Rigjykimi i rastit 'Badovci' fillon më 13 Qershor

Aktuale

Rigjykimi i rastit 'Badovci' fillon më 13 Qershor

Më: 15 maj 2017 Në ora: 16:30
Rasti 'Badovci'

Rigjykimi i 5 personave që u dënuan me afro gjysmë shekulli burg do të nisë më 13 qershor të këtij viti.

Kështu ka vendosur Gjykata Themelore e Prishtinës dhjetë ditë pasi Gjykata Supreme e Kosovës e riktheu në pikën zero këtë rast.

Të akuzuarit në rastin e njohur si “Badovci” akuzohen për vepra që lidhen me terrorizëm.

Lajmin për caktimin e seancës për më 13 qershor për kallxo e konfirmoi avokatja e të akuzuarit Besnik Latifi, Albana Kelmendi.

“Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar që ky gjykim të rifillojë më 13 qershor”, tha Kelmendi.

Gjykata Supreme e Kosovës më 5 maj të këtij viti aprovoi kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë së avokatëve mbrojtës duke evidentuar disa shkelje në aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe atë të Apelit lidhur me këtë rast.

Në korrik të vitit të kaluar Besnik Latifi ishte dënuar me 13 vjet burg, Gazmend Haliti me 12, Milazim Haxhiaj me 10 vjet e 3 muaj, Fehmi Musa me 4 vjet dhe Enis Latifi me 10 vjet burg.

Këto vendime disa muaj më pas ishin vërtetuar nga Gjykata e Apelit ndërsa avokatët i ishin drejtuar Gjykatës Supreme.

Sipas aktakuzës, të pesë të akuzuarit në korrik të vitit 2015 kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Grupi, sipas Prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shteti Islam” në Republikën e Kosovës.

Të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave të Prokurorisë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat