"Linçimi", kërcënim për dialogun Kosovë - Serbi

Aktuale

"Linçimi", kërcënim për dialogun Kosovë - Serbi

Më: 14 qershor 2017 Në ora: 21:36
Demonstratat e aktivistëve djathtistë me thirrjet "Kosova është zemra e Serbisë"

Është shndërruar në një model shqetësues në Serbi së voni: ata që tentojnë të përmirësojnë marrëdhëniet me Kosovën fqinje, mund të ndeshen me të rinjtë ultra-nacionalistë me mendime të "dhunshme" dhe të zjarrtë në përpjekjet e tyre.

Megjithëse mund të duket ngjarje e pa dëmshme - një shfaqe filmi, festival, vizitë nga ndonjë zyrtar i lartë - të rinjtë serbë e shohin si mundësi për përçarje, duke bërë thirrje për presidentin e ri serb Aleksandar Vuçiq që të përmbush zotimin e tij për nisjen e dialogut të brendshëm për Kosovën.

Së fundi, kërcënimet nga një grup i të rinjve të krahut të djathtë që e quajnë veten "Zavetnici", kanë nxitur organizatorët e shfaqjes së dokumentarit "Kosovo Cheers" në Novi Sad, ta ndërrojnë lokacionin.

Filmi nuk ka përmbajtje të luftës së Kosovës në fund të viteve '90, apo rrugës së Kosovës për pavarësi. Më shumë shfaq një pjesë të përditshmërisë në Kosovë, duke u fokusuar në shpresat dhe shqetësimet e komuniteteve - serbë etnikë dhe shqiptarë etnikë.

"Ideologjia e mbyllur"

Regjisori i filmit Aleksandar Reljic, i tha Radios Evropa e Lirë se qëllimi ishte të promovohej dialogu dhe jo të shtypet ai.

"Ironia është se filmi trajton njerëz të rëndomtë, të lirë nga ideologjitë e kufizuara që mund t'i ndalojnë nga komunikimi me të tjerët dhe kjo duhej të shërbente si shembull për njerëzit që bashkëjetojnë pavarësisht nga politika apo dallimet tjera etnike", tha ai.

Edhe pse u morën masa për siguri të mjaftueshme të kësaj ngjarjeje, grupi "Zavetnici" ia doli të pengojë shfaqjen e dokumentarit më 12 qershor. Ata akuzuan producentët e dokumentarit, duke deklaruar se kanë shtrembëruar rolet duke shfaqur ushtrinë serbe si okupatore, ndërkaq ushtrinë kosovare si çlirimtare.

Këto zhvillime ndodhën më pak se dy javë pas incidentit që bëri Iniciativën Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), të dërgojë një letër të hapur për presidentin Vuçiq, duke i kërkuar që të mbrojë hapësirën publike nga të gjitha format e gjuhës së urrejtjes dhe dhunës.

"Zemra e Serbisë"

Letra erdhi pas disa ngjarjeve të organizuara nga YIHR dhe organizata të tjera në Beograd - duke përfshirë edhe festivalin Mirëdita, Dobar dan - që u pengua dhunshëm nga Zavetnici.

Beograd: Incident në festivalin "Mirëdita, Dobar dan"

Duke përdorur fjalor poshtërues për shqiptarët e Kosovës, pjesëtarët e këtij grupi mbanin fotografi të politikanëve kosovarë dhe vëllezërve Bytyqi që u vranë gjatë mbajtjes nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë - duke i quajtur terroristë.

Zavetnici ka penguar një performancë nga artistët kosovarë, duke kënduar këngë nacionaliste dhe duke e quajtur Kosovën "Zemra e Serbisë".

Një vizitë e planifikuar nga ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në këtë festival, që mbahej nga 31 maji deri më 3 qershor, u anulua pas veprimeve dhe kërcënimeve të Zavetnici. Ajo iu adresua publikut përmes një videoje nga Prishtina, duke shprehur keqardhje për pamundësinë për të marrë pjesë në këtë festival.

Jahjaga do të promovonte një libër që adreson një nga krimet më të paraportuara të luftës - dhunimin.

Ajo kishte shkruar parathënien e librit "Dua të Dëgjohem", duke u bazuar në dëshmitë e viktimave. Gjatë punës së saj, Jahjaga ka shfrytëzuar autoritetin për të hapur temën e dhunimeve gjatë luftës dhe ky libër ishte vazhdimësi e kësaj iniciative.

Megjithatë, autoritetet serbe nuk ishin në gjendje të ofronin masat e duhura të sigurisë për vizitën e saj.

"Një turmë e zhurmshme"

Në letrën dërguar presidentit, YIHR ia kujtoi Vuçiqit premtimin që bëri në fjalimin inaugurues për inicimin e dialogut për Kosovën në Serbi.

"Vetëm duam t'ju informojmë se një dialog shumë substancial dhe intensiv për këtë çështje ka qenë në vazhdimësi për vite nën rrethanat e shoqërisë civile në rajon. Por, në ditët e fundit dialogu është rrezikuar nga kërcënimet fizike dhe atmosfera linçuese e krijuar nga djathtistët dhe grupet e tifozerive të futbollit".

"Ngjarjet që shërbejnë si platformë për dialogun, janë penguar dhunshëm, kërcënimet ndaj anëtarëve të organizatave joqeveritare janë të hapura dhe eskalimi i dhunës është i pashmangshëm, derisa shteti është i përgatitur të marrë masa. Universiteti i Beogradit dhe Klubi i Rinisë në Beograd (Dom Omladine) nuk janë më gardianë të lirisë së mendimit dhe debatit të hapur, sepse kanë qenë të izoluar nga një turmë e zhurmshme që është e aftë t'i shpreh pikëpamjet vetëm me dhunë".

Mirëdita, Dobar Dan, që u mbajt për vitin e katërt me radhë, sjell artistë, gazetarë dhe figura publike nga Kosova në Beograd, për tu takuar me anëtarë të shoqërisë civile në Serbi dhe organizata kulturore.

Festivali u krijua për të normalizuar raportet mes Kosovës dhe Serbisë, një funksion që e ka kryer me liri relative deri tash.

Këtë vit, megjithatë, 30 anëtarë të Zavetnici filluan të pengojnë ngjarjet e festivalit dhe përkundër pranisë së forcave të sigurisë, ata ia dolën të futen brenda hapësirës së festivalit. Çdo ditë e më shumë gjatë festivalit, veprimet e tyre bëheshin më të dhunshme.

Festivali i vitit 2017 u inaugurua zyrtartisht nga Alban Ukaj, një aktor kosovar që u paraqit shpesh në teatrot e Beogradit.

"Organizatorët kanë bërë bashkë një program shumë të mirë. Të rinjtë po bëhen bashkë për të diskutuar, për të shkëmbyer mendimet, për të menduar bashkë.. është shumë mirë. Por, ka edhe diçka që nuk është edhe aq e lehtë dhe ndoshta jo shumë e duhur për ta diskutuar lidhur me hapjen e festivalit", tha Ukaj.

"Ajo "diçka" është turp. Sot, nuk është turpëruese të urresh, sot askush nuk është i turpëruar për pjesëmarrje në vrasje dhe pastaj mbulim të krimit, sot nuk jemi të turpshëm të qëndrojmë të heshtur", tha Ukaj, duke shtuar se ndjen keqardhje që festivali duhet të mbahet në rrethana të frikës së dhunës.

Sipas portalit serb Pescanik, festivali Mirëdita, Donar Dan - i mbështetur nga Vuçiq vitin e parë - nuk promovon politikanët kosovarë, por jep një platformë për "artistët që kanë qëndruar përballë politikanëve të tyre me më shumë guxim dhe vendosmëri se sa "Zavetnici" dhe tifozët e futbollit të kësaj bote".

Nën rrethimin e ultra-nacionalistëve të trimëruar sikur Zavetnici - anëtarët e të cilës u takuan me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov gjatë vizitës në Beograd dhe u pritën nga partia e kontrolluar nga Kremlini e Rusisë së Bashkuar gjatë vizitës në Moskë më 2016, - YIHR po kërkon nga Vuçiq të përdorë autoritetin si president " për të mbrojtur gardianët e të drejtave të njeriut, siguria e të cilëve është nën kërcënim.

"Ne besojmë se fraza dhe baza për një dialog të vazhdueshëm mund të jetë slogani "Urrejtja është e turpshme", shkruhet në letër. Presidenti Vuçiq ende nuk është përgjigjur./rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat