Kujtim Shala do të jetë kandidat i LAA-së për nënkryetar të Kuvendit

Aktuale

Kujtim Shala do të jetë kandidat i LAA-së për nënkryetar të Kuvendit

Më: 10 gusht 2017 Në ora: 19:18
Kujtim Shala

Koalicioni LDK-AKR-Alternativa, tashmë ka vendosur që kandidati i tyre për nënkryetar të Kuvendit, të jetë ish-ministri i Kulturës, Kujtim Shala.

Lajmin e ka konfirmuar kandidati për kryeministër nga koalicioni LAA, njëherësh edhe Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

“Kryesia e LDK-së, bazuar në kompetencat që ka në mbledhjen e rregullt ka vendosur që deputeti Kujtim Shala të propozohet për nënkryetar të Kuvendit. Deputeti Shala është zgjedhur për herë të dytë si deputet i Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Hoti.

Ai ka shprehur bindjen se Shala do të marrë mbështetjen e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës për tu zgjedhur nënkryetar i Kuvendit, e kjo sipas Hotit pasi që Shala ka përvojë të gjatë në skenën politike dhe ka luajtur rol shumë konstruktiv dhe luajtur me kapacitete të ndryshme ku ka qenë i angazhuar.

“Grupi Parlamentar i LAA do të informohet në mbledhjen e ardhshme të grupit për këtë dhe jam i bindur se të gjithë do ta mirëpresin këtë propozim”, u shpreh Hoti.

Kuvendi i Kosovës ka 5 nënkryetarë, ku tre janë nga partitë shqiptare që kanë numrin më ta madh të votave në Kuvend dhe dy nga minoritetet.
Nënkryetarët e Kuvendit zgjidhen me shumicë votash së bashku me kryetarin e Kuvendit.

Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës e dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit ende nuk është konstituar. Kjo pasi ende nuk është zgjedhur kryetari i Kuvendit, e pa zgjedhjen e tij nuk mund të zgjidhen as nënkryetarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat