Pas akuzave të Thaçit, vjen edhe përgjigja e Speciales

Aktuale

Pas akuzave të Thaçit, vjen edhe përgjigja e Speciales

Më: 9 tetor 2017 Në ora: 19:50
Selia e Gjykatës Speciale

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, për herë të parë sot u tregua i ashpër ndaj themelimit të Gjykatës Speciale, duke thënë madje se kjo gjykatë ju imponua Kosovës për ta kënaqur Serbinë e Rusinë.

Presidenti nuk u ndal me kaq, por tha se ai kishte vendosur ta udhëheqte një proces të padrejtë për Kosovën, ndërkohë shtoi se Kosova u mashtrua nga ndërkombëtarët pasi, siç tha ai, ata dhanë premtime në kambim të Speciales, por që asnjë nuk u realizua.

E, pas këtyne akuzave të Presidentit, ka folur shefja e njësisë së informacionit në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, Avis Benes.

Ajo nuk u mor direkt më fjalët e Thaçit, por bëri të ditur se Dhomat e Specializuara kanë mandatin për të kryer gjykim të drejtë në një proces të rregullt, duke lënë të nënkuptohet se nuk kanë ndikuar ndonjë nga faktorët e tjerë që i përmendi Thaçi.

“Prokuroria Speciale janë ata që hetojnë dhe duhet të ngrenë akuza dhe ne, nga ana jonë, në Dhomat e Specializuara të Kosovës, kemi mandatin për të kryer një gjykim të drejtë dhe për t’u siguruar që ka një proces të rregullt. Dhe, që të gjitha aspektet e proceseve gjyqësore po vendosen dhe se ka një gjyq të sigurt, të pavarur dhe të paanshëm. Gjithashtu, për t’u marrë me pjesëmarrjen e viktimave dhe aspektet e tjera…Një gjë që unë dua të theksoj është se ne jemi një Gjykatë e ligjit dhe mandati ynë është një gjykim i drejtë, në thelb, mandati është që të informojmë, të informojmë objektivisht se çka po ndodh dhe të sigurojmë të gjithë informacionin në lidhje me procedurën dhe të ofrojmë informacionin aktual”,  ka thënë Benes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat