Mustafa: Ja kush është përgjegjës për gjendjen aktuale në Kosovë

Aktuale

Mustafa: Ja kush është përgjegjës për gjendjen aktuale në Kosovë

Më: 16 gusht 2017 Në ora: 09:02
Kryeministri, Isa Mustafa

Kryeministri, Isa Mustafa tha të mërkurën se deri tani të gjitha vendimet e mëdha janë marrë me mbështetje të fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të miqve evropian.

Mustafa në një postim në rrjetin social Facebook, ka shkruar për proceset e fundit në vend, duke thënë se përgjegjësinë për të gjetur zgjidhjen e kanë ata që e shkaktuan këtë gjendje .

Sipas tij, ata tani duhet të mendojnë dhe të veprojnë ndryshe, jo vetëm si me prishë, por si me ndërtua.

Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:

“Kush dhe si merr vendime të mëdha?

Si fëmijë shkoja kohëve të pushimeve shkollore nga Prishtina në fshatin tim Prapashticë, te axha im. Një herë, deri sa isha para shtëpisë, vërejta se po ecte ngadalë, si duke u hamendur, një fqinjë i yni me plis dhe maramë në pikun e verës. I u drejtova, hajde o bacë, a po vjen brenda. Ma ktheu “ jo biro, veç dola po eci, e po bej seri e po bej…deri sa mo s’po di si me bo”. Bacin e kishte rënduar varfëria, familja e madhe dhe kërkonte derë për zgjidhje.

Në këto ditë do të doja të shoh një të mençur të na thoshte sesi të marrim vendime të mëdha, të cilat u morën si pretekst për të ardhur në këtë situatë, që as Kuvendin s’po arrijmë të konstituojmë. Si të zgjidhim liberalizimin e vizave, për qytetarët tanë , të cilët të vetmit kanë mbetur të izoluar në Evropë, e që lidhet me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Kush do ti sigurojë 80 vota në kuvend. A do të votohet marrëveshja e cila është pajtuar me Malin e Zi apo do të kërkohet tjetër marrëveshje. A do të pajtohet Mali i Zi të bëjë një marrëveshje tjetër , pasi ka ratifikuar në Parlament marrëveshjen e pajtuar me ne. Nëse jo, sa do të zgjasin procedurat në arbitrazh ndërkombëtar dhe sa do të shtyhet liberalizimi, pasi që Komisioni Evropian ka konkluduar se ratifikimin duhet ta bëjë Kuvendi i Kosovës e jo arbitrazhi ndërkombëtar.

Si do të procedohet me dialogun me Serbinë, me të cilin lidhet rruga jonë e integrimeve evropiane.

Si do të transformohet FSK në Forcë të Armatosur, dhe si do të ruhet partneriteti me NATO-n dhe me SHBA-të, në situatën kur serbet në kuvend refuzojnë të votojnë ndryshimet kushtetuese që lidhen me këtë materie, ndërkaq partnerët tanë thonë se kjo duhet të bëhet me pajtueshmëri të gjere dhe me ndryshime kushtetuese.

Si do të forcohet shteti ligjor, më konkretisht si do të luftohet krimi dhe si do të luftohet korrupsioni.

Kush janë ata “të fortit” që marrin vendime “të mëdha”: Komandantët? Molotovët? Paqësorët?

Kam dëgjuar deklarata të ndryshme se Kosovës i nevojiten liderë që marrin vendime të mëdha. Por për të marrë vendime të mëdha duhet pasur madhësinë e pasuesve, si qytetarë apo deputetë që përfaqësojnë sovranin. Në Kosovë, maksimalisht arrihet te një e treta.

Deri tani, ne kemi marrë vendime të mëdha, por të gjitha këto vendime i kemi marrë me mbështetje të fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të miqve tanë evropian. Vendimi për shpalljen e pavarësisë. Vendimi i gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë. Marrëveshjet e dialogut me Serbinë. Njohjet e pavarësisë nga shtete të ndryshme.

Votat që LDK i ka dhënë në Kuvend deri sa ishte në opozitë, për disa vendime të mëdha, por jo të lehta, janë pajtime të arritura me faktorin ndërkombëtar, në rend të parë me SHBA për të quar përpara proceset e pavarësisë dhe të shtetndërtimit. Si LDK nuk kemi dhënë votë për zgjatjen e vendeve të rezervuara për përfaqësuesit joshumicë në Kuvend. Nuk e kemi përkrahur fusnotën.

Konsideroj se përgjegjësinë për të gjetur zgjidhjen e kanë ata që e shkaktuan këtë gjendje . Ata tani duhet të mendojnë dhe të veprojnë ndryshe, jo vetëm si me prishë, por si me ndërtua”. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat