Gjykata nuk e hedh poshtë rastin “Stenta”

Aktuale

Gjykata nuk e hedh poshtë rastin “Stenta”

Më: 5 gusht 2017 Në ora: 21:26
Ilustrim

Rasti gjyqësor i njohur si “Stenta”, ku 44 mjekë dhe një infermier akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, do të vazhdojë me shqyrtim gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Gjyqtarja e rastit, Shadije Gërguri, ka refuzuar kërkesën e mbrojtësve për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se provat e propozuara në aktakuzë krijojnë dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit janë kryerësit e veprave penale për të cilat akuzohen.

Këtë aktvendim, avokati mbrojtës, Besnik Berisha, e quajti shabllon të pambështetur në ligj.

“Gjykata ka dështuar të bëjë dallimin në mes veprës penale dhe shkeljes së ligjit mbi shëndetësinë, por, gjithsesi besoj që instancat tjera do ta korrigjojnë padrejtësinë ndaj shumicës së mjekëve të akuzuar dhe pacientëve të torturuar nga ana e Prokurorisë”, shtoi Berisha.

Në seancën fillestare të mbajtur më 19 maj të këtij viti u lexua aktakuza e ngritur gati një vit më parë. Ndonëse munguan dy nga të akuzuarit, Murat Abazi e Hajdin Çitaku, aktakuza u lexua nga ana e prokurores së rastit ku më pas të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Pas leximit të aktakuzës kryetarja e trupit gjykues i dha 30 ditë kohë mbrojtjes për të paraqitur kundërshtimet e tyre ndaj aktakuzës.

Të akuzuarit dhe mbrojtësit kishin paraqitur kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Në rastin “Stenta” të akuzuar janë 44 mjekë dhe një infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor. Pjesë e këtij gjykimi janë ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe sekretari i përhershëm i kësaj ministrie, Gani Shabani, që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë lëshimit të lejeve për trajtimin e pacientëve jashtë vendit. Sipas aktakuzës, këta të pandehur, duke vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, këta dy të akuzuar i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës. /Kallxo.com

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat