Presidenti shkel ligjin jep shembull të keq

Aktuale

Presidenti shkel ligjin jep shembull të keq

Më: 24 korrik 2017 Në ora: 19:06
Presidenti Hashim Thaçi me djalin Endritin

Në një fotografi të publikuar në rrjetet sociale, Presidenti i vendit ka dhënë një shembull jo të mirë për zbatimin e ligjit.

Presidenti së bashku me djalin Endritin kanë treguar se nuk e zbatojnë rregullin për ta vendosur rripin e sigurisë gjatë qëndrimit në makinë.

Sipas ligjit, mospërdorimi i rripit të sigurisë konsiderohet kundërvajtje që gjobitet me 40 euro.

Të kontaktuar për këtë çështje Policia e Kosovës e cila është në eskortën e Presidentit nuk ka dashur të komentojë nëse Presidenti dhe djali i tij kanë kryer kundërvajtje.

I konstatuar nga kallxo.com zëdhënësi Daut Hoxha ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me e-mail, ndërsa në të njëjtin nuk janë përgjigjur.

Përgjigje për këtë çështje nuk ka dhënë as këshilltari për siguri i Presidentit Bashkim Smakaj.

Familja e Presidentit Thaçi ka në pronësi një veturë të tipit Audi. Bazuar në deklarimin e Pasurisë që Thaçi ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, veturën e ka blerë në vitin 2016, ndërsa ajo ka një vlerë prej 15 mijë eurove.

Eksperti i Komunikacionit, Shemsedin Hajdari është i mendimit  se Presidenti Thaçi nuk ka dhënë mesazh të mirë te qytetarët, pasi që personat me pozita shoqërore e politike duhet të japin vetëm shembuj të mirë tek qytetarët.

“Ai i cili shkel rregullat nuk jep shembuj të mirë, përkundrazi ai apo djali i tij që ka funksione politike apo shoqërore duhet të kenë kujdes në sjellje dhe veprime”, thotë Hajdari.

Javë më parë kallxo.com raportoi edhe për shkeljet e ligjit të trafikut të kryera nga kreu i PDK-së Kadri Veseli. Deri më tani Policia e Kosovës nuk ka njoftuar t’u ketë shqiptuar tiketa të trafikut këtyre zyrtarëve./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat