Këshilli Prokurorial kërkon buxhet shtesë për vitin 2018

Aktuale

Këshilli Prokurorial kërkon buxhet shtesë për vitin 2018

Më: 14 qershor 2017 Në ora: 12:24
Këshilli Prokurorial i Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka miratuar kërkesën për buxhet shtesë për vitin 2018 në shumë prej 3 milionë e 521 mijë euro. Këto mjete janë kërkuar për kategorinë e pagave dhe mëditjeve, për mallra dhe shërbime, si dhe për investime kapitale.

Kryesuesi i Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel dhe anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, prokurori  Zejnulla Gashi paraqiti kërkesën për buxhet shtesë, pasi sipas tij, janë katër sfida me të cilat po përballen.

Gashi: Buxheti shtesë i kërkuar është 3.5 milionë euro

“Nevoja për personel shtesë dhe ngritja e kapaciteteve të sistemit të KPK-së, mjete të nevojshme për kategorinë e pagave dhe mëditjeve, mjete të nevojshme për mallra dhe shërbime dhe investimet kapitale. Për të gjitha këto sfida është arsyetuar nevoja për mjetet shtesë, duke përcaktuar edhe shumën e mjeteve të nevojshme. Buxheti shtesë i kërkuar për vitin 2018 përveç asaj që është në qarkoren buxhetore, është për paga dhe mëditje 1 milion e 707 mijë, për mallra dhe shërbime është 1 milion e 014 euro, për investime kapitale është 800 mijë që në total janë 3 milionë e 521 mijë euro”, tha Gashi.

Arsyetimin e kësaj kërkese e ka bërë drejtori i sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, sipas të cilit në qarkoren buxhetore nuk janë aprovuar kërkesat për personel shtesë dhe për mallra dhe shërbime.

Krasniqi: Buxheti aktual nuk i plotëson nevojat

“Numri i stafit të aprovuar është njëjtë, nuk është aprovuar staf shtesë, po flas për qarkoren buxhetore, ndërsa për kategorinë e pagave është aprovuar një shumë më e lartë, këtë duhet ta dëgjojmë në dëgjime me MF-në dhe të dimë për çka është dhënë ky numër. Te kategoria e mallrave dhe shërbimeve kemi një shumë prej 344 mijë euro shtesë nga viti i kaluar, por prapë ky buxhet nuk i plotëson nevojat që kemi. Ndërsa te kategoria e investimeve kapitale kemi një buxhet shtesë prej 47 mijë euro, ndërsa te kjo kategori nuk kemi kërkesë shtesë se i plotëson nevojat”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se kërkesa është bazuar në sfidat që kanë, siç nevoja për personel shtesë, mungesa e mjeteve për mallra, shërbime dhe për shërbime tjera.

Krasniqi: Kemi nevojë për personel shtesë

“Kërkesa shtesë është bazuar në dokumentin edhe sfidat që janë paraqitur në kërkesë, e këto janë. Nevoja për personel shtesë, mjetet e pamjaftueshme të kategoria mallra dhe shërbime për disa shërbime dhe sidomos të disa kategori specifike që janë dhënë në kërkesë. Lidhur me personelin, ne kemi bërë kërkesë shtesë lidhur me personelin. Për bashkëpunëtor profesional pasi në tërë sistemin prokurorial janë vetëm 10 pozita të aprovuara të bashkëpunëtorëve profesional dhe është bërë kërkesa që së paku të jetë një bashkëpunëtor për dy prokuror, është bërë kërkesa për 90 bashkëpunëtorë shtesë. Është bërë kërkesë për 17 zyrtarë ligjor shtesë që të mbulojnë prokurorë që përfundojnë trajnimin në fund të këtij viti dhe fillojnë si prokuror në fillim të vitit të ardhshëm”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka bërë të ditur se kanë nevojë edhe për 500 mijë euro shtesë për pagesat e avokatëve që angazhohen sipas detyrës zyrtare.

KPK-ja në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe Udhëzimin administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzimit administrativ për përcaktimin e shpenzimeve te reprezentacionit dhe Udhëzim administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzimit administrativ për përdorimin e telefonave fiks dhe mobil në KPK dhe prokuroritë e Kosovës.

Po ashtu KPK ka miratuar kërkesën e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj për vazhdimin e transferit të prokurorit Arben Ismajli, në këtë prokurori edhe për 6 muaj. Ndërsa, raport i Komisionit për Vlerësimin e Performancës së 16 prokurorëve dhe kërcënimin e një prokurori të Prokurorisë Themelore të Prizrenit është mbajtur me dyer të mbyllura.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat