Një qeveri që ka një principatë serbe brenda saj, bënë të pamundur stabilitetin dhe jetëgjatësinë

Aktuale

Një qeveri që ka një principatë serbe brenda saj, bënë të pamundur stabilitetin dhe jetëgjatësinë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 shtator 2017 Në ora: 12:27
Kabineti qeveritar

Kryeministri Isa Mustafa, ia ka dorëzuar të hënën zyrtarisht detyrën Ramush Haradinajt. Me 61 vota për, një abstenim dhe pa praninë e opozitës, Kuvendi i Kosovës të shtunën mbrëma ka zgjedhur qeverinë e re të Kosovës.

Analistët politikë, kanë vlerësuar se kjo qeverisje do të jetë e shkurtër për shkak se  varet nga votat e serbëve pakicë. Sipas tyre, ky kushtëzim i serbëve do t’i kushtojë Kosovës me një kosto shumë të lartë. Analisti politik, Enver Bytyçi, ka thënë se me formimin e qeverisë dhe institucioneve, Kosova ka dy lajme. Sipas Bytyçit, lajmi i mirë ka të bëjë me atë se vendi do të ketë institucione, ndërsa lajmi më i keq i periudhës së pasçlirimit të Kosovës, është kushtëzimi i qeverisjes nga votat e serbëve pakicë.

“Kosova me formimin e qeverisë dhe institucioneve të tjera ka marrë dy lajme, njëri i mirë dhe një lajm të keq. Lajmi i mirë ka të bëjë me atë se tashmë vendi do të ketë institucione, do të ketë një qeveri të re, e cila me Ramush Haradinajn nuk besoj të jetë më e keqe se qeveritë e mëparshme. Nga pikëpamja juridike gjithçka është legjitime, pavarësisht moralit politik të deputetëve që ikin nga një koalicion, që i solli në parlament dhe shkojnë te një koalicion, me të cilin mund të ishin bashkë që para zgjedhjeve. Lajmi i mirë ka të bëjë edhe me faktin se në komunitetin ndërkombëtar do të ketë një përfaqësim institucionesh, se këto institucione në shumë fusha mund të kenë sukses. Lajmi më i keq i periudhës së pasçlirimit të Kosovës është kushtëzimi i qeverisjes nga votat e serbëve pakicë. Ky kushtëzim do t'i kushtojë shume Kosovës. Kosotoja do të jetë shumë e lartë. Nuk ka për t'u marrë asnjë vendim pa miratimin e pakicës serbe ”, ka pohuar Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas Bytyçit, nëse nuk merret ndonjë vendim pa serbët, atëherë shkohet në zgjedhjet e parakohshme.

“Nëse merret ndonjë vendim pa serbët, atëherë qeveria bie. D.m.th. shkohet në zgjedhje të parakohshme. Ky është avantazh i partisë kryesore në koalicion, ta mbajë qeverinë Haradinaj nën presion. Por jo për qëllimet e serbëve. Serbët e duan nën presion çdo lloj qeverie në Prishtinë, me qëllim rritjen e pranisë së Beogradit dhe zhbërjen e institucioneve të vendit. Partneri kryesor i koalicionit, PDK, zor se do të pajtohet gjatë me kryesimin e qeverisë nga një përfaqësues i një partie të vogël, qoftë kjo edhe figura e Ramush Haradinajt”,  ka theksuar Bytyçi.

Në Prishtinë mesa duket mezi që pritën që zoti Vuçiç të lëshojë urdhrin për votim

Ai ka shtuar se qeveria do të jetë jetëshkurtër dhe nëse do të kishte kush ta shpëtonte është vetëm LDK-ja ose VV-ja.

“Prandaj unë besoj se kjo qeveri e ka jetën të shkurtër, me muaj ose pak më shumë se një vit. Mund ta shpëtojë vetëm nëse LDK ose VV i bashkohet qeverisjes, duke pranuar zotin Haradinaj për kryeministër. Nëse ndodh kjo, atëherë në Kosova mund të marrë një drejtim tjetër në rrjedhat e saj, drejtim që nuk kushtëzohet nga Beogradi. Lista serbe shkoi në Beograd dhe mori lejen e Vuçiç për të votuar qeverinë e zotit Haradinaj dhe në Prishtinë askush nuk u ankua se Beogradi po ndërhyn dhe dikton zhvillimet në Republikën e Kosovës, siç ndodhi në fillim të vitit me Shkupin, kur presidenti Ivanov bllokoi formimin e qeverisë me preteksin se partitë politike shqiptare hartuan një platformë në zyrën e zotit Rama. Në Prishtinë mesa duket mezi që pritën që zoti Vuçiç të lëshojë urdhrin për votim. Kjo është pamja jonë, kjo është gjendja jonë, këto janë varësitë tona, të cilat i ndërtojmë vetë më duart tona dhe më pas kritikojmë Europën se dikush atje "nuk po na don". Po kur nuk do veten, pse pret të të duan të tjerët?!”,  ka deklaruar Bytyçi.

Kurse, analisti Dimal Basha e bënë qeverinë e Kosovës një vilajet me shumë principata brenda saj.

Image
Dimal Basha

Sipas Bashës, një qeveri që ka një principatë serbe brenda saj, bënë të pamundur stabilitetin dhe jetëgjatësinë.

“Qeveria e Kosovës sot operon si një vilajet me shumë principata brenda saj. Kjo qeveri jo që vetëm ka një principatë serbe brenda saj, por vetë ekzistenca e qeverisë varet nga serbët, që rrjedhimisht e dobëson kredibilitetin dhe efikasitetin e qeverisë Haradinaj. Prandaj, prej shqiptarët e Kosovës gëzojnë një qeveri më shumë kauboj e asnjë indian, diçka që e bënë të pamundur stabilitetin dhe eventualisht jetëgjatësinë e kësaj qeverie”,  ka pohuar Basha për “Bota sot”.

Lista serbe do të kërkojë aq shumë privilegje për pakicën serbe, e cila për votimin e çdo ligji do të kërkojë favore të pafundme

Se do të ketë vështirësi në funksionimin e qeverisë, ka vlerësuar  edhe analisti Faik Krasniqi. Krasniqi duke folur për “Bota sot” ka thënë se mbijetesa e kësaj qeverie është në mëshirën e Listës serbe. Sipas tij, qeveria do t’i realiziojë shumë kërkesa të serbëve në ditë, javë e muaj në vijim. “Funksionimi normal i kësaj Qeverie do të jetë shumë i vështirë, sepse mbijetesa e kësaj Qeverie është në mëshirën e Listës Serbe. Kjo listë do të kërkoj aq shumë privilegje për pakicën serbe, e cila për votimin e çdo ligji do të kërkojë favore të pafundme, saqë prishja e koalicionit do të mund ndodh nga shumica shqiptare e kësaj Qeverie.

Image
Faik Krasniqi

Kërkesat e tyre të shumta do të fillojnë gjatë ditëve, javëve dhe muajve në vijim. Madje Asociacionin e Komunave me shumicë serbe do ta kërkojnë me kompetenca ekzekutive, ashtu siç ka qenë e nënshkruar nga ish kryeministri Thaçi. Me një fjalë kjo Qeveri në një farë mënyre do të jetë e shantazhuar nga kjo listë përmes Beogradit, dhe deshëm apo nuk deshëm ndikimi i Beogradit defakto do të rritet në Republikën e Kosovës”, ka theksuar Krasniqi. Sipas tij, do të ishte më mirë për Kosovën që të kishte një qeveri me shumicë shqiptare. “Prandaj ka qenë mirë që Kosova të kishte një Qeveri me shumicë shqiptare, e cila nuk do të ishte e varur nga votat e serbëve për votimin e ligjeve në Kuvend. Nuk do të duhej të vinim deri në atë pikë që krijimi i Qeverisë së Kosovës të mos mund të bëhej pa votat e Listës Serbe, sepse është ofendim për shumicën shqiptare që deputetët serbë të merrnin në Beograd bekimin për votimin e z.Haradinaj kryeministër. Por një klasë politike e papërgjeshme e sjellin shtetin edhe në këtë pikë poshtëruese!”, ka nënvizuar Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat