Hoti: Veriu të integrohet brenda sistemit juridik dhe ekonomik të Kosovës

Aktuale

Hoti: Veriu të integrohet brenda sistemit juridik dhe ekonomik të Kosovës

Më: 25 maj 2017 Në ora: 15:27
Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-AKR-Alternativa, Abdullah Hoti

Kandidatit për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një vizite që i ka bërë të enjten punishtes në urën e Ibrit në Mitrovicë, ka thënë se nëpërmes bashkëpunimit me partnerët nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe autoritet lokale në dy anët e lumit Ibër, do të mundësojmë integrimin e plotë të veriut në kuadrin institucional të vendit.

“Me përkrahjen e madhe të partnerëve tanë nga Bashkimi Evropian dhe nga SHBA-të, së shpejti kjo urë do të bashkojë qytetarët e dy anëve të Mitrovicës, për lëvizje të lirë. Do t'i shfrytëzojmë të gjitha resurset që kemi dhe do të punojmë shumë edhe në qeverinë e ardhshme që veriun e vendit ta integrojmë në sistemin institucional dhe ekonomik të vendit”, ka thënë Hoti.

Image
Fjalimi i Hotit në Mitrovicë

Ai ka shtuar se veriu i vendit tanimë është integruar plotësisht, institucionet shtetërore funksionojnë në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë doganën, Administratën tatimore, organet e rendit dhe të ligjit.

“Do të punojmë shumë me komunitetin serb, për t'i integruar plotësisht, sepse ata janë qytetarë të barabartë të vendit. Do të shfrytëzojmë gjithë autoritetin që kemi institucional për t'i bërë ata që të ndjehen mirë në shtetin e Kosovës. Kemi një Fond Zhvillimor që i ndihmon veriut për të investuar në infrastrukturë arsimore, shëndetësore etj”, ka thënë Hoti, i cili në këtë vizitë shoqërohej edhe nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala.

Kandidati për kryeministër ka thënë se me padurim pret që në bashkëpunim me autoritet komunale në dy anët e Ibrit ta promovojmë urën si një simbol i bashkimit dhe qarkullimit të lirë të qytetarëve.

Sa i përket dialogut të Brukselit, Hoti ka thënë se ai ndjehet komod me rezultatin që kemi arritur në Bruksel edhe në mandatin e kaluar.

Hoti është zotuar për vazhdimin e dialogut ndërshtetëror me Serbinë, bashkëpunimin rajonal në interes të paqes dhe të integrimit në Bashkimin Evropian të shtetit sovran të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat