Flet qytetari që ra viktimë e Zekës dhe partnerit të tij: Milaimi m’i ka marrë paret e nuk po m’i jep

Aktuale

Flet qytetari që ra viktimë e Zekës dhe partnerit të tij: Milaimi m’i ka marrë paret e nuk po m’i jep

Më: 3 tetor 2017 Në ora: 12:38
Ilustrim

920 qytetar kanë provuar të emigrojnë në Gjermani me viza pune nëpërmjet një agjencie punësimi e cila në fakt ishte një skemë mashtrimi e deputetit Milaim Zeka dhe partnerit të tij, Ilir Krasniqi. Aplikantët kanë paguar nga 50 euro deri në 3500 euro për një vizë pune. Por, në vend të punësimit janë gjendur brenda një skeme mashtrimi. 

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës, Milaim Zeka reagoi menjëherë ndaj shkrimit të gazetarit Vehbi Kajtazi të publikuar në portalin Insajder, të cilin e akuzoi për shpifje e dëmtim të imazhit të tij.

Por, viktima A.H (Emër i njohur për redaksinë) rrëfen për Periskopin se si verën e kaluar kishte aplikuar për vize pune. Ai fillimisht kishte paguar 50 euro, ndërsa kontrata parashihte që të gjitha parat të kthehen, nëse viza refuzohet.

Më tej, A.H tregon se si u desh të paguajë edhe dy mijë euro të tjera, parat të cilat thotë se kanë përfunduar në duar të deputetit Zeka.

“Kam aplikuar verën e kaluar, nja dy javë pas ramazanit dhe kam paguar 50 euro. Nëse kontrata më refuzohet, këto para kthehen. Kam prit deri në dhjetor dhe me ka ardhë kontrata. E kom pagu edhe 500 euro tjera dhe kam marrë kontratën në të cilën shkruhej nëse del leja e punës atëherë duhet të paguhen edhe 1500 euro edhe më patë thënë që menjëherë pas vitit të ri del leja. Kaloj viti i ri dhe s’ka leje, kaluan disa muaj, s’ka leje, e thirrsha në telefon nuk ma qelke, dikur shkova e thirra nga posta dhe me tha që punët janë mirë lejet janë dal veç kur t’i bi në Kosovë i paguni edhe paret tjera. Prap kaloj një kohë dhe s’ka njoftim , prapë e thirrja e nuk e qelke dikur e qeli dhe ja nisi tu bërtitë e më trojke që e kam gruan smut e nuk është tu ma ni për ty”, rrëfen ai.

Ai tregon se si kishte marrë lajmin për refuzimin e vizave. Bashkëpunëtori i Milaim Zekës, Ilir Krasniqi, i kishte rekomanduar që të bënte termin në zyrë në Prishtinë, ku do t’i merrte parat që i kishte dhënë për vize pune.

“Mas një kohë me thirri një aplikant tjetër me tha që na kishin refuzu dhe e thirra Ilirin tha s’ka leje por bën termin në zyre në Prishtinë dhe merri paret. Thirra në Prishtinë dhe ajo çika thojke që nuk kam pare dhe e kam mshel zyren sepse po me kërcënojnë njerëzit për pare të tyre”, tregon tutje A.H, emër i njohur për redaksinë.

Sërish ai kishte kontaktuar me Ilir Krasniqin, i cili i kishte kërkuar që ta lë rehat dhe se nuk do t’ia japte parat, sepse me to ka paguar një avokat.

Image

Në fakt, pak kohë më vonë, A.H mori vesh se Krasniqi, i cili e kishte mashtruar, ishte në pushime në Turqi me familje.

“Prapë e thirra Ilir Krasniqin nga posta dhe me tha që nuk t’i jap paret sepse kam pagu avokat dhe me tha skam pare lem rahat. E pas një jave e morra vesh që kish shku në Turqi në pushime me familje. E thirr edhe nipi im e shahen me to e dikur Iliri i thotë o burrë a bon me m’prit se Milaim Zeka mi ka marrë paret e nuk po mi jep”, tregon ai.

Se Milaim Zeka ishte bashkëpunëtor i Krasniqit, A.H  e kishte marrë vesh nga disa fotografi të cilat ishin të vendosur në zyre, ku ai kishte caktuar terminin.

Ndërsa, vetë Krasniqi i kishte treguar se pikërisht deputeti Milaim Zeka, i gjente njerëzit për viza, ndërsa ai i bënte ato.

“Më kujtohet në dhjetor kur isha në zyre në Prishtinë, kishte plot foto të Milaimit dhe të emisionit të tij, dhe e pyeta Ilirin se edhe Milaimi është bashkëpuntor me ty a? E ai më tha po, ai i gjenë njerëzit për viza e unë i bëjë ato”, thotë krejt në fund qytetari me inicialet A.H.

Ishte deputeti Milaim Zeka, i cili sa ishte gazetar kishte promovuar Ilir Krasniqin si biznesmen të sukesshëm në emisionin e tij “Pa Rotlla”. Kjo intervistë në fakt kishte një qëllim tjetër: prezantimin e Krasniqit si biznesmen kredibil për t’i hapur rrugë një skeme mashtrimi që po përgatisnin ata dy. Po promovohej një mashtrues me të cilin Zeka kishte hyrë në ortakëri, shkruan Insajder.

Deputeti Milaim Zeka, së bashku me partnerin e tij, Ilir Krasniqin kishin hapur një agjenci punësimi të quajtur “Ilir Krasniqi e Milaim Zeka OP”, me numër biznesi 1284891. Firma ishte regjistruar më 2 shkurt 2016 në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. “Zyra e punësimit” ishte hapur në të njëjtin ambient me zyrat e portalit “Pa rrotlla” në lagjen “Pejton” në Prishtinë.

Stafi i zyrës kishte mbajtur në krah karta identifikimi me mbishkrimin “Pa Rrotlla”. Ndërkohë, Zeka ishte tërhequr me letra nga firma me arsyetimin se është person publik.

Këtë e ka pohuar partneri i tij, që tashmë ndodhet në paraburgim. Firma tashmë quhej “Ilir Krasniqi O.P”.

Mashtrimet e Zekës dhe Krasniqit me këtë agjenci tashmë kanë përfunduar. Një hetim penal që kishte nisur kundër Krasniqit është zgjeruar edhe kundër Zekës. Bazuar në dëshmitë e shumë prej viktimave, deputeti i Nismës për Kosovën, po hetohet si mashtrues i nevojlive. Nga vepra e mashtrimit dhe shmangie nga tatimi, rrjedh vepra e krimit të organizuar. Për krim të organizuar Zeka po hetohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Për këto vepra po hetohen edhe Ilir Krasniqi dhe bashkëshortja e tij, Fixherije Krasniqi.

Zeka është kujdesur që të gjitha njoftimet e kompanisë të botuara në portalin e tij, “Pa Rrotlla” të fshihen.

Madje ai nuk pranon se ka punuar me Krasniqin, për të cilin thotë se ka qenë me qira tek zyret e tij.

“Kurrë me Ilir Krasniqin nuk kam punua përpos që Ilir Krasniqi ka qenë me qira tek zyrat e mija dhe fillimisht e kemi pas hapur një biznes së bashku për kthim të dokumenteve por biznesi ka qenë inekzistent d.m.th. asnjë veprim nuk është bërë në emër të biznesit”, ka thënë Zeka për Insajderin.

Zeka ka thënë se dy muaj pas themelimit të biznesit e ka dërguar kërkesën për shuarjen e tij, por se sipas tij, Ilir Krasniqi nuk ka pranuar ta nënshkruaj pjesën e partneritetit. “Veprimet Iliri nuk i ka bë në emër të biznesit. Veprimet iliri i ka bë në emër të vetin dhe të bashkëshortes së tij Fixhërije Krasniqi”, ka thënë ai.

“Unë jam tërhjek nga ky biznes por nuk kemi pasur kurrfarë aksioni, kurrfarë veprimtarie kurrfarë konto dhe kurrfarë numri fiskal. Puna për të cilën akuzohet është punë absolut që nuk ka lidhje me mu përveç që Iliri kur ka mashtruar njerëzit ju ka thanë unë e kam biznesin bashkë me Milaim Zekën për shkak të abuzimit dhe shfrytëzimit tim”, ka deklaruar Zeka.

Zeka e ka quajtur Krasniqin mashtrues dhe njeri tepër të ndyrë, ani se vetë e kishte prezantuar vetë në emisionin e tij si biznesmen të suksesshëm.

“Nuk dua me rëndu njeriun. Flitet diku që në total që iu ka kthyer pjesës dërmuese. Në total kanë qenë 400 persona. E diku sa më thanë vëllezërit e Ilirit, janë mbet diku me ja u kthyer edhe 100 personave paret”, ka shtuar ai, duke insistuar se kjo është historia e vërtetë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat