Vetëvendosje fton mërgatën të merr pjesë në zgjedhjet e 11 qershorit

Aktuale

Vetëvendosje fton mërgatën të merr pjesë në zgjedhjet e 11 qershorit

Më: 16 maj 2017 Në ora: 14:48
Faton Topalli

(E plotësuar) - Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që jetojnë në diasporë për të marrë pjesë në mënyrë sa më masive në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit.

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, të martën në një konferencë për media foli për rëndësinë e mërgatës kosovare, duke thënë se roli i saj në ekonominë e vendit është jashtëzakonisht i madh.

Topalli: Një biletë aeroplani e bën ndryshimin

“I ftoj të gjithë mërgimtarët pjesën që janë afër të vijnë fizikisht, ndërsa pjesën që është larg të votojnë përmes internetit. Një biletë aeroplani e bën ndryshimin në Kosovë“, tha Topalli.

Ai po ashtu tha se mërgimtarët shqiptarë, si para luftës po ashtu edhe gjatë luftës dhe pas luftës kanë luajtur një rol jashtëzakonisht të madh në Kosovë, dhe se vetëm prej vitit 2004 deri më 2008, përmes remitancave kanë sjellë në Kosovë mbi 2 miliardë euro.     

Topalli: Mërgata ka luajtur rol të rëndësishëm

“Ajo është faktor i paqes sociale në vendin tonë. Vetëm në periudhën 2004 deri në vitin 2008 , mërgata shqiptare ka dhënë diku 2.1 miliard euro për Kosovën. Pra, më shumë se të gjitha organizatat ndërkombëtare që kanë dhënë mjete financiare për të njëjtën periudhë në vendin tonë. Vitin e kaluar ajo përmes remitencave ka sjellë në Kosovë 780 milionë euro që janë më shumë mjete se që jep Qeveria e Kosovës për rroga dhe skemat pensionale. Mjerisht, ajo po vazhdon të injorohet dhe po vazhdon të trajtohet keq nga Qeveria e Kosovës duke u përjashtuar nga proceset politike. Faktikisht, mërgata e Kosovës e ka të drejtën formale të votës, por praktikisht kjo e drejtë i merret përmes procedurave shumë të komplikuara të votimit. KQZ, mjerisht nuk ka bërë  gjatë vitit të kaluar as gjatë këtij viti asgjë të informuar mërgatë me procedurat e tyre jashtë vendit”, tha Topalli.

Ai, po ashtu, tha se janë rreth 800 mijë mërgimtarë jashtë vendit, të cilët me votën e tyre mund të sjellin ndryshime, ndërsa ka përkujtuar se të gjitha qeveritë e deritanishme kanë përjashtuar mërgatën nga votimi duke komplikuar procedurat për të marrë pjesë në votime.

Topalli: Qeveritë e deritanishme e kanë përjashtuar mërgatën nga votimi

“Dua të ju përkujtoj të gjithëve që përafërsisht numri i mërgimtarëve që jetojnë jashtë vendit kap diku shifrën rreth 800 mijë. Pra, mërgata ka një potencial jashtëzakonisht të madh edhe ekonomik, edhe në kuptimin e resurseve njerëzore. Prandaj, mendoj që ata luajnë një rol bukur të madh në ndryshimin , në qoftë se atyre ju lejohet pjesëmarrja politike në proceset e vendit. Mjerisht, të gjitha qeveritë që kanë vepruar deri më tani kanë qenë të pa interesuara dhe e kanë përjashtuar mërgatën nga proceset e votimit duke i komplikuar procedurat për të marrë pjesë në votim”, tha Topalli.  

Ai ka thënë se nëse Lëvizja Vetëvendosje vjen në qeveri do të ndryshojë qasjen ndaj mërgimtarëve, duke iu hequr policat e sigurimit dhe të gjitha barrierat me të cilat ata ballafaqohen.

Ndërsa nuk ka dashur të flasë për koalicionet e mundshme, duke thënë se më vone VV do të thërrasë një konferencë të veçantë, ku do t’i njoftojnë qytetarët për këtë çështje. 

VV thirrje mërgimtarëve: Një biletë e aeroplanit bën ndryshimin në Kosovë

Mërgata shqiptare është pjesë e popullit të Kosovës e cila për dekada me radhë mundësoi luftën çlirimtare kundër Serbisë, dhe si e tillë ajo u bë faktor i paqes sociale në Kosovë. Në lidhje me pjesëmarrjen e saj në procesin zgjedhor të 11 qershorit, në votim e përfaqësim, në konferencën për media të mbajtur sot foli ish-deputeti Faton Topalli.

Topalli tregoi se vetëm në peridhën 2004-2008 ajo dha 2.1 miliardë euro, më shumë se të gjitha organizatat e huaja ndërkombëtare.

“Vitin e kaluar ajo kontriboi në Kosovë, përmes remitencave me 780 milionë euro, që bëjnë gati 100 % më shumë se të gjitha rrogat dhe pensionet që paguan shteti i Kosovës. Mjerisht ajo vazhdon të përjashtohet nga proceset politike në Kosovë. E drejta e votës dhe kandidimit i është dhënë formalisht, por përmes procedurave të komplikuara i ështe marrë praktikisht”, theksoi Topalli.

“KQZ nuk ka bërë gati asgjë për informimin e mërgatës, ndërsa ka bërë shumë për mbledhjen e votave të mërgimtarëve serbë në Serbi. Në vitin 2013, nga gjithsej 41.168 aplikacione, prej tyre 38.228 ishin nga Serbia, ndërsa vetëm 2.940 nga mërgata shqiptare, apo shprehur në përqindje 92.85% ishin nga Serbia. Kurse, në vitin 2014, nga gjithsej 29.745 aplikacione, prej tyre 25.433 ishin nga Serbia apo 85% e totalit të aplikacioneve për votim jashtë vendit”, shtoi tutje ai.

Ndër të tjera, Topalli tha se mërgimtarët e Kosovës, si askund tjetër në Ballkan e Evropë janë plaçkitur përmes Policave kufitare dhe zvarriten me orë të tëra në kufij çdo herë që marrin rrugën për atdhe. Ai po ashtu shprehu nevojën për një rregullim të tillë ligjor i cili ndalon plaçkitjen e mërgimtarëve si nga sigurimet e automjeteve ashtu edhe nga shteti.

“Edhe do ta bëjmë këtë sapo të na e jepni besimin për të qeverisur. Mërgata e Kosovës është potenciali i jashtëzakonshëm njerëzor e ekonomik për zhvillim e ndryshim. Ne angazhohemi që mërgata e Kosovës të kthehet nga objekti në subjekt si në vendin e prejardhjes ashtu edhe në vendin ku jeton dhe punon, duke krijuar kushte që ajo t’i mbrojë interesat e saj, të ndihmojë në zhvillimin dhe ndërtimin e vendit dhe të çmohet për punën e saj.  Angazhohemi që në Kosovë të ftohen ekspertë të fushave të ndryshme, të njohur si të tillë edhe në vendet ku jetojnë, duke i krijuar hapësirë dhe kushte praktike në qeverisjet e të gjitha niveleve. Me përfaqësim politik, mërgata e Kosovës mund t’i realizojë të drejtat e saj dhe t’i mbrojë interesat si një pjesë e popullsisë së Kosovës me halle të veçanta. Është pjesë vitale e popullit shqiptar. Andaj, duhet t’i krijojmë kushte që edhe të zgjedhin, edhe të zgjidhen”, deklaroi Faton Topalli.

Kanë mbetur vetëm edhe 6 ditë, deri më 22 maj, kur është data e fundit për të aplikuar për votim për të gjithë ata që nuk nuk ka asnjë mundësi të udhëtojnë për në Kosovë me 11 qershor. Lëvizja VETËVENDOSJE! fton dhe inkurajon çdo bashkatdhetar që mundet dhe ka vullnet të marrë biletën dhe të jetë në Kosovë për ta kurorëzuar ndryshimin e madh. Bëjmë thirrje të gjithë mërgimtarëve, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, të përfaqësohen në Kuvendin e ardhshëm, dhe ta bëjmë bashkë ndryshimin e domosdoshëm të vendit tonë. Ne jemi për ndryshim! Mërgata është për ndryshim! Kosova është e gati për ndryshim dhe këtë ndryshim do ta bëjmë të gjithë së bashku, thuhet në komunikatën e VV-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat