Haxhiu tregon pse Vetëvendosje nuk shkon në takimin e thirrur nga Mikullovci

Aktuale

Haxhiu tregon pse Vetëvendosje nuk shkon në takimin e thirrur nga Mikullovci

Më: 14 gusht 2017 Në ora: 22:47
Albulena Haxhiu

Pas dështimit të vazhdimit të seancës konstitutive për herë të pestë sot, kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci, ka thirrur një tjetër takim konsultativ më datë 16, ditë e mërkurë në orën 10:00.

Por për këtë takim, partia nga vjen kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci, nuk do të marrë pjesë.

Në një prononcim deputetja e kësaj partie Albulena Haxhiu, ka thënë se është e drejtë e Mikullovcit të thërrasë takime të tilla deri në konstitutimin e Kuvendit, por për ta si parti është e papranueshme pasi PAN-i po tenton të imponojë të drejtën e vetos.

“Kryesuesi i seancës konstitutive, deputeti Mikullovci, ka të drejtat e plota për të thirrur seancë deri në konstituim të Kuvendit. Koalicioni PAN po tenton të imponojë të drejtën e vetos dhe kjo për ne është e papranueshme”, ka thënë Haxhiu.

Kryesuesi i Kuvendit, pas dështimit të vazhdimit të seancës së sotme, thirri takim konsultativ me të gjitha partitë, me ç’rast tha: “Lus edhe Lëvizjen Vetëvendosje të marrë pjesë në këtë takim, le t’i formojmë sa më shpejt institucionet e vendit”.

Por një lutje e tillë nga Mikullovci, e cila menjëherë pas ndërprerjes së seancës mori përgjigje nga përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili tha para mediave se “Lëvizja Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në këtë takim”, dhe se nuk besonte që do të ndryshonin qëndrim, u vazhdua edhe nga deputetja Albulena Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se qëndrimet e tyre i marrin pas diskutimeve në organet e tyre.

Ajo ka shtuar se këto takime të thirrura nga kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit, janë vetëm në shërbim të PAN-it.

“Qëndrimet tona i marrim pas diskutimeve në organet tona. Ne kemi vlerësuar që këto takime konsultative janë në shërbim të koalicionit PAN. Atyre ju duhet më shumë kohë për t’i realizuar qëllimet e pista për blerje të deputetëve sepse kështu funksionojnë ata. Në vend të takimeve konsultative, koalicioni PAN duhet të ndërpresë bojkotin dhe t’i kthehet seancave, të bëjnë propozimin e tyre për kryetar Kuvendi. Pra ne jemi konsistent në qëndrimet tona dhe nuk do të jemi të pranishëm në takimin konsultativ të së mërkurës”, ka thënë Haxhiu. Në këtë takim të thirrur për ditën e mërkurë do të jenë prezentë koalicioni PAN dhe koalicioni LAA.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat