Engel: Serbia duhet t’i ndal pengesat që po i vë Kosovës

Aktuale

Engel: Serbia duhet t’i ndal pengesat që po i vë Kosovës

Më: 18 maj 2017 Në ora: 11:13
Përfaqësuesi Eliot L. Engel, anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme

Përfaqësuesi demokrat në Kongresin amerikan, njëherazi edhe nën-kryetar i Komisionit të Dhomës së përfaqësuesve për Politikën e Jashtme dhe njohës i mirë i çështjeve shqiptare në Ballkan, Eliot Engel, ka thënë se Serbia nuk po tregon gatishmëri për normalizim të marrëdhënieve dhe për njohje të fqinjit të saj, Kosovës.

Përfaqësuesi Eliot L. Engel, anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme, bëri vërejtje për kërcënimet e paqes dhe stabilitetit në Dhomën e Punëve të Jashtme të Evropës dhe Euroazisë, ku tha se puna në Ballkan nuk ka përfunduar akoma dhe se projekti i filluar ne vitet e 90-ta, kur u shpërbë Jugosllavia ende kërkon angazhim nga SHBA dhe aleatët e saj në Evropë.

Ai potencoi se progresi është evident dhe tashmë dy vende, Sllovenia dhe Kroacia janë pjesë e BE-së dhe gjithashtu ato të dyja së bashku me Shqipërinë kanë hyrë në NATO, ndërsa Mali i Zi është rrugës.

“Paqja dhe demokracia kanë qenë normë atje që kur kanë përfunduar luftërat, mirëpo demokracitë e secilit vend janë buzë shthurjes. Liria e shtypit po ngushtohet në Serbi, ndërsa Maqedonia ende s’është treguar e aftë për ta formuar qeverinë. Partia opozitare në Shqipëri po refuzon nga ana tjetër të marrë pjesë në votime parlamentare muajin tjetër. Zgjedhjet e muajit të ardhshëm në Kosovë, pas votimit të mocionit të mosbesimit, duken relativisht normale. Mirëpo telashet e Kosovës janë po aty, pasi Serbia nuk po tregon gatishmëri për normalizim të marrëdhënieve dhe për njohje të fqinjit të saj, Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, në krye të shqetësimeve rajonale mbetet Putini, i cili ka shtuar vendet e Ballkanit në listën e objektivave dhe kështu po rrit tensionet duke minuar besimin në demokraci.

"Kremlini tentoi një grusht shteti në Mal të Zi, e cila për fat të mirë dështoi. Ajo po i shet armë moderne Serbisë, duke përfshirë edhe MiG-29 dhe tanke T-72. Gjithashtu, po përzihet edhe në politikën e brendshme të Maqedonisë, me qëllim që  të pengojë zgjidhjen e krizës qeverisëse në Shkup. Kam qenë i befasuar nga kundërshtimi fillestar i SHBA për planet e Kosovës për të krijuar ushtrinë. Nëse njohja e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran ka ndonjë domethënie, kjo do të thotë se ne duhet t’i qëndrojmë afër Prishtinës kur ajo ndjek politika brenda kufijve të pranueshëm për çdo vend normal”, ka thënë Engel.

Duke thënë se zhvillimi i ushtrisë duhet të bëhet gradualisht, ai ka shtuar se nuk duhet të ndalet një gjë e tillë pasi Kosova ka hyrë në vitin e saj të dhjetë të pavarësisë.

“Duhet ta ndihmojmë atë që të këshillohet me zgjedhësit e vet, me fqinjët dhe komunitetin ndërkombëtar, në mënyrë që ata të krijojnë forcën e tyre mbrojtëse jo kërcënuese”, ka thënë ai.

Engel ka ngritur gjithashtu shqetësimin e tij për mungesën e drejtësisë për vrasjet dhe krimet e kryera nga Qeveria e Serbisë gjatë dhe pas luftës në Kosovë, me ç ‘rast ka përmendur edhe rastin e vëllezërve Bytyqi, qytetar amerikan, si dhe iu ka referuar një raporti të lëshuar nga Qendra për të Drejtat Humanitare në Beograd, ku flitet për varret masive me trupa të shqiptarëve në Serbi.

Në fund ai ka shprehur bindjen se Serbia duhet të ndalet nga pengesat që po i vë përpara Kosovës, në përpjekjen e saj për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.

“Nëse të dyja duan të hyjnë në BE, ato do duhej ta ndihmonin njëra-tjetrën dhe jo të kundërshtojnë dhe ta bëjnë të pamundur”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat