Kryeministri n’zor me Demarkacionin, kërkon ndihmën e miqve ndërkombëtarë

Aktuale

Kryeministri n’zor me Demarkacionin, kërkon ndihmën e miqve ndërkombëtarë

Më: 9 maj 2017 Në ora: 16:23
Ilustrim

Isa Mustafa është i vendosur që ta çojë në Kuvend Demarkacionin. Por hallin më të madh e ka me deputetët e partisë së tij të cilët kanë kundërshtojnë versionin aktual të Demarkacionit.

Megjithatë, kreu i LDK-së dhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa, pas një takimi të gjatë me deputetët e tij në prezencën e ambasadorit amerikan Greg Delawie dhe shefes së BE-së në Kosovë Natalia Apostolova, ka arritur ta unifikoj partinë pro ratifikimit të demarkacionit.

Kjo u tha pas takimit, ku zyrtarë të lartë të kësaj partie theksuan se janë unik si grup parlamentar në votimin e demarkacionit në momentin që të vije në Kuvend për ratifikim.

Mustafa prej se ka ardhur në krye të Qeverisë është përballur me këtë temë e cila fillimisht ishte kundërshtuar nga AAK dhe partitë tjera në opozitë, por edhe deputetë të partisë së tij.

Këmbëngulësisë së deputetit të LDK-së Shpejtim Bulliqi kundër Demarkacionit iu kanë bashkuar edhe deputetë tjerë të kësaj partie, si Vjosa Osmani, Arben Gashi, Adem Salihaj, etj.

KosovaPress ka bërë një përmbledhje të disa prej deklaratave të kryeministrit Isa Mustafa për përpjekjet e tij që ta votojë Demarkacionin me Malin e Zi.

Mustafa vetëm njëherë ka arritur ta dërgojë në Kuvend projektligjin për Demarkacion.

Në seancën e 1 nëntorit të vitit 2016 Mustafa e kishte tërhequr projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, duke thënë se nuk janë rrethanat që të votohej në atë seancë. Por kishte premtuar që shumë shpejt do të riprocedohej posa Qeveria të vlerësoj një gjë të tillë.

“Si kryeministër konsideroj se sot nuk janë rrethanat që duhet të votohet demarkacioni për Malin e Zi. Qeveria ka vendosur sot ta tërheq Ligjin për demarkacionin me Malin e Zi. Do të diskutojmë për ligjin dhe do ta procedojmë në Kuvend në momentin që vlerëson Qeveria”, kishte thënë Mustafa në atë seancë.

Tërheqja e projektligjit, kishte ardhur pasi deputetët e Listës Serbe nuk ishin të pranishëm në seancë, pa votat e të cilëve nuk mund të ratifikohej.

Por, premtime për votimin e Demarkacionit në Kuvend Mustafa kishte dhënë disa herë edhe pas kësaj seance.

Me 21 nëntor 2016, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa kishte pranuar se aktualisht koalicioni qeverisës nuk i ka votat e mjaftueshme për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

“Nuk shoh arsye që tash të procedojmë ligjin në Kuvend pa i siguruar votat, kur e dimë që ka kundërshtime si dhe me faktin që Lista Serbe është jashtë Kuvendit dhe deklarimi i tyre se nuk do ta votojnë, andaj ne duhet të mobilizohemi dhe të gjejmë arsyen për t’i siguruar votat”, pati thënë Mustafa.

Edhe më 25 shkurt, në shënimin e 27 vjetorit të themelimit të LDK-së në Kaçanik, Mustafa  ishte shprehur i bindur se demarkacioni do të votohet dhe do të kalojë në Kuvend.

“Ne s’mund ta korrigjojmë historinë sivjet, s’kemi mujt as në vitin 2015, as në vitin 2016. Është një kufi që ne e kemi trashëguar dhe s’mund ta ndryshojmë.  Ne duhet ta marrim liberalizimin e vizave, duhet të jemi prezent në institucionet e Bashkimit Evropian. Ne duhet t’i kapërcejmë problemet që kemi me fqinjët, sidomos me Serbinë. Nuk është punë e lehtë por edhe atë duhet ta bëjmë. Ne duhet të ndërtojmë marrëdhënie miqësore me të gjitha vendet”, ishte shprehur Mustafa.

Kryeministri Isa Mustafa kishte shprehur qëndrimin se marrëveshja për demarkacionin mes Kosovës e Malit të Zi duhet të ratifikohet edhe me 1 prill, në shënimin e një vjetorit të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

“Ne duhet ta bëjmë punën tonë sepse sido që të jetë ne duhet ta ratifikojmë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi. Unë prapë qëndroj se marrëveshja është e drejtë se nuk ka asnjë gabim me caktimin e vijës kufitare që flitet, më tepër për objektiva politike dhe për kauza politike të cilat na kanë penguar dhe të cilat më tutje nuk mund t’i vazhdojmë t’i aplikojmë për arsye se po e mbajnë peng qytetarin e Republikës së Kosovës dhe do të mundohemi që bashkërisht të krijojmë një ambient në Kuvend që deputetët ta votojnë dhe ta kemi liberalizimin e vizave. Në qoftë se kjo çështje do të shtyhej, atëherë duhet ta marrin përgjegjësinë ata që e pengojnë liberalizimin, sepse do të kaloj kohë e gjatë që edhe një herë Kosova të kthehet në agjendën e Bashkimit Evropian për këtë çështje”, kishte thënë ai.

Me 12 prill të këtij viti, Isa Mustafa kishte mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së për të diskutuar rreth Demarkacionit me Malin e Zi. Pas kësaj mbledhje kreu i LDK-së kishte thënë se partia e tij është unanime për ta përkrahur demarkacionin dhe liberalizimin e vizave.

“Sot edhe një herë kërkova rikonfirmimin e këtij qëndrimi dhe Këshilli i Përgjithshëm me shumicën absolute të votave ka votuar për qëndrimin politik për liberalizim dhe për Demarkacionin. Natyrisht ne nuk i detyrojmë deputetët, por të gjithë ata deputetë që respektojnë LDK-në do t’i respektojnë këto vendime. Pres nga deputetët që ta respektojnë partinë që i ka çuar në Kuvend sepse nuk janë deputetë të pavarur, por deputetë që duhet t’i përfaqësojnë politikat e LDK-së”, kishte thënë kreu i LDK-së.

Sot pas një takimi të gjatë LDK premton se janë unikë sa i përket Demarkacionit. Ndërkohë që opozita kërkon rrëzimin e Qeverisë me anë të mocionit të mosbesimit iniciuar nga opozita. Seanca do të mbahet nesër ndërsa ende nuk dihet qëndrimi i PDK-së për këtë çështje.

Qëndrimi zyrtar i kësaj partie do të dihet sonte ose nesër në mëngjes nëse do ta përkrahin apo jo mocionin e opozitës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat