Numri alarmant i vrasjeve në Kosovë, eksperti i sigurisë tregon shkaqet dhe mënyrën e parandalimit

Aktuale

Numri alarmant i vrasjeve në Kosovë, eksperti i sigurisë tregon shkaqet dhe mënyrën e parandalimit

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 19 shtator 2017 Në ora: 22:05
Ilustrim

Incidente të ndryshme që rezultojnë me marrjen e jetës së dikujt, janë mjaft në rritje në Kosovë.

Sipas Policisë së Kosovës, numri i vrasjeve për këtë vit në vend është 15, që është shifër mjaft alarmante.

Për këtë gjendje, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërrnava, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur për këto raste.

Sipas tij, e gjithë kjo vjen si pasojë e ngarkesë së administratës shtetërore dhe që në asnjë institucion punët nuk shkojnë si duhet.

“Në këtë Kosovën tonë njeriu mundet vetëm të tronditet dhe të jetë i pakënaqur në çdo lëmi institucionale, po hulumtuam për të arriturat si në aspektet e drejtësisë, mjekësisë, shëndetësisë, krimit të organizuar, me një fjalë në asnjë shërbim nuk mund të themi se si vend i vogël që jemi, e me këtë popullatë numerikisht jo të madhe, nuk i kemi punët mirë. Për tu brengosur është fakti se administrata shtetërore është e stërngarkuar dhe në asnjë institucion nuk janë duke na shkuar punët mirë. Në asnjë kohë Kosova nuk ka pasur polici numerikisht më të madhe se tani dhe prapë po na përsëriten dhe po na ndodhin raste të vrasjeve sikur që në këtë vit kanë ndodhur 15 vrasje që është shifër alarmuese. Me këto ndodhi po tregohet se diku në këto shërbime si të drejtësisë, prokurorisë, gjyqësisë, e sidomos të policisë po çalojnë punët dhe për këto gjëra askush nuk jep llogari, prandaj edhe po na ndodhin që vit për vit veç po na rritet numri i vrasjeve dhe krimit në përgjithësi”, është shprehur Tërrnava.

Image
Hajrullah Tërrnava

Më tej, ai thotë se duhet bërë reformë në institucione përkatëse, ku nuk ka llogaridhënie.

“Duke e parë këtë gjendje dhe nëse e analizojmë mirë, kjo është tepër alarmante dhe që duhet të gjithë njerëzit e sidomos qeveritarët të shqetësohen, dhe të fillojnë të hulumtojnë dhe nëse është e nevojshme t’i reformojnë shërbimet gjegjëse, e sidomos përgjegjësit në ato poste ku duhet të ketë llogaridhënie, t’i ndërrojnë dhe të bëjnë reforma të thella. Po nuk ndodhi kjo, prapë do të ri-përsëriten këto skena trishtuese sikur që në çdo vit, vetëm po rritet numri i këtyre ndodhive. Aty ku nuk ka llogaridhënie dhe droja e përgjegjësisë vështirë së punonjësit përgjegjës ndërgjegjësohen. Po të kishte reforma thelbësore për ata punëtorë të pasuksesshëm dhe ndaj të suksesshmëve të ketë dekorime dhe stimulime në paga, kjo gjendje do të ndryshohej për të mire. Një gjendje e tillë sikur që e kemi, sidomos të pasluftës që janë bërë emërimet në të gjitha institucionet pa kurrfarë kriteri dhe sikur që janë bërë avancime familjare e partiake e që e ka përcjellë këtë gjendje deri këtu, dhe tani nuk duhet të na befasojë kjo gjendje që tani e kemi me këtë nivel të këqijave në çdo lëmi të jetës së përditshme që po na ndodhin sikur: vrasjet, aksidentet në komunikacion, krimi i organizuar etj”, ka vazhduar më tej eksperti i sigurisë.

Tërrnava tregon edhe fajtorët për gjendjen në vend dhe mënyrën se si do të mund të ndryshohet gjendja për të mirë.

“Fajtorët e kësaj gjendje të tillë që e kemi, janë ata që i bëjnë ligjet e këtij vendi, sikur që janë të "fortit" e këtij shteti. Nuk ka dasmë që bëhet e të mos ketë krisma armësh ku shpesh ndodhin edhe vdekje. Së fundmi kemi rastin që i mituri e vrau të miturin me armë, duke shkrepur 4 herë në të. A nuk është kjo alarmante që 16 vjeçari të bartë armën dhe e vret bashkëmoshatarin e vet? Si është e mundur gjithë kjo problematikë nëpër shkollat ku të rinjtë duhen të shkollohen e shpesh po ndodhin gjërat me fatalitet! Pse askush nuk merret me këto çështje të armatimit pa leje, të popullatës dhe as nuk bëhen bastisje të dyshuarve apo edhe shtëpive ku dyshohet, së paku që ta ketë efektin në preventivë të popullata. Këtyre dukurive po i kontribuojnë edhe gjyqet me dënimet e lehta të vepeëkryersve, dhe mos dënimeve ndaj tyre se po iu dalin të njohshëm apo të "fortit" po iu urdhërojnë gjykatësit që mos t’i dënojnë. Nëse sa më parë nuk ndërmerren ndryshime rrënjësore, nesër do të jetë tepër vonë, prandaj institucionet duhet të udhëhiqen nga ata më të aftë dhe jo si deri më tani ata të dëgjueshmit”, ka deklaruar Tërrnava për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat