Ja kush janë kandidatët e decertifikuar

Aktuale

Ja kush janë kandidatët e decertifikuar

Më: 12 shtator 2017 Në ora: 15:48
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

(E plotësuar) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka decertifikuar sot 86 kandidatë për kryetar dhe asamble komunale për zgjedhjet e 22 tetorit, të cilët kanë aktgjykim të formës së prerë nga gjykatat e Kosovës. Nga ky vendimi KQZ-së, do të pësojë Zafir Berisha, të cilit do t’i pamundësohet gara për të parin e Prizreni, pasi kishte kandiduar nga radhët e Nisma për Kosovën.

KQZ-ja, për herë të parë ka aplikuar verifikimin e kandidatëve për kryetar komune dhe asamble. Megjithëse, të gjitha anëtarët e KQZ-së kishin të njëjtin qëndrim se po decertifikojnë disa kandidatë që nuk e meritojnë, shumica prej tyre thanë se duhet zbatuar ligji.

Tetë anëtarë të KQZ-së ishin pro decertifikimit, derisa vetëm anëtari i Nismës Eshref Vishi ishte kundër, derisa anëtari i Vetëvendosjes në KQZ Adnan Rrustemi, abstenoi.

Vishi vlerësoi se ligji për zgjedhjet e përgjithshme, përkatësisht neni 29, është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, e që i garantohen me Kushtetutë. 

Vishi: Jam kundër pasi është në kundërshtim me të drejtat e njeriut

“Unë jam pranë konstatimeve dhe qëndrimeve nga mbledhjet e kaluara ku kjo temë është trajtuar disa herë, e që ky vendim lidhet me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Kjo, konsideroj, se është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë. Po ashtu, ky përkufizim i ligjit, konsideroj se është jashtë standardeve ndërkombëtare dhe ligjeve aplikative që trajtojnë veprat penale, konkretisht Kodit Penal të Kosovës”, tha Vishaj.

Anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Betim Gjoshi, e quajti ligjin të padrejtë, por tha se janë para një akti të kryer, pasi duhet ta zbatojnë ligjin. Megjithëse, vlerësoi se ligjin e parë që Kuvendit duhet ta miratojë, është ndryshimi i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Gjoshi: Ligji është i padrejtë

“Ligji që kemi para vetës është jashtëzakonisht arbitrar, edhe unë pajtohem me kolegët e mi në këtë pjesë, i përgjithëson edhe i fut me një thes të gjithë pa marrë parasysh se me çfarë dënime dhe me çfarë veprash penale kanë të bëjnë. Këta që po i decertifikojmë sot mos t’ua bëjmë një gjyq të dytë, këta janë qytetarë të Kosovës, kanë të drejtë të garojnë në zgjedhjet e kaluara, një pjesë e tyre kanë mundur të kenë fatkeqësi komunikacioni dhe ka ardhur deri të rasti që ata sot duhet t’i decertifikojmë ne. Pra, këtë e kërkon ligji prej zgjedhjeve dhe vendimi prej gjykatave në formë penale. Edhe unë pajtohem që ligji është i padrejtë dhe në qoftë se Kuvendi miraton një ligj duhet të jetë ligji i parë ligji për zgjedhjet ai që duhet të ndryshoj”, tha Gjoshi.

Edhe anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Adnan Rrustemi, tha se është për t’i larguar ata që kanë kryer vepra të rënda penale, siç janë keqpërdorimi i detyrës zyrtare, korrupsioni apo krime tjera, porse, jo edhe ata që kanë kryer vepra nga pakujdesia siç janë aksidentet në komunikacion.

Rrustemi: Po penalizohen edhe persona për aksident komunikacioni

“Ashtu qysh jam i bindur se lista që na është prezantuar shihen raste që e meritojnë, mbase shumica që të decertefikohen dhe largohen nga lista. Unë jam për që të largohen gjithë ata që siç e kam thënë dje, e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, janë dënuar për korrupsion, janë dënuar për krime të rënda, kanë vuajtur burg në mënyrë efektive. Por në anën tjetër edhe neni i ligjit duke u nisur nga ajo se bie në kundërshtim me nenin 45 të Kushtetutës dhe disa nene të Kodit Penal që flet për pasojat juridike të disa dënimeve të thjeshta. Unë, po ashtu, ndaj bindjen që në këtë listë ka shumë emra të cilët po penalizohen për disa veprime që burojnë me shumë nga pakujdesia se sa i qëllimshëm, siç janë aksidentet në komunikacion”, tha Rrustemi.

Ndërsa, Binak Vishaj nga AAK-ja, tha se është për, pasi dëshiron ta respektojë ligjin, pavarësisht dilemave që ka për ligjin.

Vishaj: Jam për, pasi dua ta respektoj ligjin

“Me gjithë dilemat e mia për ligjin, unë mendoj se nuk është në harmoni me Kushtetutën e vendit dhe me kodin penal, si të drejtat themelore, si pjesa e pasojave juridike. Unë do të jem për duke dashur të respektoj Ligjin për zgjedhje të përgjithshme, sepse e kemi obligim si institucion ta respektojmë dhe të punojmë me këtë ligj”, u shpreh Vishaj.    

Mirëpo, anëtari i Nismës në KQZ, Eshref Vishi, ia hodhi fajin edhe KQZ-së, për këtë, pasi sipas tij, nuk ka komunikuar aq sa duhet me partitë politike.

Por, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, tha se të gjithë kandidatët duhet ta lexojnë ligjin, saktësisht nenin 29, pasi në formularin që e mbushin i ceket neni 29 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Daka: Kandidatët duhet ta lexojnë ligjin

“Është e vërtetë se për herë të parë po zbatohet nga ne, do të thotë ne e kemi kërkuar verifikimin, sepse të gjithë kandidatët kur e nënshkruajnë formularin, e kanë obligim dhe e nënshkruajnë se merr përgjegjësinë penale dhe morale se të gjitha shënimet janë të vërteta. Edhe ju thuhet se duhet t’i përmbahen nenit 29 dhe ajo që është e vërtetë se nuk shkruhet dispozita e nenin 29, por ky nen përmendet. Dhe të gjitha kandidatët kishte me qenë mirë që të jenë me të vëmendshëm ta lexojnë atë dispozitë të ligjit mbi zgjedhjet dhe ta kenë parasysh se çka po nënshkruajnë”, tha Daka.

Daka tha se të gjithë kandidatët e decertifikuar sot nga KQZ-ja, kanë afat prej 24 orëve për t’u ankuar dhe për të prezantuar faktet. 

***

KQZ decertifikoi sot 86 kandidatë për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor të cilët janë të dënuar nga Gjykatat në këto tri vjetët e fundit.

Në mesin e atyre që iu mohua e drejta për të garuar është edhe deputeti i Nismës Zafir Berisha, që ka kandiduar për kryetar të Prizrenit.

Përveç Berishës Nismës i decertifikohen edhe 8  kandidatë, nga PDK-ja janë 14 kandidatë, LDK-ja 9 kandidatë, AAK-ja 17 kandidatë, Vetëvendosje 6 kandidatë, AKR-ja 4, Partia e Drejtësisë 7 kandidatë, Lista Serbe 5 kandidatë dhe disa nga partitë e vogla kanë nga dy apo një kandidat që janë decertifikuar.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat