Reagon Lista Srpska ndaj vendimit të Qeverisë për pronat: Po na bëni represion

Aktuale

Reagon Lista Srpska ndaj vendimit të Qeverisë për pronat: Po na bëni represion

Më: 15 mars 2017 Në ora: 11:58
Deputetë të Lista Srpska

Përmes një vendimi të nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të gjitha patundshmëritë në emër të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, përkatësisht të ish-Republikës Socialiste të Serbisë, që ndodhen në vendin tonë, do të regjistrohen si prona të Republikës së Kosovës.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar Lista Serbe, kryetari i së cilës, Slavko Simiq, ka deklaruar se ky është represion.

Sipas tij, vendimi duhet tërhequr menjëherë.

“Vendimi i qeverisë së Kosovës është tendencioz dhe paraqet tentim që përmes vendimeve të institucioneve të Kosovës të vazhdohet represioni i përhershëm ndaj qytetarëve serbë në Kosovë e Metohi dhe konfiskim të pronës shoqërore dhe private të popullit serb”, ka deklaruar Simiq.

Në këtë deklaratë, Simiq ka thënë se që nga viti 1999 janë uzurpuar mbi 1 milion parcela kadastrale të ndërmarrjeve shoqërore e publike në Kosovë dhe tani “është një tentim i qartë i Prishtinës zyrtare që përmes vendimeve të njëanshme të përvetësojë pronën joligjore”.

“Ne dëshirojmë që të mbrojmë interesin tonë nacional ekonomik, që është shumë i rëndësishëm për shtetin tonë, Serbinë, e po ashtu edhe për popullin tonë në Kosovë e Metohi”, është shprehur Simiq.

Sipas tij, për pronën duhet të bisedohet në Bruksel, madje si temë kyçe.

Kujtojmë se në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës, agjencia e Kadastrit është autorizuar të regjistrojë të drejtën e pronës dhe të bëjë regjistrin e të drejtave pronësore brenda afatit të përcaktuar ligjor.

Ky vendim është marrë shkas që sot përfaqësues të serbëve të Kosovës të udhëtojnë në Beograd, për të biseduar në të ashtuquajturën Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat