MPJ tregon arsyet e shtyrjes së aplikimit për Interpol

Aktuale

MPJ tregon arsyet e shtyrjes së aplikimit për Interpol

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 21:17
Interpol

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka sqaruar përmes një komunikate për media, se vendimi për shtyrjen e anëtarësimit të Kosovës në Interpol për vitin e ardhshëm është marrë pasi është vlerësuar se një gjë e tillë është në interes të vendit.

“Pas vlerësimit dhe analizimit të hollësishëm të procesit të anëtarësimit të vendit tonë në Interpol dhe dinamikave të brendshme brenda kësaj organizate, kemi vlerësuar se është në interesin tonë më të mirë që të shtyhet votimi për anëtarësimin e Kosovës në Interpol për vitin e ardhshëm”, thuhet në komunikatë.

MPJ sqaron se Interpoli është duke kaluar nëpërmjet ri-shikimit të procedurave dhe kritereve të anëtarësimit, andaj kanë  vlerësuar, në koordinim me vendet e Kuintit, në veçanti me SHBA dhe Gjermaninë, që duhet sqaruar këto kritere para se të votohet aplikacioni i Kosovës.

MPJ po ashtu thekson se nikoqiri i takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit, ka shfaqur hezitime për të lejuar pjesëmarrjen e delegacionit të Kosovës në këtë asamble dhe anëtarët e delegacionit të Kosovës nuk kanë qenë në gjendje, që të pajisen me viza.

“Me këtë, nuk ishin krijuar kushtet, që të ndodhë një votim për Kosovën pa prezencën e delegacionit tonë.  Ministria e Jashtme falënderon të gjithë të involvuarit nga institucionet e Kosovës, por, njëkohësisht edhe të gjithë shtetet partnere të shtetit tonë, posaçërisht vendet e Kuintit dhe njëkohësisht i fton të gjithë, që në takimin e radhës të punojmë së bashku, që Kosova të votohet anëtare me të drejta të plota në Interpolit”, thuhet në komunikatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat