Kosova jo imune ndaj sulmeve terroriste, ja mënyrat se si të parandalohen

Aktuale

Kosova jo imune ndaj sulmeve terroriste, ja mënyrat se si të parandalohen

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 26 gusht 2017 Në ora: 08:22
Ilustrim

Spanja, Gjermania e Finlanda kanë qenë së fundmi në shënjestër të sulmeve terroriste, në të cilat pati viktima e shumë të lënduar.

Nga sulmi me kamion që u fut në turmën e njerëzve në zonën e famshme turistike të Barcelonës, Las Ramblas mbetën 13 të vdekur e dhjetëra të plagosur, e për këtë sulm përgjegjësinë e mori ISIS.

Por nuk mbaroi me Barcelonën. Dy sulme të njëpasnjëshme ndodhën në Finlandë dhe Gjermani.

Në Finlandë nga sulmi me thikë në Turku mbetën të vdekur dy persona dhe disa të lënduar, ndërsa në Gjermani ku po ashtu pati sulm me thikë, gjeti vdekjen një person.

Por, sa është Kosova e rrezikuar nga sulme të tilla.

Image
Daut Hoxha

Policia e Kosovës në gatishmëri

Lidhur me këtë, zyrtarë nga Policia e Kosovës kanë thënë se Kosova nuk është imune ndaj sulmeve të tilla, sikur që nuk janë as vendet e tjera në rajon dhe botë, por që varësisht nga situata, ndërmerren masa për të parandaluar kërcënimet.

“Institucionet e vendit varësisht nga situata ndërmarrin masat e nevojshme me qëllim të parandalimit të çfarëdo lloj kërcënimi ndaj sigurisë së vendit në përgjithësi dhe kundër qytetarëve të saj në veçanti. Sipas vlerësimit të informacioneve që posedojmë, ndërmerren masa shtesë me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe parandalimit të incidenteve të mundshme në gjithë territorin e Kosovës. Policia e Kosovës ka ndërmarr të gjitha masat e mundshme për parandalimin e rasteve të tilla, por megjithatë nuk mund të jetë imune ndaj këtij fenomeni sikurse nuk janë as vendet tjera në rajon edhe botë”, është shprehur zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha për gazetën “Bota sot”.

Format e parandalimit të sulmeve terroriste

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, mendon se sulmet terroriste nuk mund të shmangen, por mund të parandalohen, derisa tregon format e terrorizmit me të cilat jemi përballur dhe do të përballemi në të ardhmen.

“Terrorizmi apo "lufta asimetrike" siç njihet ne teori, tani ka shtrirje globale. Dhe për mendimin tim, aktet terroriste mund të parandalohen në një masë, por jo edhe të shmangen tërësisht. Deri sa të ketë potenciale ideologjike që mbështesin këtë luftë, ato do të jenë permanente. Në kohë të tanishme, ne ballafaqohemi me terrorizmin që mbështetet gjoja në parime islame, në të kaluarën jemi ballafaquar në terrorizmin që mbështetej në ideologjinë komuniste, kurse në të ardhmen do të manifestohet në ndonjë formë tjetër. Kjo varet nga trendi i zhvillimeve globale, dhe nuk ka terrorizëm pa një shërbim të fortë inteligjent prapa. Dhe shërbimet e forta inteligjente janë pronë e qeverive të forta me interesa të ndryshme të kalkuluara në afate të mesme dhe të gjata”, ka deklaruar ai për gazetën “Bota sot”.

Image
Fadil Kajtazi

Sa i përket Kosovës, Kajtazi ka thënë se vendi është i brishtë dhe nuk duhet të mendojmë se akte të tilla nuk e përfshijnë edhe Kosovën.

“Kosova si shtet ende i brishtë sa i përket fushës së sigurisë, është e ekspozuar ndaj ekstremizmit të dhunshëm i cili prodhon terrorizmin. Deri tani, Kosova ka eksportuar eksponent që kanë qenë të angazhuar në akte terroriste, por nuk do të thotë se ky fenomen nukdo tapërfshijë edhe vendin tonë. Sistemi i sigurisë së Republikës së Kosovës duhet të krijojë kapacitete të parandalimit dhe të minimizimit të efekteve edhe në rast se këto akte përfshijne Kosovën”, është shprehur ai.

Kosova e rrezikuar nga këto sulme

Sulme të tilla në botë dhe rrezikun që ka Kosova nga sulme të tilla i ka komentuar edhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, i cili thotë se sulme të tilla të organizuara nga ISIS nuk po e lënë botën të qëndrojë rehat dhe se mund të ndodhin edhe në Kosovë.

Image
Hajrullah Tërnava

“Çdo aktivitet i planifikuesit që i shpaguhet, ai aktivizohet atje ku e arrin qëllimin. Një akt i tillë si akti terrorist në Barcelonë, nënkupton për botën që të mos rrinë rehat, se akte të tilla mund të ndodhin çdokund nëpër ato vende ku i parashohin planifikuesit, në këtë rast ISIS, sikur që e morën përgjegjësinë e rastit të Barcelonës, ku mbeten shumë të vdekur dhe shumë persona të lënduar. Tani ata që i bëjnë planet e tyre për vepra të tilla terroriste, e dinë ku arrihet efekti më i madh dhe i planifikojnë ato akte dhe mund të ndodhin gjithkund e pse jo edhe në Kosovë. Tanimë qëllimet e ISIS-it dihen dhe u pa lufta e tyre aktive në ato vende sikur Siri e Irak. Tani kur ISIS është në shkatërrim e sipër dhe e ka humbur përkrahjen e atyre të cilët e kanë krijuar ISIS-in, për ato qëllime që vetëm ata e dinë pse e kanë krijuar. Prijësit e ISIS-it tani i ndryshojnë veprimet e tyre ekstreme dhe bëjnë vepra tjera nëpër qendrat botërore sikur këtyre ditëve në Barcelonë”, është shprehur eksperti i sigurisë për “Bota sot”.

Më tej, ai ka thënë se ata po zgjedhin metoda më të thjeshta dhe se deri në eliminimin në tërësi të ISIS do të kemi ballafaqime të tilla.

“Tani ata i zgjedhin edhe mënyrën e realizimit të arritjes së qëllimeve të tyre me mjete më të thjeshta, në këtë rast sikur që vetëm me automobil me një shpejtësi të paparë, në ato qendra të frekuentuara shumë, i shkaktuan ato vrasje në numër shumë të madh dhe në një mënyrë u arrit ai efekti i paraparë, dhe tani askush më nuk mund të shëtitet i qetë nëpër qendrat botërore. Deri në eliminimin në tërësi të ISIS-it, do të kemi ballafaqime të tilla edhe më tutje, sepse ata nuk do të dorëzohen deri në fund, dhe do të mundohen t’i realizojnë qëllimet e tyre, që dikur e kanë pasur në plan të krijimit të shteteve radikale islamike në stilin e tyre sikur e kanë planifikuar, sikur që ata e kanë kuptuar dhe u munduan t’i krijojnë ato shtete atje ku luftuan”, ka përfunduar  Tërnava.

Kujtojmë se sulme të ngjashme si në Barcelonë ka pasur më herët edhe në Turqi, Francë, Britani, etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat