Në Kosovë të drejtat e punëtorëve shkelen në mënyrë drastike

Aktuale

Në Kosovë të drejtat e punëtorëve shkelen në mënyrë drastike

Më: 19 prill 2017 Në ora: 07:09
Deputeti i Vetëvendosjes Faton Toaplli, duke folur në foltoren e Kuvendit

(E plotësuar) -  Të drejtat e punëtorëve në Kosovë vazhdojnë të shkelën në masë të madhe, si pasojë e mos zbatimit të ligjeve të miratuara. Kjo u tha në debatin parlamentar në lidhje me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë, me ç’rast u bë përgjegjëse Qeveria për mos zbatimin e kontratave, punën jashtë orarit, mos kompensimin e lëndimeve në punë, sigurinë në punë, e tjera.

Iniciuesi i këtij debati, deputeti Bekim Haxhiu tha se është evidente se në Kosovë shkelen të drejtat e punëtorëve. Sipas tij, kushtet e punës, siguria dhe shëndeti në punë janë ndër brengat kryesore të çdo punëtori.

Ai vuri në pah se sipas raportimeve vetëm gjatë 5 viteve të fundit në sektorin e ndërtimtarisë 61 qytetarë kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës, derisa 220 të tjerë janë lënduar.

Haxhiu theksoi se shkelja e të drejtave të punëtorëve fillon në shumë raste duke mos iu ofruar fare kontrata e punës, puna me orare të zgjatura deri në 12 orë brenda një dite, punëtorët nuk kompensohen për punën që kryejnë jashtë orarit të rregullt të punës, u mohohet e drejta e shfrytëzimit të pushimit javor dhe vjetor e që është shkelje e së drejtës për pushim, mos respektim i pushimit të lehonisë, ndërprerja e marrëdhënies së punës nga punëdhënësi pa paralajmërim, zgjatja e kontratave mbi vepër më shumë se sa lejohet me ligj, etj.

Edhe deputetët tjerë patën shumë kritika për shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë se shkelja e të drejtave të punëtorëve është shqetësuese sidomos tek punësimet e vajzave.

Ajo përmendi një rast, kur një e punësuar në një nga bankat e Kosovës, e cila është detyruar të lëshojë vendin e punës pas presionit të jashtëzakonshëm nga punëdhënësi që ta lëshojë vendin e punës.

Deliu: Diskriminimi i grave që kanë vendosur të krijojnë familje

“Ajo ka rrëfyer para nesh gjithë presionin e tmerrshëm që i është bërë vetëm e vetëm për të pezulluar atë nga vendi i saj i punës. Janë edhe shumë punëtorë të tjerë në sektorin privat dhe nuk është vetëm Albana, por ka edhe shumë vajza të tjera që diskriminohen në mënyrën me të tmerrshme, të cilat pyetën nga punëdhënësi nëse ato janë me barrë, duke u diskriminuar që në start dhe një pjesë e tyre pezullohen nga puna për shkak se kanë vendosur të krijojnë të rrisin familjen e tyre”,  tha Deliu.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se Grupi parlamentar i LDK-së, ka trajtuar rekomandimet e deputetëve iniciues të këtij debati. Sipas tij tashmë janë të ditura shkeljet e të drejtave të punëtorëve.

Zemaj ka thënë se në sektorin privat shkelja e të drejtave të punëtorëve është e theksuar. Jo rrallë, sipas tij, shkelja e të drejtave të punëtorëve ka pasur edhe me humbje jete të punëtorëve. Ai ka thënë se LDK-ja kërkon që inspektorati i Punës duhet të rrisë llogaridhënien dhe numrin e punëtorëve, në mënyrë që të drejtat e punëtorëve vazhdojnë të shkelen.

Zemaj: Institucionet s’kanë qenë të vëmendshme në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve

“Sektorët e veçantë që përmenden, sidomos pjesa e sektorëve që kanë kaluar nga sektori shoqëror në atë privat, është tregues i qartë se institucionet nuk kanë qenë të vëmendshëm apo nuk kanë mundur t’i përshtatën kërkesave dhe mbrojtjes së të drejtave të këtyre punëtorëve, qoftë me mos respektimin e kontratës kolektive, qoftë me mos respektimin e ligjit për siguri në punë dhe ligjit për shëndet në punë dhe ligjet tjera që rregullojnë këto të drejta”, tha Zemaj.

Deputeti Faton Topalli, në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, theksoi se punëtorët e Kosovës, kryesisht punëtorë të ndërtimit, shitës në dyqane, punonjës në furra, fabrika, e shumë të tjerë që iu shkelen të drejtat. Derisa, ekzekutivit të vendit ia ka hedhur përgjegjësinë për shkeljen e këtyre të drejtave.

Topalli: Qeveria, fajtore për shkeljen e të drejtave të punëtorëve

“Kush është fajtor që nuk kemi siguri në punë, kush është fajtor për rrogat minimale, kush është fajtor që nuk kompensohet pushimi mjekësor, që nuk merret dëmshpërblimet dhe kush është fajtor që nuk zbatohet ligji i punës. Kush tjetër, fajtor është Qeveria e Kosovës. Pse është fajtore Qeveria e Kosovës, është fajtore për shkak se për 38 komuna të Kosovës ka punësuar vetëm 52 inspektorë që i bie për çdo komunë të ketë mesatarisht 1.3 inspektorë të punës, të cilët e kanë për detyrë të përkujdesen për zbatimin e ligjit të punës. Me 52 inspektorë nuk mund të zbatohet kurrë ligji i punës”, tha Topalli.

Në emër të AAK-së, deputeti Pal Lekaj, ka thënë se të drejtat e punëtorëve nuk janë adresuar as para pavarësisë e as pas saj. Ai ka theksuar se përveç nivelit të lartë të papunësisë, edhe te të punësuarit si në sektorin publik, e më shumë në sektorin privat të drejtat e punëtorëve shkelen.

Lekaj: Sektori privat e publik shkelë të drejtat e punëtorëve

“Përveç që është niveli i lartë i papunësisë këtu në mesin e të punësuarve sidomos në sektorin privat, por nuk përjashtohet edhe ai publik kemi raste të shumta ku nuk respektohen të drejtat e punëtorëve, si në aspektin e lidhjes së kontratave, të cilat fare nuk respektohen, po ashtu në të drejtën për pagesë shtesë pas orarit të punës, po ashtu në sigurime shëndetësore shumë punëdhënës nuk ua paguajnë, nuk duhet harruar në rasat fatkeqësie në punë askush nuk ua mbulon shpenzimet për shërim apo larg qoftë kur kemi raste me fatalitet gjatë punës”, është shprehur Lekaj.

Deputeti i PDK-së, Shaip Muja akuzoi Qeverinë se po i mashtron punonjësit duke i punësuar me kontrata mbi vepër, që sipas tij janë mashtrime një mashtrim i momentit për militantët politik. Ai tha se këto janë politika të momentit që përkthyer do të thotë politika mashtruese.

Muja: Duhet një formatizim i shpejtë i strukturës politike në Kosovë

“Ministri ka mbetur i vetmuar pa qeverinë, por mos t’i merr këto personale, e di që janë përpjekje ekzistenciale të qeverisë me shty një ditë më shumë qeverisjen, sepse kjo qeverisje nuk i ka përmbush të arriturat dhe vlerësimet e njëjta i kanë edhe kolegët e mi nga LDK-ja, të cilat me grimasat e tyre i miratojnë, por si sheh kamera dhe në këtë mënyrë unë shpresoj se një formatizim sa më shpejt politik i strukturës politike në Kosovë do të sjellë një shpresë më të madhe për udhëheqjen e Kosovës”, tha Muja.

Ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se numri i vogël i inspektorëve po lihet me qëllim, për shkak se sipas tij, me një numër kaq të vogël të inspektorëve nuk mund të presësh respektimin e të drejtave të punëtorëve. Por, ai pati një këshillë për iniciuesit e këtij debati, Bekim Haxhiu e Xhevahire Izmaku.

Kurti: S’mund të mbrohen të drejtat e punëtorëve me sloganin “Familja, prona, shteti”

“Ne këtu i patëm propozuesit, deputetët Izmaku dhe Haxhiu, mirëpo mua më duhet të them që nuk mund të bëhet mbrojtja e të drejtave të punëtorëve kur jeni në një subjekt politik që parullën e ka ‘familja, prona, shteti’. Pra ‘familja, prona, shteti’ ky është slogani juaj...Kur thua ‘familja, prona, shteti nuk ka të drejta të punëtorëve aty, është më mirë në këshill drejtues të merrni një iniciativë për ta ndryshuar këtë parullë”, tha Kurti.

Por, ndaj fjalës së Kurtit replikoi iniciuesi i debatit Bekim Haxhiu, duke i quajtur demagogji ato që tha ish-lideri i VV-së.

Haxhiu: Hipokrizi akuzat ndaj Devollëve derisa pinë “Coca Cola” zero në jaht

“Nëse ndonjëri bënë reklamim për ndonjë kompani, siç është shembull Devollët, e neve na akuzon për hipokrizi, dhe njëkohësisht iu bëjnë reklamë Devollëve deputet të kësaj partie, kjo është hipokrizi dhe demagogji. Demagogji është nëse ti e lexon vetëm pikën 1 të rekomandimeve dhe nuk e lexon pikën 7 të rekomandimeve. Sepse kur kemi kërkuar inspektimet efektive, në pikën shtatë kemi kërkuar rritjen e kompetencave të inspektorëve, transparencën dhe llogaridhënien. Demagogji dhe hipokrizi është për të ardhur në Kuvend për t’i akuzuar Devollët këtu në Kuvend dhe për të shkuar me pi “Coca Cola” zero në jaht”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, pranoi se ka ngecje në respektimin e të drejtave të punëtorëve, derisa përmendi sektorët e ndjeshëm siç është punësimi i grave.

Abrashi: Mungesa e inspektorëve mbetet problem

“Problemi më i madh, ajo që u përmend edhe nga shumë edhe këtu realisht përpos kërkesave të mija të vazhdueshme, besoj që duhet edhe përkrahje e Kuvendit, duhet të bëjmë rritjen e numrit të inspektorëve, është e papranueshme dhe e paimagjinueshme që 50 inspektorë të bëjnë inspektimin e diku rreth 70 deri në 75 mijë biznese aktive në Kosovë”, tha Abrashi.

Pas përfundimit të debatit, nuk u arrit të miratohen rekomandimet, meqë nuk pati kuorum të mjaftueshëm. 

Deputetët akuzojnë Qeverinë si shkelësi kryesor i të drejtave të njeriut

Në debatin parlamentar në lidhje me mos zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e Qeverisë së Kosovës, u vlerësua se ekzekutivi i vendit mbetet shkelësi kryesor i të drejtave të njeriut në vend.

Inicuesja e këtij debati, deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu ka thënë se për këtë debat kanë pritur 5 muaj dhe se ka të bëjë me rekomandimet e Avokatit të Popullit të bëra në raportin për vitin 2015, derisa tani në Kuvend ka ardhur edhe raporti i këtij institucioni për vitin 2016. Ajo theksoi se për vitin 2015, nga 57 rekomandime, 37 nuk janë zbatuar dhe 7 janë të pritje të zbatimit.

Bashkëpartiaku i saj, deputeti Ali Berisha akuzoi Qeverinë për shkeljen e të drejtave të njeriut, në vend se të ishte mbrojtës i tyre.

Berisha: Shteti duhet t’i mbrojë qytetarët, jo të jetë shkelës i të drejtave të njeriut

“Avokati i Popullit në çdo raport të tij për respektimin e të drejtave të njeriut i ka dhënë shumë rekomandime, të cilat asnjëherë nuk janë marr parasysh. Por, sipas Avokatit të Popullit do të duhej të na bënte të mos ndiheshim mirë. Shteti është për t’iu dalë në mbrojtje qytetarëve, e jo të jetë shkelës i të drejtave të njeriut”, tha Berisha.

Edhe deputetja e Nisma për Kosovën, Shukrie Bytyçi, bëri përgjegjës Qeverinë dhe dikasteret qeveritare si institucionet kryesore e shkeljes së të drejtave të njeriut.

Bytyçi: Qeveria, shkelësi kryesor i të drejtave të njeriut

“Shkelësit kryesor të të drejtave të njeriut, prin Qeveria e Kosovës, pastaj ministritë, drejtoritë komunale, gjykatat, qendrat korrektuese por edhe shkollat. Për neve është shqetësuese mos zbatimi i rekomandimeve të avokatit të popullit”, theksoi ajo.

Pas këtyre vlerësimeve reagoi kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i cili kërkoi nga deputetët që ta argumentojnë me fakte kur theksojnë se qeveria është shkelësi kryesor i të drejtave të njeriut. Ai tha se nuk duhet që për inate politike të dërgojnë te komuniteti ndërkombëtar sinjale, se qeveria është shkelësi kryesor i të drejtave të njeriut.

Mustafa: Qeveria nuk është shkelësi kryesor i të drejtave të njeriut

“Nëse ne vlerësojmë se Qeveria e Kosovës është shkelësi kryesor i të drejtave dhe lirive të njeriut unë iu kisha lutur ta argumentoni këtë, nëse këtë e ka thënë Avokati i Popullit atëherë duhet ta argumentoj, nëse dikush e thotë këtu, atëherë iu kisha lutur ta argumentoni, sepse nuk është kjo vetëm çështje e relacioneve tona pozitë-opozitë, apo politike, por janë relacione edhe me komunitetin ndërkombëtar. Nëse ne tash dërgojmë sinjale komunitetit ndërkombëtar që Qeveria është shkelësi kryesor, atë duhet ta argumentojmë për arsye se është në pyetje shteti dhe Qeveria e shtetit. Unë nuk di këso vlerësime, kam mbajtur grupin ndërministror për të drejtat e njeriut ka qenë edhe Avokati i Popullit kemi diskutuar për këto çështje, por në asnjë rast nuk kam pasur një vlerësim se qeveria është shkelësi kryesor dhe nuk e pranoj një vlerësim të tillë pa e argumentuar ju, ose Avokati i Popullit”, tha Mustafa.

Pas kësaj kreu i qeverisë nuk qëndroi më në seancë, derisa deputetët përsëri patën kritika dhe akuza se qeveria po shkel të drejtat e njeriut. Deputeti i PDK-së, Fatmir Shurdhaj kritikoi qeverinë dhe kryeministrin për mos shtruarjes së çështjes së fondit pensional në bisedimet me Serbinë në Bruksel.

Shurdhaj: Qeveria nuk e shtroi në dialog çështjen e pensioneve

“Asnjëherë Qeveria e Kosovës apo ministrja për Dialog nuk e ka qit si temë, apo si propozim në dialogun më Serbinë çështjen e pensioneve të qytetarëve të Kosovës, apo të fondit që është vjedhur nga Serbia. Madje kemi rastin eksperimantal të çifti Grujiq që ka fituar kontestin gjyqësor në Gjykatën e Strasburgut për të drejtat e njeriut. Personalisht jam takuar me çiftin Grujiq, por  ai mbet një zë i shuar, Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk mori asnjë rekomandim të paktën në bisedimet në Bruksel ta ketë temë kryesore këtë”, theksoi Shurdhaj.

Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes Faton Topalli tha se po ia rikujton kryeministrit me fakte se përse është shkelësi më i madh i të drejtave të njeriut.

Topalli: Puna e fëmijëve në rrugë a nuk është shkelje të drejtave të njeriut

“Aktivistët e Vetëvendosjes, Adea Batusha, Frashër Krasniqi, Atrdhe Arifi, Egzon Haliti po mbahen për arsye politike në arrest, edhe pse nuk ka asnjë akt për akuzat ndaj tyre. Ky është një proces politik dhe krejtësisht i diktuar nga politika dhe është një shkelje drastike e shkeljes së të drejtave të njeriut. Sot kemi qindra fëmijë anë e kënd Kosovës prej moshës 10 deri në moshën 14 vjeçare që punojnë rrugëve të Kosovës për t’i mbështetur familjet e tyre, a nuk është kjo shkelje të drejtave të njeriut”, theksoi ai.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ia kujtoi shefit të Qeverisë punësimet që bëhen nëpër institucione, duke thënë se asnjë nuk mund të bëhet pa dijeni të shefit, qoftë atij si kryeministër, apo qoftë edhe ministrave.

Haradinaj: Në të gjitha institucionet punësimet bëhen me të njohshëm

“Nëse flasim për institucionet e brendshme, për avancimin e njerëzve, po ju siguroi që me FSK, me polici, me inteligjencë, me shërbimin korrektues, me universitet, me spitale, me të gjitha këto shkojnë me të njohshëm edhe që ndërlidhen direkt me shefin e shtetit dhe ministrat e dikastereve të caktuara”, ka deklaruar Haradinaj.

Deputetja e LDK-së Vjosa Osmani pati kritika edhe për vetë Kuvendin, duke thënë se rekomandimet e Avokatit të Popullit ndërlidhen edhe me punën e tyre si Kuvend.

Osmani: Rekomandimet e Avokatit ndërlidhen edhe me Kuvendin

“Rekomandoj që meqë shumë nga rekomandimet e Avokatit të Popullit ndërlidhen me ndryshime që duhet të bëhen në legjislacion dhe me punën, e cila mund të bëhet edhe në Kuvendin e Kosovës, pra që nuk kemi nevojë të presim Qeverinë apo institucionet e tjera ekzekutive, që të bëjmë një lidhje të drejtpërdrejtë në mes të rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe punës së komisioneve parlamentare në Kuvend”, është shprehur Osmani.

Në fund të debatit janë paraqitur edhe shtatë rekomandime të harmonizuara mes grupeve parlamentare. Rekomandimet e propozuara për miratim janë:

Të implementohen rekomandimet e Avokatit të Popullit të vitit 2015, Qeveria e Kosovës të krijoj kushtet të nevojshme në kuptimin financiar që rekomandimet e Avokatit të Popullit të Implementohen, Komisioni Parlamentare obligohen që të përfshijnë çështjet që dalin nga raportet vjetore të Avokatit në planet e punës së tyre, kryeministri i Kosovës si kryesues i grupit ndërministror për të drejtat e njeriut të raportojë në Kuvend të paktën një herë në vit për të drejtat e njeriut, komisionet parlamentare t’i ftojnë në debat udhëheqësit e institucioneve në komisionit përkatëse në Kuvend, për të kuptuar arsyet e mos zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit, Kuvendi i Kosovës gjatë plotësim- ndryshimit të rregullores së punës, të parasheh vetëm diskutimin e raportit vjetor të Avokatit të Popullit, e të mos hidhet në votim, të zbatohet rezoluta e Kuvendit të Kosovës lidhur me kontributet pensionale të qytet arëve të Kosovës të mbajtura ilegalisht nga Serbia.

Rekomandimet mbeten për t’u votuar në seancën e radhës, për shkak të mungesës së kuorumit.

Debat për shkeljen e të drejtave të punëtorëve (Drejtpërdrejt)

Seanca e Kuvendit të Kosovës po vazhdon me debatin për shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.

Debat parlamentar po mbahet sipas kërkesës së deputetëve Bekim Haxhiu dhe Xhevahire Izmaku, të mbështetur edhe nga 8 deputet tjerë nënshkrues.

Shtyhet interpelanca e kryeministrit Mustafa

Interpelanca e kryeministrit, Isa Mustafa e thirrur nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika - Kadaj Bujupi është shtyrë me kërkesë të shefit të Grupit Parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca.

Sipas Konjufcës, kjo interpelancë shtyhet pasi që deputetja Bujupi është në një udhëtim zyrtar në Budapest.

Ndryshe, edhe javën e kaluar është shtyrë interpelanca e Mustafës për shkak se ky i fundit një udhëtim zyrtar.

Edhe interpelanca e Ministrit Blerand Stavileci është shtyrë se ministri nuk është i pranishëm në seancë.

Mustafa: Ata që i shkaktuan humbje miliona Kosovës duhet të përgjigjen penalisht

Humbja e dhjetëra milionë eurove nga gjykatat e arbitrazhit, ka bërë që deputetët t’i kërkojnë përgjegjësi kryeministrit Isa Mustafa. Por, ky i fundit tha se përgjegjësia duhet të kërkohet tek ata që i kanë shkaktuar këto vendime, madje sipas tij, duhet të përgjigjen penalisht për to.

Këto deklarata kreu i ekzekutivit i bëri të mërkurën në Kuvendin e Kosovës, kur u pyet nga deputeti i PDK-së, Abdyl Ymeri se cilat masa kanë ndërmarrë rreth vendimeve që do ta dëmtojnë shtetin me miliona euro.

Ymeri: Çfarë masash keni marrë, pasi Qeveria është aksionare e PTK-së?

“Cilat masa i  keni ndërmarr dhe çka do të ndërmerrni tani pasi që kemi një vendim përfundimtar, i cili do ta dëmtojë rëndë ndërmarrjen publike Telekomi i Kosovës, kur dihet se Qeveria e Kosovës është pronare e 100 për qind të këtyre aksioneve?”, tha deputeti Ymeri.

Por, kryeministri Mustafa tha se për qeverinë që ai drejton ende nuk janë të qarta procedurat që kanë shkaktuar dëmin prej 30 milionë euro që do t’i paguajë Kosova pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit.

Mustafa: Për mua ende procedurat janë të paqarta

“Kosova do ta paguajë një dëm të madh nga paraja publike prej 30 milionë euro për shkak të disa procedurave, të cilat as për mua si kryeministër, as për Qeverinë nuk janë akoma të qarta, e as vendimi Gjykatës së Arbitrazhit. Janë duke u zhvilluar procedura në drejtësinë kosovare lidhur me këtë, e që unë nuk mund të them se çfarë rezultat mund të marrim. Rezultati më i keq do të jetë që për shkak të papërgjegjësive Kosova dhe paraja publike do të humb, do t’i humbin rrafsh 30 milionë euro, për të cilat nuk kemi reagim publik, kemi dy tre pyetje të deputetëve, por s’ka asnjë reagim publik për këtë problem që është shumë i madh për ne”, tha Mustafa.

Por, përveç rastit të pasaportave, Z-Mobiles, Kosova rrezikon edhe dënimin nga Axos-i.

Ymeri: Kosova rrezikon dënimin edhe nga padia e Axos-it

“Tanimë kemi humbur pesë milionë euro në tenderin e pasaportave, 30 milionë euro me Z-Mobile, çka do të ndodhë nëse humbim kontestin gjyqësor me Axos-in. Kjo po i bie se nga këto raste, sido quajeni, afera, dështime, apo diçka tjetër, buxheti i Kosovës do të dëmtohen me miliona euro, përfshirë këtu edhe shpenzimet për avokatë, këshilltarë të transaksioneve e çka do tjetër”, ka thënë Ymeri.

Mirëpo, kreu i ekzekutivit kërkoi ndjekje penale për ata që i kanë shkaktuar këto situata, ku Kosova po humb miliona në Gjykata të Arbitrazhit.

Mustafa: Shkaktarët e këtyre humbjeve duhet të përgjigjen penalisht

“Ajo që do të ndodhë, mendoj, që duhet të ndodhë përgjegjësia penale, edhe përgjegjësia politike e gjithë atyre që janë shkaktarë të këtyre humbjeve, tjetër përgjigje s’kam si kryeministër. Duhet të përgjigjet dikush pse ne i humbin pesë milionë e 300 mijë në procesin e pasaportave, edhe më shumë së këto, jo vetëm për pasaporta, sepse edhe një shumë është paguar që ka shkuar për asgjë, pse duhet t’i humbin 30 milionë për telekomin, dhe pse duhet t’i humbin një shumë që nuk dua të prejudikoj as me Axos-in”, tha Mustafa.

Në këtë pikë të rendit të ditës, pati edhe pyetje tjera parlamentare, për ministrat e kabinetit qeveritar, ku disa morën përgjigje, e disa jo, për shkak të mungesës së ministrave në seancën plenare.

Image
Shefja e grupit parlamentar, Veldete Bajrami

Bajrami: Presidenti Thaçi po luan me të ardhmen e shtetit

Shefja e grupit parlamentar, Veldete Bajrami ka kritikuar Presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se duhet të dorëheqet për shkak se po lunë me të ardhmen e vendit, duke thënë se nuk ka pasur spastrim etnik por ka pasur tentim për spastrim etnik.

Bajrami ka kritikuar Thaçin që ka deklaruar se do ta padisë Dik Martin për shpifje dhe që nuk ndodhi kurrë.

“Së fundmi po lunë me të ardhmen e shtetit sepse po luan me idenë se nuk ka pas spastrim etnik, të deklarohet presidenti që në Kosovë nuk ka pas spastrim etnik por ka pasur tentim që të ketë spastrim etnik, kjo nuk duhet lejuar sepse me këto deklarata të pa menduar mirë, të pa analizuara do t’i kushtojnë të ardhmës së vendit tonë, nesë nuk e dini, është koha të dorëheqeni sepse nuk guxon e ardhmja e shtetit të përdoret për çështje individuale”, tha ajo.

Ajo ka thënë se padia ndaj Serbisë nuk guxon të përdorët nga askush nga ne por as nga Thaçi.

Dëbimi i 1 milion shqiptarëve ka ndodhur 

Image
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti

Kurti: Isa nuk po merret me ekonomi por me demarkacionin e Thaçit

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka filluar me shqetësimin e djegies së një pjesë të shtëpisë së shëndetit në veri të Mitrovicës, si dhe akuzave ndaj kryeministrit Mustafa se nuk po merret me ekonominë por me demarkacionin e Hashim Thaçit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se Qeveria e sotme është në shërbim të tajfuneve, kurse, kryeministri Isa Mustafa nuk po merret me ekonomi por me demarkacionin e Hashim Thaçit.

“Na duhet një qeveri e re, ku qeveria është e afërt me biznese e vogla dhe të mesëm por jo tepër e afërt me tajfunet e monopoleve, Isa Mustafa nuk e bën këtë, ai nuk po merret me ekonomi por me demarkacionin e Thaçit”, tha ai.

Deputeti i LDK-së, Sadri Ferati ka reaguar për djegien e pjesshme të shtëpisë së shëndetit në veri, duke bërë thirrje që të vazhdoi përmirësimi i jetesës në atë pjesë dhe të mos lejohet që raste të tilla të ndodhin sërish.

Image
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca

Konjufca ka dy pyetje për vdekjen e Astrit Deharit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, ka ngritur dy pyetje para deputetëve të Kuvendit të Kosovës në lidhje me rastin e vdekjes së Astrit Deharit .

Konjufca ka pyetur se kush dha urdhër nga pushteti që të burgosej aktivisti i VV-së Astrit Dehari dhe cilët janë ata persona të cilët i kanë fabrikuar provat qe Astrit Dehari të arrestohej.

Konjufca tha se procesi i hetimit të vdekjes së Deharit në burgun e Prizrenit  është dëmtuar përfundimisht, me rastin e vdekjes së dëshmitarit kyç njëherësh shokut të dhomës së burgut së Deharit, Naser Makollit.

Sipas Konjufcës, Makolli kishte dëshmuar se  Dehari ndjehej i kërcënuar dhe i frikësuar gjatë kohës së paraburgimit.

“Në vendet demokratike vdekja e një dëshmitari të rëndësishëm në burg, bëhet problem politik”, tha Konjufca.

Ai theksoi se Astrit Dehari vdiq kur po mbahej padrejtësisht në burg, dhe  se jetën e tij e kishte një institucion shtetëror i kapur nga krimi.

“Shpërthen” Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës, sulmon miqtë e Shpend Ahmetit

Ish kryetari, tash deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në fjalimin e tij gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se në Kosovë ka shumë biznesmenë që i kanë shumëfishuar pronat dhe të ardhurat për një kohë shumë të shkurtët.

Ai në fjalimin e  tij, ka akuzuar që këta biznesmenë kanë lidhje me klanin pronto, duke kujtuar bisedën e Adem Grabovcit në aferën pronto.

Për më shumë, ky është fjalimi i plotë në Kuvendin e Kosovës:

Qytetarë të Republikës,

Deputetë të Kuvendit,

Edhe në Kosovë kemi emra biznesmenësh që për një kohë të shkurtër i kanë shumëfishuar pronat e të ardhurat e tyre në mënyrë eksponenciale, duke tejkaluar edhe Bill Gates-in e Steve Jobs-in në ShBA. Mirëpo, te ne në Kosovë, Bill Gates dhe Steve Jobs janë dy vëllezër, janë Blerim dhe Shkëlqim Devolli. Ata janë pasuruar shpejt dhe shumë përtej imagjinatës së tyre dhe përtej njohurive tona, thua se kanë bërë ndonjë inovacion në fushën e teknologjisë informative porsi Gates e Jobs. 

Për pak vite këta u bënë pronarë të kompanive më të fuqishme në vend si fabrika e miellit M&Sillosi, Qumështorja VITA, Princ Caffe, Fabrika e sfunxherit “Comodita dopio”, fabrika e lëngjeve “Tango”, “Z-mobile”, Qendra e homologimit, Terminali doganor në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë, Birra e Pejës, thuhet se edhe televizioni Klan Kosova është i tyre etj. etj.

Cili ishte inovacioni i këtyre vëllezërve? Çka zbuluan ata që u pasuruan kështu? Çudisë Devolli nuk i mungon shpjegimi por hetimi. Kosova është shtet i kapur jo vetëm pse është polici e kapur, gjyqësi e kapur, prokurori e kapur, RTK e kapur, shëndetësi e kapur, arsim i kapur, por edhe pse është ekonomi e kapur.  

Të gjithëve na kujtohet pronto biseda e Adem Grabovcit me Shkëlqim Devollin, ku Grabovci i thotë Devollit "Kqyre se s'mujta me të thirrë… m'u ka zbraz krejt fyti…", ndërkohë që Devolli i përgjigjet "U bo shef, qe po t'i çoj…". Shtrohet pyetja, a ju ka tharë fyti vetëm njëherë Grabovcit apo nuk i kanë publikuar pronto ankesat e tjera për tharje fyti? Cilido variant është më i keq se tjetri. Dhe, së dyti, Devolli i thotë Grabovcit shef e jo anasjelltas. E shef do të thotë shef kuzhine apo shef fisi apo shef klani apo shef firme. Përderisa në këtë qeveri e kuvend kemi politikanë që përfaqësojnë kapitalin ekonomik si puna e Ramiz Kelmendit dhe Margarita Kadriut, te Devollët kemi situatën e përmbysur: ata janë biznesmenë që përfaqësojnë kapitalin e pronto politikanëve. Nuk kemi vetëm politikanë që përfaqësojnë interesat e bizneseve por ka edhe biznesmenë që përfaqësojnë interesa të politikanëve. Devollët janë arketipi i biznesit paravan të kapjes ekonomike të shtetit.

Devollët kanë krijuar monopol në shumë fusha. Ata po i shkatërrojnë fushat tona bujqësore dhe bujqit tanë s’kanë më levërdi të mbjellin për shkak të importit të grurit për ushqimin e kafshëve prej rezervave shtetërore të Serbisë e të cilat Devollët po ia sjellin jo vetëm Kosovës por po ia çojnë edhe Shqipërisë. Kanë rënë të ardhurat dhe fitimet në fabrikat e blojës në Kosovë e Shqipëri që s’punojnë as me gjysëm kapaciteti, e njësoj ka rënë importi i grurit nga vendet e tjera, madje edhe nga Italia e afërt për shkak se është rritur drastikisht importi nga Serbia dhe Rusia e largët. Autostradën e kombit Devollët e kanë bërë autostradë të krundeve dhe rezervave serbe për konsumatorët shqiptarë. Për të qenë edhe më keq se kaq, gruri pa proteina dëmton rëndë shëndetin e fëmijëve dhe përbën kequshqyrje që shkakton prapambetje në rritje.

Kjo e shkatërron bujqësinë e Kosovës, sidomos prodhimin vendor të grurit dhe misrit sepse çmimi i grurit në Kosovë tani sillet nga 13-15 centë, pra më lirë se krundet tona. Me këtë çmim asnjë fermer i Kosovës nuk mund t’i mbulojë shpenzimet e prodhimit. Sot te Devollët mund t’i blesh 100 kg miell me 20 euro, madje nëse i blen 3.000 kg miell, 1.000 kg miell i ke gratis!

Nga Devolli Commerce gjatë okupimit te Devolli Company e sot te Devolli Group, prodhimi që bëjnë është bërë i parëndësishëm krahasuar me dallaveret që bëjnë. “Serbia deformon tregun”, “Mielli i bukës kontrabandohet si miell biskotash”, “Mashtrimi me tarifat doganore” janë tituj të zakonshëm kur mediet shkruajnë për Devollët. Natyrisht jo edhe në televionin e tyre Klan, i cili dikur ishte fabrikë reale prodhuese e amorizatorëve për automjetet kurse tash pas privatizimit është fabrikë virtuele televizive për amortizimin e pakënaqësisë së qytetarëve.  

Devollët karakterizohen nga monopoli absolut i transaksioneve me gjithçka që del prej sektorit publik për t’u dhënë si koncension, si privatizim, si kontraktim apo nënkontraktim. Ata po ashtu kanë në dorë tregun e patundshmërive, pra transaksionet e shitblerjes se tokave dhe pronave të palujtshme. Si Devolli edhe Rukolli, Elkos e tajkunët e tjerë, përveçse nuk figurojnë si tatimpaguesit më të mëdhenj, i kanë kompanitë të cilat qendrën e tyre zyrtare edhe pse fiktive nuk e kanë në Kosovë. Për Devollin dihet se i ka kompanitë që kanë degë në Kosovë e janë të regjistruara në Maltë. Po ashtu Rukolli dhe të tjerët në Panama (ku ambasadore është mbesa e Kadri Veselit dhe ka pasur vizita të shpeshta zyrtare).

Ky tip i operimit gjithnjë është i lidhur me gjoja “politikën e jashtme”. Po të vërehet me kujdes çdo herë ka vizita të çuditshme psh. në Maltë, në Luxemburg, në Panama apo dhe në vende jo fort të njohura si partner kryesorë ku Thaçi, Veseli jo më rrallë edhe këta të MZhE-së apo MPJ priten me nderime.

Ekzistenca e Z-Mobile është produkt i krimit të organizuar me pjesëmarrje të një numri të madh individësh. Për ketë krim Prof. Ismet Hamiti ka bërë një kallëzim penal te prokurori i shtetit. Qartazi, Klani ‘Pronto’ ka kurdisur fitoren e Devollëve në tender. Për shkak të kurdisjeve të këtilla pronarë të vërtetë të bizneseve që figurojnë në emër të Devollëve janë kurdisësit, pra Klani ‘Pronto’.

Terminalet doganore janë dorëzim i pastër i shtetit. Kur privatizohen doganat privatizohen edhe doganierët, shumë prej të cilëve tash më shumë punojnë për Devollët e Ramiz Kelmendin e Margarita Kadriun sesa për Republikën tonë.

Të gjithë fermerët janë në mëshirën e fabrikave të qumështit. Ato ua masin sasinë, cilësinë, çmimin dhe kur të donë nuk ua pranojnë fare qumështin. Nëse blegtori përpiqet që mandej qumështin e mbetur t’ia ofrojë ndonjë fabrike tjetër, ato nuk e pranojnë, për shkak se ata kanë kontratë me konkurrencën e tyre. Devollët janë më të egrit në këtë pikëpamje. Ata e kanë luksin të mos e marrin qumështin e blegtorëve vendës sepse përdorin qumësht pluhur kurdo që të kenë nevojë.

Qeveria e sotme sikurse edhe çdo tjetër para saj është në shërbim të tajkunëve. Neve na nevojitet një qeverisje e re me shtet zhvillimor ku qeveria është e afërt me biznesin e vogël dhe të mesëm në përgjithësi, por jo tepër e afërt me tajkunët e monopoleve. Isa Mustafa s’e bën dot këtë. Ai nuk po merret me ekonomi por me demarkacionin e Thaçit. Zaten e ka të vështirë të merret me ekonomi sepse magjistraturën dhe doktoraturën i ka në kundërshtim me njëra-tjetrën: e para në frymën e socializmit vetëqeverisës të Kardelit kurse e dyta për lidership e menaxhment brenda orientimit neoliberal. E, të dyja këto janë të gabueshme.

Ju falemnderit.

Ka filluar senaca plenare e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të paraqiten në interpelancë kryeministri Isa Mustafa dhe ministri Blerand Stavileci.

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të ketë debat për mos zbatimi e rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe debat për shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.

Image
Senaca plenare e Kuvendit të Kosovës

Seanca e Kuvendit, Kryeministri Mustafa dhe Ministri Stavileci sot në interpelancë

Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancën e radhës në të cilën do të paraqiten në interpelancë kryeministri Isa Mustafa dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të paraqitet në interpelancë kryeministri Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetes Donika Kadaj-Bujupi, e mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues, për çështjen e shfrytëzimit e thëngjillit dhe minierën e Sibovcit.

Më pas, para deputetëve, në një interpelancë tjetër lidhje me Kontratën e privatizimit të Kompanisë së Distribuimit të Energjisë Elektrike, do të jetë ministri Blerand Stavileci, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri, i mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues.

Në këtë seancë, pritet të mbahen edhe dy debate parlamentare: njëri, sipas kërkesës së deputetes Teuta Haxhiu, mbështetur edhe nga nëntë deputetë të tjerë nënshkrues, në lidhje me zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe debati parlamentar, sipas kërkesës së deputetëve Bekim Haxhiu dhe Xhevahire Izmaku, të mbështetur edhe nga tetë deputetë të tjerë nënshkrues, në lidhje me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat