Mustafa e Haxhiu përplasën për dialogun me Serbinë

Aktuale

Mustafa e Haxhiu përplasën për dialogun me Serbinë

Më: 12 prill 2017 Në ora: 15:46
Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme

(E plotësuar) - Deputeti i LDK-së Muhamet Mustafa dhe ajo e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu janë përplasur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Krejt kjo erdhi kur deputeti Mustafa në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme me kryetarët e Komisioneve parlamentare, kërkoi që të mos flitet në emër të partive politike dhe të mos infiltrohet lufta e partive për pushtet në dialogun me Serbinë, sepse do të dalim humbës.

Mustafa: Jeni revolucionar, por duhet të dëgjoni

“Pikërisht, ajo marrëveshje që është nënshkruar në Bruksel e ka afirmuar Kushtetutën e Kosovës, po prit tash, dëgjon, ngadalë edhe ti dëgjo, unë ty me respekt të dëgjova. Shiko ju jeni të rinj, jeni revolucionar, ju admiroj, por duhet të jeni të durueshëm t’i dëgjoni njerëzit...do të thotë në atë marrëveshje, shkruan që Asociacioni dhe dokumentet për të do të formohen sipas Kushtetutës së Kosovës dhe ajo në pajtim më Kushtetutën do ta japë mendimin Kushtetuesja. Prandaj, nëse një marrëveshje shkruan kjo, e ka nënshkruar Kosova, Serbia dhe Evropa kjo nuk është shkelje e Kushtetutës, përkundrazi është afirmim”, tha Mustafa.

Kjo deklaratë e tij, e nxiti deputeten Haxhiun e cila mori fjalën të replikojë ndaj kolegut të saj nga LDK-ja.

Haxhiu: Mos ma ngritni, zërin sepse s’po ju frikësohem

“Me gjithë respektin nuk keni nevojë ta ngritni zërin për shkak se unë dëgjoj shumë mirë dhe nuk ju frikësohem. E dyta, është mënyra se si po tentoni ta shkëputni prej subjekteve politike, ne nuk jemi deputet të pavarur, jemi të subjekteve politike dhe përfaqësojmë qëndrimet e subjekteve politike. E treta, është goxha problematike se si doni të manipuloni me publikun me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nëse do të kishim kryeministër të përgjegjshëm në momentin që Kushtetuesja ka thënë se 23 nene të asaj marrëveshje nuk janë në përputhje me Kushtetutën, duhet të japë dorëheqje”, tha Haxhiu.

Përsëri iu kundërpërgjigj Mustafa, çka bëri që deputetja Haxhiu të braktisë mbledhjen e këtij komisioni.

Mustafa: Mos ma ndërprit fjalën, sepse nuk ke të drejtë

“A pe sheh që shumë mirë mund të bisedojmë unë s’të ndërhyj ty, as ti s’më ndërhyn mua dhe ne bisedojmë shumë mirë. Fakti se e ngris zërin është se ju duhet të silleni mirë, mos me ma ndërpre fjalën, mos ma ndërprit fjalën, s’ki drejt me ma ndërpre fjalën, veç kryesuesi ma ndërprenë fjalën, rri tash! Pikërisht ky është shembulli se si nuk duhet të diskutohet në Kuvend dhe për t’i banalizuar dhe vullgarizuar luftën partiake në bisedimet me Serbinë”, theksoi Mustafa.

Ndryshe, mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme me kryetarët e komisioneve parlamentare për të diskutuar rreth dialogut me Serbinë, u mbajt për herë të parë dhe i cili do të vazhdojë edhe në të ardhmen për t’i koordinuar qëndrimet rreth këtij procesi. 

Haxhiu përplaset me deputetin e LDK-së, lëshon mbledhjen

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu ka lëshuar mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme ku po diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi.

Kjo pasi që asi është përplasur me deputetin e LDK-s Muhamet Mustafa rreth marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Serbia po del fituese në procesin e dialogut”

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu ka kërkuar që urgjentisht të ndërpritet dialogu Kosovë-Serb.

Sipas saj, shteti serb po del fitues në procesin e dialogut.

Kështu ajo  tha gjatë takimit koordinues të Komisionit për Punë të jasthme me komisionet tjera parlamentare ku po flitet për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat