Haradinaj premton viza pa demarkacion, por harron deklaratën e qartë të Mogherinit

Aktuale

Haradinaj premton viza pa demarkacion, por harron deklaratën e qartë të Mogherinit

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 20:05
Ramush Haradinaj

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini ishte detyruar ta deklaronte në mënyrë jashtëzakonisht eksplicite, kushtin e BE-së për të liberalizuar vizat për Kosovën, kur në mars të këtij viti kishte vizituar Kosovën në kuadër të një vizite rajonale në Ballkan.

Në një konferencë për media, Mogherini kishte thënë se “ratifikimi i demarkacionit është kushti i vetëm për liberalizimin e vizave”.

“Unë do të doja që këtë ta thoja me zë të lartë, por duket se nuk kam nevojë, pasi kemi numër të madh të mediave këtu, që do ta përçojnë këtë mesazh”, kishte thënë Mogherini, raporton Insajderi.

Atëkohë, kryeministri i tanishëm i vendit, Ramush Haradinaj, ishte kundërshtari kryesor i marrëveshjes për demarkacion mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Por gjashtë muaj pas kësaj deklarate, dhe 11 ditë pasi po drejton Qeverinë e Kosovës, kryeministri në hapje të fushatës zgjedhore lokale, tha diçka  që bie në kundërshtim me përfaqësuesen e lartë të BE-së.

“Nuk duhet të lidhet Demarkacioni me Vizat”, tha Haradinaj në hapje të fushatës së AAK-së në Prishtinë, raporton Insajderi.

Ai nuk e sqaroi sesi nuk lidhet demarkacioni me vizat, por tregoi për punën e Komisionit për Shënimin e Kufirit, kryetarin e së cilit, Murat Mehën e shkarkoi dhe emëroi kundërshtarin e marrëveshjes së tanishme, Shpejtim Bulliqi.

“Nesër Qeveria e voton komisionin për Demarkacion. Që nesër fillojmë me punë, për të gjetur fakte se opsioni i tashëm është gabim – kjo temë nuk po rrinë në sirtar.Brukseli e vlerëson se kjo teme është në proces, dhe nuk do të lidhet afati i kësaj teme me afatin e liberalizimit”, tha Haradinaj.

Por deklarata e qartë e Mogherinit nuk përkon me këtë qëndrim të kryeministrit në një fushatë zgjedhore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat