Sulmet ndaj policisë në veri, flet eksperti i sigurisë

Aktuale

Sulmet ndaj policisë në veri, flet eksperti i sigurisë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 29 shtator 2017 Në ora: 14:24
Fadil Kajtazi

Pjesa veriore e Republikës së Kosovës vazhdon të jetë mjaft e ndjeshme dhe ku ndodhin incidente jo të rralla.

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës kanë qenë mjaft të shpeshta kohëve të fundit, duke e bërë edhe më të pasigurtë veriun e Mitrovicës.

Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi ka folur për gjendjen në veri të vendit që nga koha e UNMIK-ut e deri më tani, derisa sipas tij për të gjitha pabesitë më të mëdha në Kosovë ishte fajtore Ish Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, e që aktualisht është Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe se në atë kohë klasa politike e Kosovës nuk ka pasur kapacitete për të marrë hapa konkret atje.

“Që nga paslufta e deri më 2008, UNMIK-u në masë të madhe kishte arritur për të shtrirë autoritetin e pushtetit në pjesën veriore të Kosovës, ndonëse konflikti ishte i hapur, ishte arritur të krijohej dukuri politike në dobi të Kosovës. Pas shpalljes së pavarësisë, shteti i Serbisë përmes strukturave të veta që koordinoheshin nga agjencitë e tyre inteligjente, përshkallëzoi veprimet në drejtim të krijimit të një gjendje të konfliktit latent i cili ishte i orientuar në drejtim të krijimit të dukurisë politike në dobi të Serbisë, dhe kjo filloi të shtrihej në segmentet kryesore si mosnjohja e sistemit monetar, të gjykatave, arsimit, sistemit të telefonisë dhe atij energjetik etj. Të gjitha këto, ndonëse në shikim të parë dukeshin të pa rëndësishme, ja arritën që të konsolidojnë shtetësinë e Serbisë në pjesën veriore. Në këtë kohë klasa politike e Kosovë ishte e strukturuar në formë e cila nuk kishte kapacitete për ta vlerësuar gjendjen dhe për të ndërmarr hapa konkret në pengimin e konsolidimit të Serbisë në atë pjesë. Keni parasysh, është viti 2008, kur në Kosovën tonë, nën influencën e shërbimeve serbe kishin filluar të konsolidohen grupe të cilat nën  kauzat “krahu i luftës” “bashkimi kombëtarë” po krijonin pashallëqet e tyre përmes krimit të organizuar duke bërë që përmes privatizimit të aseteve të ekonomisë së Kosovës të krijojnë pozicione nga të cilat komandohej politika e Kosovës. Ish Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, (tani Agjencia Kosovare e Privatizimit), ishte çerdhja nga ku zhvilloheshin pabesitë më të mëdha për Kosovën”, ka deklaruar Kajtazi për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se kjo strukturë i krijoi mundësi Serbisë që të shtonin operacionet në veri, duke futur në lojë edhe rusët dhe se përmes “Mbrojtjes Civile”

“Kjo strukturë ja arriti që për një kohë të shkurtër, të krijojë qarje të mëdha me shtetet që ndihmonin konsolidimin e shtetit të Kosovës duke imponuar një mendësi primitive në politikëbërjen e Kosovës, që për qëllim kishte krijimin e kaosit politik, në mënyrë që Serbisë t’i shkonin në vijë operacionet në drejtim të konsolidimit të saj në veri. Është koha kur në lojë futën edhe rusët, të cilët tani më nga baza e tyre në Nish kishin konsoliduar aksionet e veprimit. Përmes të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile” shërbimet serbe dominonin jetën shoqërore në pjesën veriore ku shantazhi, frikësimi dhe aksionet terroriste ishin metodat që kjo organizatë i përdorte për ta mbajtur prezent shtetin e Serbisë në këto hapësira. Megjithatë, Serbisë i duhej që kjo organizatë para bashkësisë ndërkombëtare të fitojë njëfarë legaliteti të ekzistencës duke reduktuar veprimtarinë e saj si një “Mbrojtje Civile” nga fatkeqësitë elementare dhe nga institucionet e Kosovës. Dhe, për ta ruajtur këtë legalitet dhe për ta mbajtur gjendjen në favorin e vet, Serbia e aktivizoi organizatën terroriste “Beli Orlovi” e cila me 2010 bëri vrasjen e Shefko Sallkoviq i cili ishte këshilltar i vetëm komunal në Asamblenë Komunale të Leposaviqit, që ishte zgjedhur sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës”, ka vazhduar më tej Kajtazi.

Eksperti i sigurisë më tej tregon për këtë organizatë, duke thënë se në aktet terroriste në pjesën veriore të Kosovës lidhmëri kishin shteti serb, ai rus dhe Kishës Ortodokse Serbe.

“Implikimet serbo-ruse në radikalizimin e situatës në veri janë më se të dukshme nga fakti se Organizata “Beli Orlovi” së pari është formuar  me 1990 nga krahu militar i Partisë së Ripërtëritjes Serbe (SPO) që në këtë parti udhëhiqej nga regjisori Dragosllav Bokan, e që në këtë kohë ishte në krye të revistës “Rusija danas” (Rusia sot) që botohet në Beograd.  Kjo vrasje shënon edhe fundin e zhvillimit të jetës institucionale në pjesën veriore, pasi, kjo organizatë përmes një letre të lënë në afërsi të kampit të KFORI-t në Leposaviq kishte bërë një kërcënim sikur dikur, nga vitet 1900 deri 1912 organizata “Ja vdekje ja liri” që kërcënonte përmes dorës së zezë, tani “Beli Orlovi” ose “Ortodoksizëm apo vdekje”, i kërcënonte të gjithë ata që përkrahin shtetin e Kosovës,  me anë të “Shigjetës së zezë” pushkë snajperiste në kalibrin 12.7 nga arsenali i ushtrisë serbe. Sado që kjo duket koeçidencë, lidhshmëria e shtetit serb, atij rus dhe Kishës Ortodokse Serbe është e dukshme në aktet terroriste në pjesën veriore të Kosovës”, vazhdon Kajtazi.

Ai thotë se të gjitha këto i ka përmendur për të krijuar një tablo të veprimtarisë subversive të Serbisë në drejtim të Kosovës, të cilën fatkeqësisht shteti i ynë nuk mundi ta parandalojë.

“Përpjekja për të ”vendosë shtetësinë e Kosovës në veri” me 25 korrik 2011 linte shumë për të dëshiruar nga se ajo ishte një lëvizje amatore politike e kryeministrit Thaçi, nga se ajo u bë pa koordinim me faktorët relevant ndërkombëtar që kanë implikim në çështjet e sigurisë së Kosovës,  si dhe një ndërmarrje amatore policore  për nga përmasat e veprimit operativ, nga ajo u zmbraps nga strukturat e armatosura të “Civilna Zashtitës”. Këto që po them për ndërmarrjen e aksionit policor të 25 korrikut, po i potencoj nën dritën e ngjarjes së “Trenit” për të cilën u krijua situatë tjetër. Edhe pse presidenti Thaçi u mundua që këtë ngjarje ta kapitalizojë, faktet janë se suksesi i saj rezultojë nga se kryeministri Mustafa dhe kabineti qeveritar që ai drejtonte vlerësuan seriozitetin që ngjarja në tersi kishte,  dhe koordinuan veprimet me faktorët relevant ndërkombëtar”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Kajtazi thotë se ngjarjet e tanishme politike kanë shtuar orekset e Serbisë për pushtet në Kosovë, por që sipas tij, shtrirja e integritetit edhe në atë pjesë qeverisjes Mustafa ishte arsye për rrëzimin e Qeverisë.

“Ngjarjet e tanishme politike, domosdo se kanë prodhuar një atmosferë tjetër në pjesën veriore. Vartësia nga Lista Srpska e qëndrimit në pushtet të koalicionit qeveritar, domosdo se ka lëvizur orekset për rikonfigurim të gjendjes në pjesën veriore, që duhet pranuar se mes tjerash është e ndikuar edhe nga strukturat mafioze. Ligji për Trepçën dhe Ligji për investime direkte, të sponsorizuar nga qeveria e udhëhequr nga kryeministri Mustafa, dhe të miratuara nga legjislatura e kaluar e Kuvendit të Kosovës, janë dy ligje që kanë atakuar drejtpërdrejt interesat e Serbisë në pjesën veriore si dhe interesat e strukturave mafioze të shtrira në veri dhe jug të Kosovës, në të cilat janë të përfshira edhe personalitete të jetës politike të Kosovës. Prandaj çdo stabilitet i krijuar nga Qeveria e Kosovës në veri, prodhon jo stabilitet të qëndrueshmërisë së shtetësisë serbe aty dhe strukturave mafioze në veri dhe jug të Kosovës. Dhe njëri nga shkaqet e rrëzimit të qeverisë Mustafa është pikërisht edhe ky fakt, nga se gradualisht filloi shtrirja e shtetësisë së Kosovës në atë pjesë”, është shprehur ai.

Eksperti i sigurisë ka përmendur edhe çështjen e Demarkacionit, për të cilën thotë se AAK po ndryshon qëndrimet.

“Jemi dëshmitarë se çdo dit që po kalon, po shihet se kauzat për Çakorrin, dhe për Bashkësinë e Komunave të krijuara nga AAK e Ramush Haradinaj dhe VV po dekompozohen. Tani më, çdo ditë që po kalon, AAK po e pranon së demarkacioni është çështje e përfunduar sipas formës të hartuar nga Komisioni i kaluar qeveritar. Gjithashtu edhe VV ka lëvizur shumë nga pozicioni; në një intervistë të datës 26 gusht të këtij viti, dhënë në gazetën Bota Sot, zyrtari i lartë i VV Sami Kurteshi deklaron se “...kjo punë ka marrë fund me njohjen e Kosovës me shpalljen e pavarësisë, sepse ata kufij janë ndërkombëtar dhe vetëm ata duhet të demarkohen’”, është shprehur Kajtazi.

Po ashtu ka përmendur edhe tërheqjen për anëtarësim në UNESCO dhe mundësinë e një qeverie teknike.

“Vartësia e qëndrimit në pushtet të PANI-t nga Lista Srpska është edhe shkak i tërheqjes nga kryeministri Haradinaj të kandidaturës së Kosovës për anëtarësim në INTERPOL. Nëse Serbia nuk siguron vota të mjaftueshme për të penguar anëtarësimin e Kosovës në UNESKO, do të ndodhë e njëjta gjë; Kosova do të tërheqë kandidaturën. Brishtësia e funksionimit të sistemit politik në pjesën ku shtrihet autoriteti i pushtetit të Kosovës krijojnë parakushte të konsolidimit të Serbisë në veri. Gjëja që tani i duhet Kosovës është formimi i një qeverie teknike e cila do të përgatiste një ligj zgjedhor i cili një çdo variant do të krijonte një shumicë qeverisëse, dhe pasi ko të arrihet, vendi të shkoj në zgjedhje. Nëse pak e duan Kosovën, forcat politike duhet ta bëjnë këtë”, ka përfunduar eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat