Mustafa në Rahovec: Do të rrisim pagat në sektorin privat

Aktuale

Mustafa në Rahovec: Do të rrisim pagat në sektorin privat

Më: 5 qershor 2017 Në ora: 16:55
Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti

(E plotësuar) - Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit LDK-AKR –Alternativa Avdullah Hoti, bashkë me partnerët e koalicionit ka qëndruar sot në vendlindjen e tij në Rahovec.

Hoti nuk e ka shpalosur programin e koalicionit para bashkëvendësve të tij duke ia lënë këtë punë kryetarit të partisë, Isa Mustafa.

Hoti beson shumë se rahovecianët do ta tregojnë veten më 11 qershor duke votuar koalicionin LDK-AKR-Alternativa.

Hoti: E kam vështirë të flasë në vendin tim të lindjes

“Unë besoj fuqishëm se dega e Rahovecit , aktivistët e LDK-së tani bashkë me parterët e nderuar të koalicionit do të dëshmojnë fuqishëm me datën 11 qershor...Mirë se keni ardhur në Rahovec këtu jam në shtëpinë time. Unë dëshiroj me ndërru protokollin, e kam vështirë në shtëpinë time të flas. Do të kërkoj prej kryeministrit Mustafa që të marrë fjalën menjëherë t’i flas edhe punën që kemi bërë në Rahovec dhe gjithandej edhe për programin që ky koalicion ka me e realizuar , bashkë me parterët tanë “, tha Hoti.

Duke e marrë fjalën para simpatizantëve të LDK-së në këtë qytezë të vogël Mustafa tha se e kanë shumë seriozisht kur thonë se Avdullah Hoti do të bëhet kryeministër i Kosovës.

 Ai u premtoi qytetarëve të Rahovecit se Hoti do të marrë vendime të mëdha, ndërsa premtoi rritje të pagave në sektorin publik,  por edhe në atë privat.

Mustafa: Hoti do të rrisë pagat në sektorin publik dhe në atë privat

“Unë iu siguroj që kryeministri ynë i ardhshëm do ta bëjë çdo gjë që të gjejë një përgjigje të përbashkët me të gjithë partitë në Parlament , në mënyrë që kjo të realizohet . E kemi formimin e ushtrisë sonë dhe anëtarësimin në NATO,  si objektiv tjetër që ne do ta arrijmë dhe mund ta arrijmë ...Të bëhemi anëtar i këshillit të Evropës, UNESCO-s dhe të bëhemi anëtare në institucionet më të rëndësishme të botërore . Ne do ta kemi buxhetin që do t’u plotësojmë të gjitha nevojat e bujqësisë, do të bëjmë edhe tek rritja e pagave por jo vetëm në sektorin publik . Ne jemi përgatit që t’i rrisim pagat, ministri jonë tani kryeministër i ardhshëm i ka bërë punën e tij janë bërë të gjitha përgatitjet që të rriten pagat dhe ai do t’i rris pagat menjëherë si ta marrë qeverisjen e vendit. Sepse parat  i ka, zyrën e ka. Unë iu thashë se nuk do ti rrisim pagat vetëm në sektorin publik por do të rrisim edhe në sektorin privat. Ne e kemi pakon e dytë fiskale e cila është pak e rëndë me iu shpjeguar juve, sepse edhe mua me ma shpjeguar është e rëndë  e cila do t’i ulë shpenzimet e të bërit biznes tek ne edhe për të gjitha ato shpenzime që do t’i ulë tek bërit biznes ne do t’i rrisim fondet tek sektori privat...Do ti rrisim pensionet dhe do ta kenë më mirë ata që e kanë pagën minimale sepse do ta rrisim pagën minimale së paku në 200 euro e do ta rrisim edhe më tutje ”, tha Mustafa

Partneri i koalicionit me LDK-në, kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, ka premtuar rritje të buxhetit, dhe ekonomisë deri në 8 përqind , e po ashtu ka premtuar se rrushi i Rahovecit do të ketë mundësi të plasohet jashtë vendit.

Pacolli: Do të mundësojmë që rrushi i Rahovecit të plasohet jashtë

“Rritje ekonomike deri në 8 përqind . Ne do të ndërtojmë fabrika do të hapim veprimtari ekonomike si në fshat ashtu edhe në qytet . Ne do të arrijmë rritje ekonomike deri në 8 përqind, rritja deri në 8 përqind do të thotë rritje të buxhetit , rritje të të hyrave për kokë banori . Do të ketë investime kapitale shumë më të mëdha se tani. Do të përmirësojmë infrastrukturën edhe shëndetësore edhe shkollore po edhe rrugore. Edhe do të përmirësojmë ambientin tonë .Krijimi i tregut të përbashkët me Shqipërinë siç e dini është problem edhe i rrushit në këtë anë. Në një moment ju keni aq shumë rrush sa që nuk dini çka bërë me këtë vetëm një pjesë e vogël e absorbon nevojat këtu dhe ajo tjetra kërkon të eksportojnë dhe për këtë ne për këtë ne do të insistojmë që ai rrush ai mall të lëvizë lirshëm së pari në të gjitha trojet tjera shqiptare e pse jo edhe më tutje”, tha Pacolli.

Në Rahovec ka folur edhe Mimoza Kusari-Lila si partnere e koalicionit bashkë me LDK-në dhe AKR-në duke thënë se Rahoveci  ka dhënë shumë për Kosovën duke dhënë bukë, tokë dhe shumë trima e intelektualë.

LDK ka mbajtur tubim zgjedhor edhe në Drenas dhe Malishevë si dhe pasdite do të mbajë një tubim zgjedhor në Gjakovë. 

Mustafa: Hoti është burrë i fortë që u bën ballë sfidave shtetërore

Kryeministri dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë të hënën në Rahovec se Avdullah Hoti është një burrë i fortë që u bën ballë të gjitha sfidave me të cilat përballet shteti i Kosovës.

“LDK, së bashku me AKR-në, Alternativën dhe Lëvizjen për Drejtësi do ta bëjnë Qeverinë e Kosovës, me kryeministër Avdullah Hotin. Z. Hoti është njeri i duhur për këtë post. Ai nuk dëshiron të lavdërohet, nuk dua ta lavdërojë as unë, por po e them të vërtetën. Jemi të kënaqur që e kemi një djalë të tillë të mrekullueshëm të kësaj ane, një burrë i fortë, i cili do t’i qëndrojë përballë përgjegjësisë që do ta ketë para jush dhe para Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se Kosova duhet ta bëjë qeverinë dhe t’ia japë të mbarën këtij vendi. “Këtë program të zhvillimit ekonomik, të integrimeve, kryeministri ynë i ardhshëm do ta zbatojë me sukses, duke gjetur bashkëpunim edhe me partitë tjera. Po ashtu, nën udhëheqjen e tij do të anëtarësohemi në organizatat më të rëndësishme botërore”, ka thënë ai.

“Do të punojmë edhe për rritjen e pagave, por jo vetëm në sektorin publik. Jemi përgatitur për këtë hap dhe kjo do të ndodhë sapo kryeministri i ri do të marrë detyrën e re. Po ashtu e kemi gati edhe pakon e dytë fiskale. Ju ftoj ta përkrahni këtë listë, këta njerëz dhe njeriun tuaj dhe tërë Kosovës, Avdullah Hotin”, ka shtuar Mustafa.

Ai ka deklaruar se ne kemi një program shumë të mirë dhe shtylla kryesore e tij është zhvillimi ekonomik.

“Ky zhvillim lidhet me hapjen e fabrikave të reja dhe këtu e kemi z. Pacolli, njeriun më të suksesshëm të kësaj fushe. Këtu e kemi edhe Mimozën që është shembull i një kryetareje të suksesshme, z. Qerkezi, i cili drejton Lëvizjen për Drejtësi, që sublimon vlera të vërteta, familjare, etike, besimin në Zot e tjera”, ka thënë Mustafa.

Kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti ka thënë se “unë besoj fuqishëm te dega e LDK-së në Rahovec dhe më 11 qershor, së bashku me partnerët e koalicionit do të dëshmojmë se ne dimë t’i çmojmë vlerat e mirëfillta, për të cilat sot ka shumë nevojë Kosova”.

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se jam shumë krenar që një djalë i tillë si Avdullah Hoti, një personalitet i tillë, e udhëheq listën tonë dhe sigurisht Kosova do të mburret me kryeministrin e saj të ardhshëm.

“Z. Hoti, së bashku me ne do ta ndërtojë Kosovën ashtu siç e duam, do ta udhëheqë drejt shoqërive të civilizuara. Ashtu siç e tha edhe kryeministri, programi ynë ofron zhvillim, rritje ekonomike deri 8 për qind, do të ndërtojmë fabrika, do të hapim veprimtari ekonomike, do të investojmë në fshat e në qytet”, ka thënë Pacolli.

Sipas tij, do ta përmirësojmë infrastrukturën shkollore, arsimore, rrugore, do ta përmirësojmë ambientin tonë, ndërsa krijimi i tregut të përbashkët me Shqipërinë po ashtu është në planin tonë dhe diçka e tillë do të ndodhë shumë shpejt.

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat