thotë Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat