Khalilzad: Presidentit Bush i thashë se pavarësia e Kosovës s’ka alternativë

Aktuale

Khalilzad: Presidentit Bush i thashë se pavarësia e Kosovës s’ka alternativë

Më: 26 qershor 2017 Në ora: 22:10
Ish-ambasadori amerikan në OKB Zalmay Khalilzad

Ish-ambasadori amerikan në OKB, që mbështeti pavarësinë e Kosovës në organizmin më të lartë ndërkombëtar, Zalmay Khalilzad, ka folur për rolin që ka pasur në procesin e pavarësimit të Kosovës.

Para se të vinte më 2007, për herën e parë, Khalilzad ka thënë se nuk ka ditur shumë për Kosovën.

Khalilzad ka folur edhe për një iniciativë të ambasadorit rus në OKB atë botë, Vitaly Churkin.

“Ishte një iniciativë e ambasadorit Churkin, i cili kërkonte që një mision faktmbledhës të vijë në Kosovë duke besuar se ai do t’i ndryshonte pikëpamjet e disa anëtarëve sidomos nga shtetet e botës së zhvilluar”, ka thënë ai.

“Kur erdha këtu u bë i qartë kompleksiteti i Kosovës, isha i impresionuar nga kompozicioni që ishin të vetëdijshëm për komunitetin serb, egjiptian e të tjerët”, ka vazhduar Khalilzad.

Ai ka shpjeguar se të gjitha grupet që i ka takuar e nxitnin atë dhe luteshin për pavarësinë e shtetit të Kosovës.

“Një përqindje e madhe ishte në favorin e saj”, ka thënë ai.

“Pas vizitës time u binda se pavarësia ishte zgjidhja e vetme për Kosovën dhe mendoj që kjo ka qenë një kundërefekt i iniciativës së Rusisë”, ka vazhduar Khalilzad.

Më tej ai ka folur edhe për takimet që ka zhvilluar me presidentin e atëhershëm të SHBA-së, George W. Bush si dhe sekretaren e shtetit Condoleezza Rice, ku ju ka thënë se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur.

“Isha angazhuar në vendet e zonës së luftës dhe kisha zhvilluar një marrëdhënie të ngushtë me presidentin Bush”, ka thënë Khalilzad.

“Dhe presidentit Bush i shpjegova se në Kosovë, nuk kishte alternativë tjetër përveç se një Kosove të pavarur”, ka shtuar ai.

"Jam takuar me sekretaren e shtetit Rice e cila kishte marrëdhënie të mira me presidentin”, ka treguar Khalilzad.

Pavarësimin e Kosovës, Khalilzad ka thënë se e kishte marrë si përgjegjësi në ditën e parë të punës si ambasador.

“Kam marrë përgjegjësitë e mia si ambasador i SHBA-ve në ditën kur kam udhëtuar për në Kosovë, e kisha marrë detyrën atë ditë”, ka deklaruar ai.

Khalilzad ka treguar se cilat pozita diplomatike ka mbajtur gjatë jetës.

“Kam shërbyer si ambasador i SHBA-ve në Afganistan dhe kam punuar edhe në Shtëpinë e Bardhë dhe kjo e përmbyll biografinë time”, ka thënë ai.

“I vlerësoj të gjithë ata që kanë punuar me mua në Irak dhe në Lindje të Mesme”, është shprehur Khalilzad.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat