Turqia shtyp shkollat e Gulenit në Kosovë

Aktuale

Turqia shtyp shkollat e Gulenit në Kosovë

Më: 20 shtator 2017 Në ora: 17:05
Ilustrim

Republika e Turqisë po bën përpjekje që përmes Fondacionit “Maarif” të vendosë institucionet arsimore në vendet e ndryshme nëpër botë, e sidomos aty ku funksionojnë shkollat e lëvizjes së imamit turk, Fetullah Gulen. Ndër vendet e para është edhe Kosova. Në shumë vende, sikurse janë ato në Afrikë, me pajtimin e institucioneve shtetërore, “Maarif” tashmë ka marrë kontrollin mbi institucionet arsimore të lëvizjes “Hizmet”.

Qeveria e Turqisë e ka akuzuar Gulenin për puçin e pasuksesshëm të vitit të kaluar, ndërkohë që lëvizjen e tij e konsideron si terroriste, nën emërtimin FETO - Organizata terroriste Fetullah.

Fondacioni “Maarif” ka nisur punën më 1 shtator të vitit 2016, me vendimin e Kuvendit të madh popullor të Turqisë. Misioni i tij është, siç thuhet, “ofrimi dhe zhvillimi i shërbimeve arsimore formale dhe joformale, të bazuara në njohuritë e përbashkëta dhe vlerat njerëzore në të gjithë botën”. Fondacioni “Maariff” është themeluar për të hapur shkolla në të gjithë botën. Planifikon edhe bursat për nxënësit, për studimet e mëtutjeshme bachelor.

Në Kosovë, “Maarif” tash e tre muaj më parë ka nisur hapjen e shkollave, që e bën Kosovën vend të parë në botë, në të cilin ky fondacion ka filluar të veprojë. Aktualisht, në Kosovë funksionojnë edhe një numër i institucioneve arsimore të frymëzuara nga lëvizja e Gulenit. Në kuadër të institucioneve arsimore Gulistan, janë institucionet parashkollore, çerdhet, si dhe shkollat fillore dhe të mesme “Mehmet Akif”, në gjithë Kosovën.

Nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, thonë se këto shkolla veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës, por nuk kanë njohuri se kush qëndron pas tyre.

Ndërkohë, Fondacioni “Maarif” në Kosovë, që nga dita e sotme, zyrtarisht fillon me mësimdhënie në “Shkollat Ndërkombëtare Maarif të Kosovës” (“International Maarif Schools of Kosova”) në Prizren dhe Lipjan.

Në Prizren, aktualisht janë lajmëruar rreth 100 nxënës, ndërsa në Lipjan rreth 130. Shkolla planifikon që në vitin e ardhshëm të nisë punën me kapacitet të plotë, me rreth 400 nxënës në Prizren dhe rreth 350 në Lipjan.

Siç ka thënë ambasadorja turke në Kosovë, Kivilcim Kilic, në fund të gushtit, gjatë vizitës në shkollën e Prizrenit, Fondacioni “Maarif” është i vetmi, i cili është i autorizuar që të zhvillojë aktivitetet arsimore të Turqisë, jashtë këtij vendi.

Kilic ka shtuar se fondacioni vazhdon të punojë me institucionet e Kosovës në luftën kundër strukturave të organizatës FETO në Kosovë, duke thënë se strukturimi i tij po zbatohet nëpër institucione, duke filluar nga ato arsimore.

Me rastin e vizitës së shkollës në Lipjan, në afërsi të Prishtinës, ambasadorja ka potencuar se në Kosovë ende ndjehet ndikimi i lëvizjes FETO.

Drejtori i Fondacionit “Maarif” për Kosovën, Mesut Ozbaysar, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se po punohet për sistemin e ri arsimor, edukativ ndërkombëtar, në përputhje me teknologjinë bashkëkohore dhe se planifikohet që edhe në qytetet tjera të Kosovës të hapen shkolla të tilla.

Ozbaysar thekson që transferimi i shkollave të Gulenit përmes fondacionit “Maarif” është çështje politike, për të cilën nuk ka kompetencë të flas. Megjithatë, ai thekson që në rast se arrihet deri aty, do të vazhdojnë të punojnë edhe në ato shkolla.

“Procesi ndërmjet qeverive është në vazhdim e sipër. Ne i kemi hapur shkollat, për të ofruar arsimim më të mirë në Kosovë... Në vendet tjera, për shembull në Afrikë, ka pasur mjaft raste që shkollat FETO janë transferuar përmes Fondacionit ‘Maarif’, por këtu nuk kemi asnjë informatë për këtë. Siç thash, kjo është çështje politike dhe kjo nuk ka të bëj me mua”, tha Ozbaysar.

Ai vlerëson se Kosova, me hapjen e degës në Prizren, është vendi i parë në të cilin “Maarif” ka vendosur punën. Në Bosnjë e Hercegovinë tashmë vepron, ndërkaq që ekziston plani që “Maarif” të nisë me institucionet arsimore edhe në Maqedoni. Ndërkohë, ky fondacion tashmë ka hapur universitetin në Shqipëri.

Ish-zëvendësministri i Arsimit i Qeverisë së Kosovës, Usmen Baldzhi, i cili ka qenë në këtë funksion në kohën kur “Maarif” kishte arritur në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se fondacioni kishte marrë licencën në mënyrë të rregullt për punë në Kosovë, si dhe kishte plotësuar të gjitha kriteret për shkollimin privat fillor dhe të mesëm. Ngjashëm, sipas tij, ka qenë edhe rasti i shkollës Mehmet Akif.

“Mehmet Akif është themeluar përmes Fondacionit ‘Gulistan, pas luftës në Kosovë dhe ai ekziston sot e kësaj dite. Ata funksionojnë në përputhje me ligjin dhe kanë licencën nga Ministra e Arsimit e Kosovës. Ato shkolla ekzistojnë sot dhe vazhdojnë të punojnë pa asnjë problem. Ndërkaq, Fondacioni ‘Maarif’ e ka marrë licencën këtë vit, ashtu sikurse edhe shkollat tjera private në Kosovë”, tha Baldzhi.

Ai ka theksuar se nuk ka informacione nëse është kërkuar që të mbyllen shkollat e caktuara apo transferimi i tyre te fondacioni “Maarif”.

Drejtuesi i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Popovci, duke folur për shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, ka vlerësuar që Kosova nuk do të duhej të përzihej në diçka që është problem i brendshëm i Turqisë dhe se nuk do të duhej të guxonte që të bie nën ndikimin e Qeverisë së Turqisë. Sipas tij, përderisa edhe njëra edhe tjetra shkollë i respektojnë ligjet e Kosovës, nuk do të duhej që të ketë probleme rreth funksionimit të tyre .

“Kjo nuk nënkupton që aty ku hapen shkollat e Fondacionit ‘Maarif’ duhet të mbyllen shkollat, të cilat në njëfarë mënyre janë të ndërlidhura me Fondacionin ‘Hizmat’. Në fakt, nuk do të duhej që vendet e rajonit të përzihen në çështjet e brendshme të Republikës së Turqisë”, ka thënë Pupovci.

Ai gjithashtu ka theksuar që, marrë parasysh që Turqia në Kosovë konsiderohet si vend mik, ajo nuk do të duhej të shkojë përtej kërkesave të cilat janë bërë deri më tash.

“Kjo për faktin se një komb prej dy milionëve nuk mund t’i zgjidhë problemet që ekzistojnë përbrenda një shteti me 80 milionë banorë, në të cilin lëvizja e Gulenit ndoshta ka 20 milionë mbështetës. Nuk do të duhej që Kosovën ta fuste në një gjë të tillë. Kjo është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën tonë. Mendoj që kërkesat e tilla, qoftë edhe kur vinë ato nga Republika e Turqisë mike, nuk do të duhej të ndikonin në sjelljen e vendimeve që bazohen në ligje”, theksoi Pupovci.

Siç ka shtuar ai “në qoftë se ajo organizatë, e cila ka themeluar shkolla, është terroriste, atëherë do të duhej të ekzistonte ndonjë vendim gjyqësor për një gjë të tillë, i cili do të ishte i pranuar në botë dhe më pas, në bazë të atij vendimi do të mund të mbyllej çfarëdo shkolle në botë. Por, kjo nuk mund të bëhet në bazë të kualifikimeve politike”, është shprehur Pupovci.

Në anën tjetër, “Maarif” ka nisur shkolla edhe në Somali, Nigeri, Sudan, Republikën e Kongos, në Guine, ndërkaq që pajtimin për hapjen e shkollave të këtij fondacioni e kanë dhënë edhe vende të tjera të Afrikës, Pakistani dhe Afganistani.

Bisedimet për këtë janë duke u zhvilluar edhe me Qipron, Australinë, Danimarkën, Arabinë Saudite, Singaporin, Malajzinë dhe shumë vende të tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat