Rrustemi: 10 arsyet pse zgjedhjet e Serbisë në Kosovë do të duhej të ndaloheshin

Aktuale

Rrustemi: 10 arsyet pse zgjedhjet e Serbisë në Kosovë do të duhej të ndaloheshin

Më: 2 prill 2017 Në ora: 13:19
Anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Adnan Rustemi

Anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Adan Rustemi përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook” ka folur për dhjetë arsyet pse sipas tij nuk do të duhej të lejoheshin zgjedhjet presidenciale të Serbisë të organizohen në Kosovë.

Sipas tij, me këto zgjedhje, Kosova formalisht po trajtohet si pjesë e Serbisë. Rrustemi gjithashtu ka thënë se mbajtja e këtyre zgjedhje po e cenon sovranitetin e Kosovës edhe më shumë sesa treni.

Lexoni shkrimin e plotë të Rrustemi:

-Me këto zgjedhje, Kosova po trajtohet jo vetëm formalisht (me Kushtetutë) pjesë e Serbisë, por edhe efektivisht. Ndërsa, Qeveria e Kosovës me miratimin e tyre po e përligjë dhe legjitimon këtë pretendim të Serbisë;

-Serbët e Kosovës nuk po votojnë si votues serbë jashtë vendit, por pikërisht si votues brenda Serbisë ( Serbë ka edhe në shtete tjera të botës e rajonit, por Serbia në asnjërin nga këto vende nuk ka hapur vendvotime, madje as në “ Republika Srpska”);

-Këto zgjedhje shumë më shumë se sa për votën e serbëve flasin për ushtrim efektiv të sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën;

-Është përpjekje tinëzare e Qeverisë së Kosovës për të mashtruar opinion, se kinse nuk po votohet në Kosovë, por vetëm po grumbullohen votat nga OSBE. Atë e demanton ndër tjerash edhe udhëzimi i KQZ-së së Serbisë, akti i të cilit po zbatohet në këtë rast;

-Qeveria po manipulon opinionin publik, duke synuar në radhë të parë, që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë të kalojë pa u vërejtur, si dhe zhvendosjen e vëmendjes nga pyetja thelbësore se a duhet të lejohen që të mbahen apo jo, në çështjen se kush do t’i organizojë ato. Me gjithë rëndësinë që ka organizatori i këtyre zgjedhjeve dhe duket sheshit që organizimi do të bëhet nga institucionet e Serbisë, shqetësues mbetet fakti i mbajtjes së tyre dhe cenimi i rëndë i integritetit shtetëror;

-Roli i OSBE-së është i kufizuar vetëm në kamuflimin e pranisë së strukturave të Serbisë në organizimin e këtyre zgjedhjeve. Zgjedhjet atje po i organizon Komisioni Republikan i Serbisë. Ndërsa, vetëm bartjen e materialit nga QV-të deri në pikat kufitare do ta përcjellë OSBE;

-OSBE nuk e njehë Kosovën, madje nga ndikimi i Serbisë dhe Rusisë në këtë organizatë, OSBE në asnjë rast dhe për asnjë çështje nuk hyn në raporte kontraktuale me asnjë institucion të Republikës së Kosovës ( Le ta publikon Qeveria e Kosovës marrëveshjen me shkrim me OSBE-në, nëse ka);

-Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë përmbajtësish janë cenim i sovranitetit të Kosovës shumë më shumë se sa Treni – Kishë;

-Aludimi në dyshtetësi është manipulim. Serbët e Kosovës të gjithë posedojnë shtetësinë e Serbisë, por jo të gjithë e posedojnë shtetësinë e Kosovës. Në dy palë zgjedhjet e fundit në Kosovë, rreth 30 mijë serbë e kanë fituar të drejtën e votës vetëm mbi bazën e shtetësisë së Serbisë. Ndërsa ata që posedojnë shtetësinë do të duhej të votonin siç votojnë serbët e Kroacisë, Sllovenisë e gjetkë;

-Interesi i Serbisë nuk qëndron tek pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në këto zgjedhje, por tek rikonfirmimi i pranisë së saj në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat