LDK-ja deklarohet pas takimit me ambasadorin amerikan, mesazh PDK-së

Aktuale

LDK-ja deklarohet pas takimit me ambasadorin amerikan, mesazh PDK-së

Më: 9 maj 2017 Në ora: 07:56
Sekretari i LDK-së Ismet Beqiri, pas takimit që deputetët e LDK-së patën me kryeministrin Isa Mustafa, ambasadorin amerikan Greg Delawie dhe përfaqësuesen e BE-së që zgjati disa orë.

(E plotësuar) - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, bashkë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, dhe shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, kanë takuar sot Grupin Parlamentar të LDK-së.

Në takim, përveç tjerash, u diskutua edhe për proceset politike aktuale, në veçanti për procesin e ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.
LDK-ja dhe Grupi Parlamentar rikonfirmuan unitetin e plotë për këtë dhe çështje të tjera me rëndësi jetike për qytetarët e Kosovës si dhe për fuqizimin e partneritetit me SHBA-të dhe BE-në.

LDK-ja, si edhe deri më tani, do të jetë garancia kryesore në mbështetje të interesave të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.

Në vijim të takimit, ku ishin të pranishëm vetëm kryeministri Isa Mustafa dhe deputetët e LDK-së, Grupi Parlamentar i LDK-së vlerësoi lartë punën dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Qeverisë sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe kërkoi nga kryeministri dhe Qeveria që Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi të procedohet për ratifikim në Kuvend menjëherë pas seancës së nesërme, në të cilën do të diskutohet mocioni i ngritur nga subjektet opozitare.

Beqiri: LDK unike sa i përket Demarkacionit

Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë unike në votimin e Demarkacionit kur të vjen në Kuvend, derisa asnjë deputet nga kjo parti nuk do ta përkrah mocionin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë.

Ky është qëndrimi i partisë së Isa Mustafës, pas rreth tri orë takim të grupit parlamentar të kësaj partie me shefin e tyre Isa Mustafa, e ku të pranishëm në takim ishin edhe ambasadori amerikan Greg Delawie dhe  shefja e BE-së në Kosovë Natalia Apostolova.

Edhe pse   disa deputetë të LDK-së janë shprehur kundër Demarkacionit, prezenca e diplomatit amerikan në takim të grupit parlamentar i ka bindur ata.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri, ndonëse  nuk tregoi se çka ka kërkuar Delaëie nga deputetët që janë kundër demarkacionit, shprehu qëndrimin unik të LDK-së në përkrahje të demarkacionit në momentin që të vjen  në Kuvend.

Madje, shefi i deputetëve të LDK-së thumboi partnerin e koalicionit, PDK-në, duke thënë se janë më unik se sa ata që po thonë se i kanë votat.

Beqiri: LDK unike për demarkacionin

“Sot ne kishim takimin e Grupit Parlamentar të LDK-së, pas interesimit të ambasadorit amerikan të jetë prezent dhe zonjës Apostolova, që të dy morën pjesë në takimin tonë, normalisht ishte kryeministri dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa. Ajo që mund të ju them me përgjegjësinë e plotë është se ka qenë një takim jashtëzakonisht i mirë, shumë përmbajtësor, shumë i qetë me mirëkuptim, tolerant nëse mund të them sepse shumë herë është tentuar të thuhet diçka që nuk qëndron për LDK-në... Po ashtu po e konfirmoj LDK kur të vije radha demarkacionit, LDK do të jetë unike. LDK do të jetë shumë më unike se të tjerët që thirren se i kanë votat. Edhe një herë po iu them LDK do të jetë unike, me unike se të tjerët që po thonë se i kanë votat”, tha Beqiri.

Beqiri bëri të ditur se deputetët e LDK-së do të jenë unik edhe në kundërshtimin e mocionit të opozitës i cili do të dal nesër në seancë. Por pati një thirrje edhe për partnerin e koalicionit PDK-në.

Beqiri; Asnjë deputet se voton mocionin

“Unë mund t’iu siguroj. LDK është shumë e qartë nuk ka votë kundër Qeverisë, asnjë votë nuk është kundër Qeverisë sepse keni mundur të dëgjoni dhe kemi lexuar se ka bisedime me deputetë të LDK-së kjo është e pavërtetë, mund të ketë bisedime, por votë kundër qeverisë dhe Mustafës nga LDK nuk do ta kenë asnjë votë. Kjo është e qartë dhe e shihni nesër....Së pari shkojmë në seancën e përcaktuar të mocionit dhe unë po e them edhe njëherë që dëshirojmë të theksojmë se është morale, sa ka moral në politikë, edhe e përgjegjshme edhe obligative që të respektohet marrëveshja mes partnerëve të mos përkrahin mocionet e subjekteve opozitare”, theksoi ai.

Derisa duke folur për zgjedhje, Beqiri tha se LDK nuk iu frikësohet zgjedhjeve asnjëherë, por që sipas tij  nuk ka nevojë për to meqë janë duke u bërë punë të mira, pavarësisht se ato mund t’i pengojnë dikujt.

Beqiri: LDK s’iu frikësohet zgjedhjeve

“Po ashtu po ua heq dertin të gjithë atyre që thonë se LDK i frikësohet zgjedhjeve. Po ju them asnjëherë nuk iu frikësohemi zgjedhjeve, por është normale që këto punë të mira, do donim që këto punë të mira që dikujt po i pengojnë të vazhdojnë, por nëse nuk bëhet kjo jemi këtu dhe vendimet i takojnë organeve kompetente siç është Kuvendi....Ajo që po e them është se asnjëherë asnjë qeveri, asnjë kryeministër i vendit nuk ka punuar në kushte me të rënda se sa ka punuar Mustafa dhe qeveria e udhëhequr nga ai”, u shpreh Beqiri.

Ai shtoi se është në mandatin e tretë si deputet, por në asnjë mandat nuk ka pasur punë me të vështirë në Kuvend, pasi janë ballafaquar me një dhunë të paparë karshi institucioneve, jo vetëm jashtë, por edhe brenda institucioneve, këtë rast Kuvendit.

Kryeministri Isa Mustafa dje ka dështuar ta dërgojë në Kuvend projektligjin për Demarkacionin, e për këtë është angazhuar edhe ambasadori amerikan Greg Delawie. Ndryshe nesër do të mbahet një seancë ku pikë e vetme e rendit të ditës është kërkesa e opozitës për rrëzimin e Qeverisë me anë të një mocioni.

Image
Delawie dhe Apostolova tashmë kanë dalë nga takimi.

Takimi me LDK-në, Thaçit i prishet pushimi, Apostolova dhe Delawie dalin nga takimi 

Takimi i kryeministrit Isa Mustafa me deputetët e LDK-së po vazhdon ende. Në këtë takim janë të pranishëm edhe ambasadori Greg Delawie dhe përfaqësuesja e BE-së Natalie Apostolova.

Delawie dhe Apostolova  tashmë kanë dalë nga takimi.Nga takimi me deputetët e LDK-së ka dal edhe ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni.

Tani për tani nuk ka asnjë detaj nga ky takim, ndërsa pak më herët në Presidencë është parë të ketë hyrë edhe presidenti Hashim Thaçi.

Hyseni del nga takimi i LDK-së në Kuvend

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, njëheri edhe anëtar i kryesisë së LDK-së ka lëshuar takimin që po mbahet me deputetët e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës.

Përkundër ditë feste, aktualisht në Kuvendin e Kosovës po qëndrojnë ambasadori amerikan, Greg Delawie, dhe kryeministri, Isa Mustafa, në takim me grupin parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Image
Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni

Thaçit i prishet pushimi

Edhe pse ditë pushimi, presidenti Hashim Thaçi është parë duke hyrë në ndërtesën ku është edhe Presidenca e Kosovës.

Nuk dihen arsyet pse presidenti Thaçi ka shkuar sot në zyrë, por njëkohësisht në zyrat e GP të LDK-së po mbahet një takim ku janë të pranishëm kryeministri Isa Mustafa, ambasadori i SHBA-ve Greg Delawie dhe përfaqësuesja e BE-së në Kosovë Natali Apostolova.

Këta janë mbledhur në përpjekje për t’i bindur deputetët e LDK-së që ta votojnë Demarkacionin me Malin e Zi.

Image
Hashim Thaçi është parë duke hyrë në ndërtesën ku është edhe Presidenca e Kosovës

Mustafës dhe ambasadorit amerikan i bashkohet edhe Apostolova

Në takimin me deputetët e LDK-së që po mbajnë kryeministri Isa Mustafa dhe ambasadori amerikan Greg Delawie po merr pjesë edhe përfaqësuesja e BE-së në Kosovë Natalie Apostolova.

Nga vendi i ngjarjes raportohet se Mustafa dhe Delawie tashmë kanë hyrë në takim me deputetët e LDK-së ndërsa në oborr të Kuvendit është parë edhe vetura e Apostolovës.

 Ambasadori dhe kryeministri që është njëherësh kryetar i partisë do të bëjnë përpjekje që t’i bindin deputetët e LDK-së që ta votojnë Demarkacionin.

Projektligji për Demarkacionin pritet që të shkojë në Kuvend pas seancës së mosbesimit e cila do të mbahet nesër.

Mustafa dhe Delawie shkojnë në takimin me deputetët e LDK-së

Image

 Kryeministri Isa Mustafa dhe ambasadori i SHBA-ve Greg Delawie pas një takimi që kanë mbajtur në ndërtesën e Qeverisë janë nisur për në ndërtesën e Kuvendit ku do të takohen me deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ambasadori dhe kryeministri që është njëherësh kryetar i partisë do të bëjnë përpjekje që t’i bindin deputetët e LDK-së që ta votojnë Demarkacionin.

Projektligji për Demarkacionin pritet që të shkojë në Kuvend pas seancës së mosbesimit e cila do të mbahet nesër.

Deputetët e LDK-së arrijnë në takimin me Delawie

Image

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani tashmë ka arritur në objektin e Kuvendit të Kosovës ku për pak pritet të nis takimi në mes të ambasadorit amerikan Greg Delawie dhe deputetëve të LDK-së.

Pos Osmanit atje kanë arritur edhe deputetë të tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ky takim i thirrur nga kryeministri njëherit kryetar i LDK-së Isa Mustafa vjen një ditë pas dështimit të mbledhjes së Qeverisë ku ishte paraparë të procedohej  në Kuvend marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Greg Delawie arrin në Qeveri, takohet me Kryeministrin

Image

 Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, sapo ka arritur në Qeveri.

Ambasadori amerikan aktualisht është në një takim me kryeministrin Mustafa, dhe nënkryetarët e LDK'së Agim Veliu e Lutfi Haziri.

Ky takim mbahet një ditë para seancës plenare të Kuvendit të Kosovës të caktuar për mocionin e mosbesimit të Qeverisë e të kërkuar nga opozita dhe e përkrahur nga tetë deputetë të koalicionit qeveritar.

Image

Delawie në LDK për t'i bindur për ta votuar Demarkacionin

Ambasadori amerikan Greg Delawie do të takojë sot deputetët e LDK-së në përpjekje për të bindur ata që ta votojnë Demarkacionin.

Dje kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka dështuar ta procedojë Demarkacionin pasi që ende nuk i ka bindur deputetët e tij për ta votuar atë.

Takimi mbahet në zyrën e Grupit Parlamentar të LDK-së ku i pranishëm do të jetë edhe kryeministri Isa Mustafa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat