Ndryshimi i ligjit për Specialen, kërkesë publike për Qeverinë dhe opozitën

Aktuale

Ndryshimi i ligjit për Specialen, kërkesë publike për Qeverinë dhe opozitën

Më: 11 shtator 2017 Në ora: 14:58
Selia e Gjykates Speciale

Organizata joqeveritare "Familja dhe Shpresa", me një kërkesë publike drejtuar Qeverisë Haradinaj dhe opozitës që të bashkohen dhe ta plotësojnë ligjin për Gjykatën Speciale.

Kjo organizatë nëpërmjet një komunikate ka thënë se presin që plotësimi i ligjit për Gjykatën Speciale për krimet e luftës të jetë çështja e parë që do t’iu bashkojë për të mirën e qytetarëve të Kosovës.

“Dërgimi i kriminelëve serbë në këtë gjykatë nuk guxon që të jetë pjesë e listës së gjatë të përçarjeve midis jush, por përkundrazi, duhet të jetë fillimi i zbutjes së tensioneve dhe përafrimit midis jush. Përçarjet midis jush, parti shqiptare pjesëmarrëse në qeverinë e re të Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe dy partive opozitare – VV dhe LDK - që këtyre ditëve po marrin përmasa të ashpra dhe shqetësuese për qytetarët e Kosovës janë grumbullim i gabimeve të rënda në shumë sektorë të jetës së përditshme gjatë plotë 18 viteve që nga përfundimi i luftës. Një nga këto gabime të rënda është edhe miratimi i ligjit selektiv për gjykatën speciale për krime të luftës, i cili në formën e tij aktuale është asgjë tjetër veç amnistim i vrasësve serbë dhe përgjegjësve të tjerë të Serbisë për krimet e luftës 1998-1999 ndaj popullatës shqiptare të Kosovës”, thuhet në një komunikatë të kësaj sho qate.

Më tej thuhet se përkundër acarimeve të skajshme midis jush, familjarët e afro 1.3000 viktimave civile të luftës e 20,000 grave e vajzave të përdhunuara nga kriminelët serbë, vazhdojmë tash e një vit duke iu bërë thirrje që të gjithë juve parti politike shqiptare, në pushtet dhe opozitë, gjatë qeverisë e parlamentit të kaluar dhe tash në qeverinë e re, Ramush Haradinajt e parlamentit të ri, që të plotësoni këtë ligj të mbrapshtë në mënyrë që në këtë gjykatë të gjykohen edhe kriminelët serbë që tash e 18 vite gjenden të lirë në Serbi, të mbrojtur nga shteti serb në krye me Aleksandar Vuçiçin.

“Përçarjet dhe acarimet midis jush, parti shqiptare në pushtet dhe në opozitë, në asnjë mënyrë nuk janë arsye që ju të mos mund të gjeni të paktën një pikë bashkimi të përkohshëm. Prandaj, ju ftojmë dhe kërkojmë me ngulm nga të gjithë ju që të plotësoni këtë ligj dhe të mundësoni gjykimin e vrasësve të më të dashurve tanë, pikërisht atje në Hagë. Kërkojmë nga qeveria e Zotëri Ramush Haradinaj që t’i propozojë parlamentit të Kosovës plotësimin e ligjit për gjykatën speciale. Në këtë opsion, kërkojmë që VV dhe LDK që ta përkrahin atë dhe të votojnë në favor të këtij propozimi. Në rast se qeveria e zotëri Ramush Haradinajt nuk do ta bëjë këtë propozim në parlament për plotësimin e ligjit në fjalë, kërkojmë që këtë ta bëjë opozita, VV dhe LDK. Në këtë opsion, kërkojmë që partitë shqiptare pjesëmarrëse në qeverinë e re, ta përkrahin propozimin për plotësimin e ligjit. Për ne familjarët e viktimave të luftës, nuk është me rëndësi se kush e propozon plotësimin e këtij ligji. Për ne me rëndësi është plotësimi i tij dhe gjykimi i kriminelëve serbë dhe i Serbisë për krimet e luftës ndaj më të dashurve tanë”, thuhet në komunikatë.

Plotësimi i këtij ligji, sipas tyre, duhet që të shoqërohet edhe me vendimin detyrues nga parlamenti që ta kushtëzojë dialogun me Serbinë deri në zbardhjen e fatit të të zhdukurve të luftës dhe deri sa të dërgohen vrasësit serbë dhe përgjegjësit e tjerë të Serbisë para drejtësisë në këtë gjykatë për të gjitha krimet e luftës ndaj më të dashurve tanë.

“Le të jenë pra, plotësimi i ligjit për gjykatën speciale dhe kushtëzimi i dialogut në fjalë, çështjet e para që do t’ju bashkojnë në këto momente të rënda të përçarjes midis jush. Që të gjitha ju, parti politike shqiptare dhe deputetë shqiptarë të Kosovës, vazhdimisht pretendoni se jeni në ngjitur në pozitat tuaja në qeveri dhe parlament për të mirën e qytetarëve të Kosovës dhe për të mirën e Kosovës.Prandaj, dëshmojini këto pretendime. Dëshmojeni veten : Plotësojeni këtë ligj të mbrapshtë e mos lejoni amnistimin e kriminelëve të Serbisë me injorimin tuaj ndaj kërkesë sonë së shenjtë për drejtësi. Ne duam drejtësi për vuajtjet dhe krimet që na i shkaktoi Serbia. Kjo drejtësi tash është në duart tuaja : PDK, AAK, AKR, NISMA, VV, LDK dhe ALTERNATIVA e askujt tjetër. Plotësojeni ligjin për gjykatën speciale. Mundësoni dërgimin e kriminelëve të Serbisë në Hagë për gjykim për krimet e luftës ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat