Debati në OKB, SHBA u bën thirrje vendeve anëtare të KB-ve që ta njohin Kosovën

Aktuale

Debati në OKB, SHBA u bën thirrje vendeve anëtare të KB-ve që ta njohin Kosovën

Më: 16 maj 2017 Në ora: 16:30
Zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Michele Sison

(E plotësuar) - Zëvendës ambasadorja e SHBA-ve pranë KB-ve, Mishel Sison, ka thënë të martën se vendi i saj përsërit thirrjen që KS i KB-ve të shtyjë raportimin e UNMIK-ut nga tre në gjashtë muaj, ndërsa u bëri thirrjeve shteteve anëtare të OKB-së që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë.

Ajo në seancën e KS të KB-ve, tha se udhëheqësit në Beograd dhe Prishtinë duhet të revitalizojnë bisedimet dhe të zbatohen marrëveshjet e dialogut, duke punuar në mënyrë aktive.

“Kufomat në Raqak janë dëshmi e masakrës dhe dhunës që ka ndodhur atje”, ka thënë diplomatja amerikane duke iu kundërvënë ministres serbe Nela Kuburoviq rreth akuzave për rolin e ish-diplomatit Uilliam Uoker derisa ishte shef i misionit të OSBE-së në Kosovë.

Për më tepër, diplomatja amerikane ka përsëritur se kufijtë e vendeve të Ballkanit janë të definuar, derisa ka inkurajuar vendet që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë tash një gjë të tillë.

“U bëjmë thirrje liderëve nga rajoni që t’i shmangen deklaratave ndezëse dhe të fokusohen në gjëra, të cilat u sjellin vendeve të tyre përparim”, ka thënë Sison.

Sison ka thënë se KS i KB-ve duhet ta shtyjë raportin për Kosovën nga tre në gjashtë muaj, ndërsa ka kritikuar kërkesën e UNMIK-ut që buxheti për vitin e ardhshëm të rritet për dy milionë dollarë.

“Uashingtoni mbështet reduktimin e UNMIK-ut në dritën e përparimit që ka arritur Kosova”, ka thënë ajo.

Rusia: Dialogu Beograd-Prishtinë është në qorrsokak

Zëvendës ambasadori rus pranë KB-ve, Vladimir Safronkov ka thënë të martën se dialogu Kosovë-Serbi me muaj është në qorrsokak.

Safronkov në KS të OKB-së, po ashtu, tërhoqi vërejtjen se formimi i Ushtrisë së Kosovës është në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe se vendimet e Kuvendit të Kosovës në lidhje me procesin kundër Ramush Haradinajt në Francë “janë të rrezikshme”.

EULEX, ka shtuar ai, duhet të sigurojë qasje të paanshme në proceset, për të cilat siç u shpreh ai, Tribunali i Hagës nuk ia ka arritur ta bëjë. 

Çitaku: Serbia duhet ta pranojë Kosovën si shtet

Ambasadorja e Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë të martën në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, se Rezolutës 1244 i ka dalë afati shumë kohë më parë, ndërsa deklarimet e ministres së Drejtësisë Nela Kuburoviq i ka quajtur kundër-produktive dhe ka kërkuar që Serbia duhet ta pranojë Kosovën si shtet.

Ajo u ka bërë thirrje të gjithëve të vijnë në Kosovë dhe të shohin realitetin, pasi deklarimet e Serbisë nuk përkojnë me këtë realitet.

“Ne kemi shumë sfida përpara dhe kemi shumë për të bërë”, ka thënë Çitaku, duke shtuar se serbët janë pakica më e privilegjuar në Evropë, derisa shqiptarët ballafaqohen me probleme në Serbi.

Çitaku ka thënë se Kosova është shtet i pavarur, derisa i ka quajtur raciste qëndrimet serbe karshi Kosovës, ndërkohë që ka përmendur sukseset e Majlinda Kelmendit në sportin e xhudos.

Për më tepër, ajo ka theksuar se UNMIK-u nuk ka rol për të ruajtur në Kosovë dhe se qasja për misione paqeruajtëse duhet ndryshuar. Çitaku ka falënderuar ambasadorin amerikan dhe atë francez që kanë thënë se është moment i duhur për të mbyllur misionin e UNMIK-ut në Kosovë.

“UNMIK-u nuk ka më rol në Kosovë dhe jemi të befasuar se kemi parë se buxheti i UNMIK-ut për vitin e ardhshëm është rritur”, ka thënë ajo.

Duke folur për dialogun, ambasadorja Çitaku tha se Serbia po keqpërdorë procesin e dialogut dhe Interpolin, derisa ka përmendur rastin e Ramush Haradinajt, i cili brenda disa muajve u lirua si i pafajshëm nga autoritetet franceze.

“Haradinaj është liruar dy herë nga Tribunali i Hagës. Serbia nga aspekti ushtarak ka humbur Kosovën në vitin 1999 dhe me vendimin e GJND-së më 2009”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka thënë se Serbia vazhdon të refuzojë përgjegjësinë në Kosovë për gjërat që kanë ndodhur para syve të botës.

“Serbia duhet ta pranojë Kosovën të barabartë dhe si shtet”, ka thënë ambasadorja Çitaku.

Ajo ka përkujtuar se është zero numri i të dënuarve për krime të kryera nga ana e Serbisë në Kosovë.

Çitaku ka folur edhe për procesin zgjedhor të 11 qershorit dhe qeveria e re do të ketë nevojë për kredibilitet për të çuar përpara agjendën.

“Nuk ka Kosovë të Madhe dhe as Shqipëri të Madhe”, është shprehur ajo.

Kuburoviq: Kosova të plotësojë përkushtimet e veta rreth asociacionit

Ministrja e Drejtësisë e Serbisë, Nela Kuburoviq, ka thënë në seancën e KS të KB-ve për Kosovën, se nuk është arritur përparim për asociacionin, ndërsa vendimin e gjykatës franceze në Colmar për lirimin e kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt e ka quajtur skandaloz.

Në fjalën e saj, Kuburoviq ka theksuar se lidhur me çështjen e formimit të asociacionit duhet të dëgjohet zëri i partnerëve evropianë.

“Prishtina duhet të plotësojë përkushtimet e veta rreth asociacionit dhe duhen veprime specifike. Serbia është e përkushtuar në ruajtjen e paqes. Sistemi i drejtësisë nuk duhet të mbetur i heshtur ndaj kërcënimeve për pastrim etnik të serbëve”, ka thënë ajo.

Sipas saj, vendimi i gjykatës franceze në Colmar është skandaloz për lirimin e kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt, duke thënë se Haradinaj po bën kërcënime për marrjen “me forcë të territorit të Serbisë”.

Gjatë fjalimit të saj, Kuburoviq ka përmendur edhe Uilliam Uoker, ish-diplomatin amerikan, duke thënë se ai ka “keqpërdorur pozitën” derisa ishte në krye të misionit të OSBE-së gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Kuburoviq tha se është e papranueshme sjellja e Prishtinës që dialogu dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve të trajtohet si mjet “nënçmimi” ndaj palës serbe dhe partnerëve evropianë.

Në Nju Jork ka nisur mbledhja e KS të KB-ve për Kosovën

Në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork ka nisur seanca e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, në të cilën shqyrtohet raporti i fundit tremujor i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antonio Guteres kushtuar punës së UNMIK-ut dhe situatën në Kosovë nga data 16 janar deri 15 prill.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat