Rikujtimi i 24 marsit 1999: Rrëfimi i banorit me sytë kah qielli në pritje të aeroplanëve të NATO-s

Aktuale

Rikujtimi i 24 marsit 1999: Rrëfimi i banorit me sytë kah qielli në pritje të aeroplanëve të NATO-s

Më: 24 mars 2017 Në ora: 17:54
Sulmet e NATO-s

Ali Kamaj nga Strellci i Ulët i Deçanit, 18 vjet më parë, priste lajmet nga Brukseli rreth fatit të diskutimeve për fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj ushtrisë serbe.

Plaku 80 vjeçar thotë se asnjëherë gjatë jetës së tij nuk kishte përjetuar momente me emocionuese se atë ditë kur NATO nisi fushatën ajrore kundër caqeve ushtarake, policore e paramilitare serbe.

Për të ishin emocione gëzimi dhe frike njëkohësisht.

Nga njëra anë, për të po realizohej një moment i shumëpritur që aleanca veriatlantike ta ndihmojë çlirimin e vendit, por nga ana tjetër, ai frikësohej nga një hakmarrje e forcave serbe ndaj popullsisë civile që në fshat ishin në numër më të madh se zakonisht.

“Atë ditë kemi qëlluar në Strellc të Ulët, po të njëjtin fshat ku jam lind e rritë. Ka pasë popullatë prej tona anëve të Kosovës, se ish bjeshka, thoshin bjeshka e Strellcit për me mujt me depërtu me dalë në Shqipëri”, kujton Ali Kamaj momentet e para 18 viteve.

“U pa ajo dritë, ai aeroplan që veç e mësyni tokën e Kosovës me na sh’liru prej një armiku shumë të fëlliqtë. Gëzim ma të madh, krejt popullata jo veç unë si Ali, po edhe fëmijë edhe gra e rob e çka ka pas, plak e ri, gëzim ma të madh për jetë teme unë nuk di me krejt atë popull që u kanë aty”, kujton ai.

Plaku nga Strellci thotë se përvjetori i fillimit të bombardimeve duhet kremtuar nga të gjithë shqiptarët sepse, sipas tij, ishte fillimi i fundit të regjimit serb në Kosovë.

“E pamë që armiku jonë i lau duart sa prej bombardimeve të NATO-s, sa prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dy anët gëzim e idhnim na u ka përzi, prej qefit 80 % kajshim që bombardimet filluan”, tregon Ali Kamaj.

Fushata ajrore e NATO-s ndaj ushtrisë serbe zgjati për 78 ditë, deri në qershor të atij viti kut forcat serbe u larguan nga Kosova pas nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat