Përkrahja dhe tërheqja e Teuta Rugovës për Haradinajn në PAN

Aktuale

Përkrahja dhe tërheqja e Teuta Rugovës për Haradinajn në PAN

Nga: A.M. Më: 21 korrik 2017 Në ora: 13:52
Teuta Rugova

(E plotësuar) - Vajza e presidentit historik, Ibrahim Rugova, Teuta, tash deputete e LDK, ka reaguar në lidhje, që sipas saj keqkuptimin e deklaratës së saj.

Ajo ka shkruar se është deputete e LDK-së dhe nuk do të veprojë jashtë qëndrimit të LDK-së.

“Mendoj se deklarata ime e mëparshme është keqkuptuar nga disa në raport me qëndrimin tim sepse shumë thirrje e mesazhe më kanë ardh me pyetje rreth votës time. Unë jam deputete e LDK-së dhe as tash nuk do të veproj as edhe kurrë më parë nuk kam vepruar jashtë qëndrimit të LDK-së”, ka shkruar Teuta Rugova, përcjellë “Bota sot”.

Flet Teuta Rugova pas takimit me Haradinajn

Vajza e Presidentit historik Ibrahim Rugova si dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Teuta Rugova ka dal me një letër të hapur drejtuar votuesve të  saj duke sqaruar vizitën e kandidatit të Pan për kryeministër, Ramush Hardainaj në rezidencën e tyre.

Rugova ka thënë se është deputete e zgjedhur e LDK-së dhe ashtu si kam vepruar e votuar në të kaluarën do të veproj edhe gjatë këtij mandati duke pasur interes primar gjithmonë ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës.

Letra e plotë:

Së pari dua t’ju falënderoj të gjithëve për besimin që më keni dhënë që t’ju përfaqësoj në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Njëkohësisht uroj të gjithë kolegët që janë zgjedhur dhe ju siguroj se do të vazhdojmë të gjithë së bashku të punojmë me përgjegjësinë më të lartë për shtetin tonë. Më vije keq për koleget të cilët nuk janë zgjedhur, duke u ndëshkuar nga elektorati për arsye të respektimit të vendimeve të partisë, në votimet e ndryshme që kemi pas në Kuvend.

Unë e di se me qëndrimin tim në sallën e Kuvendit dhe me pjesëmarrjen time në votimin për president ne shkurtin e vitit te kaluar mund të ju kam zhgënjyer, mirëpo kjo ka qenë drejtpërdrejtë vazhdimësi e traditës së babait tim, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, që të respektojmë marrëveshjet dhe të bëjmë kompromise të mëdha.

Babai im, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, gjithmonë ka punuar për një Kosovë të Pavarur, Demokratike e integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në lidhje dhe miqësi të përhershme me SHBA-të. Presidenti Rugova nuk e ka krijuar LDK-në për opozitë, sepse LDK është thelbi i shtetësisë së Kosovës dhe gjithmonë do të jetë.

Sot familja jonë priti në një vizitë miqësore z. Ramush Haradinaj në shtëpinë tonë. 

Nëse dikush dëshiron inate dhe bllokada, ja ku është Serbia, ja ku është Mitrovica, ja ku është inati me BE-në që po na mbanë të izoluar, ja ku janë shtetet që nuk na njohin dhe ja ku janë grupet politike që anatemojnë shtetin tonë! Unë e di se si do të kishte vepruar babai im, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova! E dini edhe JU! Andaj veproni!

Demokracia zhvillohet kur të fuqizohet pavarësia e shtetit tonë, sakaq edhe trinomi i babait tim, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova: Liri, Pavarësi dhe Demokraci që nënkupton lirinë qe e fituam më 1999, pavarësinë e Kosovës të njohur më 17 shkurt 2008, por duhet të punojmë shumë që të bëhemi shtet anëtar i plotë i OKB-së dhe atëherë e kemi sigurinë tonë dhe mund të përqendrohemi në demokratizimin e vendit si pikë e tretë e trinomit të Presidentit Rugova. Demokracinë tonë në Kosovë që është ende e re, po e mbanë peng reforma shumë e nevojshme zgjedhore, që duhet të ndodhë sa më parë, me qëllim të tejkalimit të ngërçeve që po ndodhin secilën herë pas proceseve zgjedhore.

Unë kërkoj nga strukturat udhëheqëse të LDK-së, që në Qeverinë e gjerë dhe stabile që po kërkohet nga miqtë tanë të përhershëm, SHBA-të dhe BE-ja, në marrëveshjen e koalicionit, para ndarjes së përgjegjësive qeveritare të vendosen prioritetet për qytetarët e Kosovës, e që janë: formimi i ushtrisë, zgjidhja e problemit të demarkacionit që do të rezultonte me liberalizim vizash, reforma zgjedhore dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës.

Nuk është e drejta jonë të injorojmë votën e qytetarit, por nuk është as e drejta jonë të injorojmë bashkëpunimin e ngushtë të babait tim, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, me Ramush Haradinajn. Unë ju siguroj se babai im, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, në situatën e sotme kurrsesi nuk do të kishte udhëhequr LDK-në në asi mënyre që të bllokoj proceset dhe të injoroj rekomandimet e miqve tanë të përhershëm, SHBA-ve dhe BE-së. TR

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat